YouVersion Logo
Search Icon

Hebrenjve 8

8
Kryeprifti i besëlidhjes më të mirë
1Kryesorja e gjërave që po themi është kjo: kemi një kryeprift të tillë, i cili u ul në të djathtë të fronit të Perëndisë së madhërishëm në qiej. 2Ai shërben në shenjtërore dhe në tendën e vërtetë, të cilën e ngriti Zoti e jo njeriu.
3Çdo kryeprift caktohet për të kushtuar dhurata e flijime. Kështu ishte e nevojshme që edhe kryeprifti ynë të kishte diçka për të kushtuar. 4Po të ishte Krishti mbi tokë, nuk do të kishte qenë e nevojshme të ishte prift, sepse në tokë ka priftërinj që i kushtojnë dhurata Perëndisë sipas ligjit. 5Këta priftërinj shërbejnë sipas shembullit dhe hijes së adhurimit qiellor, ashtu siç i tha Perëndia Moisiut kur mendonte të ngrinte tendën: tani, bëj gjithçka sipas gjedhes që t'u tregua në mal. 6Ndërsa tani Krishtit iu dha një shërbesë më e shquar, sepse ai është ndërmjetësi i një besëlidhjeje më të mirë, themeluar në premtime më të mira.
7Nëse besëlidhja e parë do të ishte pa të metë, atëherë nuk do të ishte nevoja të zëvendësohej me një të dytë. 8Por Perëndia e qortoi popullin e vet e i tha:
ja ku po vijnë ditët, thotë Zoti,
kur do të bëj një besëlidhje të re
me shtëpinë e Izraelit
e me shtëpinë e Judës.
9 Ajo nuk do të jetë si besëlidhja
që bëra me etërit e tyre,
ditën kur i mora për dore
për t'i nxjerrë nga Egjipti.
Ata nuk i qëndruan besnikë besëlidhjes sime,
prandaj unë i braktisa, thotë Zoti.
10 Besëlidhja që do të lidh
me shtëpinë e Izraelit
pas atyre ditëve, thotë Zoti,
është kjo:
unë do t'i shtie ligjet e mia
në mendjen e tyre
e do t'i shkruaj
në zemrat e tyre.
Unë do të jem Perëndia i tyre
e ata do të jenë populli im.
11 Askush nuk do të mësojë më tjetrin
dhe vëllait të vet
askush nuk do t'i thotë më:
«Njih Zotin!»,
se do të më njohin të gjithë,
nga më i vogli te i madhi.
12 Unë do të jem i mëshirshëm
me paudhësitë e tyre,
mëkatet e tyre
nuk do t'i kujtoj më.
13Kur Perëndia tha «besëlidhja e re», ai e vjetroi të parën. Ajo që vjetrohet e plaket është afër zhdukjes.

Currently Selected:

Hebrenjve 8: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in