YouVersion Logo
Search Icon

Hebrenjve 10

10
1Meqenëse ligji përmban vetëm hijen e të mirave të ardhshme dhe jo pamjen e tyre të vërtetë, ai nuk mund t'i përsosë kurrë ata që vazhdimisht vijnë të kushtojnë të njëjtat flijime vit për vit. 2Përndryshe do të kishin reshtur së kushtuari flijime, pasi ata që adhuronin Perëndinë, si të ishin pastruar një herë, nuk do të ishin më të vetëdijshëm për mëkatet e tyre. 3Por ato flijime iu kujtonin mëkatet çdo vit, 4sepse gjaku i viçave dhe i cjepve nuk mund t'i shlyejë mëkatet.
5Kur erdhi Krishti në botë, tha:
flijime e dhurata
nuk deshe,
por më bëre gati një trup.
6 Shkrumbimet e kafshëve
dhe flijimet për mëkatet
nuk të pëlqyen.
7 Atëherë thashë:
ja ku po vij, o Perëndi,
për të bërë vullnetin tënd,
sikurse është shkruar për mua
në krye të librit.
8Më lart ai tha se nuk i pëlqejnë flijimet dhe dhuratat, si dhe shkrumbimet e kafshëve dhe flijimet për mëkatin, megjithëse ato kushtoheshin sipas ligjit. 9Pastaj shtoi: ja ku po vij për të bërë vullnetin tënd! Kështu ai hedh poshtë flijimet e para për të caktuar flijimin e dytë. 10Nga ky vullnet u shenjtëruam nëpërmjet flijimit që bëri Jezu Krishti një herë e përgjithmonë.
11Të gjithë priftërinjtë rrinin çdo ditë në këmbë për të shërbyer e për të kushtuar shumë herë të njëjtat flijime, të cilat nuk mund t'i shlyejnë kurrë mëkatet. 12Ndërsa Krishti kushtoi vetëm një flijim për mëkatet një herë e përgjithmonë e pastaj u ul në të djathtë të Perëndisë. 13Tani, atje, ai pret që armiqtë e tij të bëhen shtrojë e këmbëve të tij. 14Kështu, me një kushtim të vetëm, Krishti i bëri të përsosur përgjithmonë të shenjtëruarit.
15Edhe Shpirti i shenjtë na dëshmon kur thotë:
16 besëlidhja që do të lidh me ta
pas atyre ditëve, thotë Zoti,
është kjo:
unë do t'i shtie ligjet e mia
në mendjen e tyre
e do t'i shkruaj në zemrat e tyre.
17 Mëkatet e tyre
e paudhësitë e tyre
nuk do t'i kujtoj më.
18Ku ka ndjesë të mëkateve, nuk është nevoja më për flijime.
Thirrje dhe paralajmërime
19Vëllezër, gjaku i Jezuit na jep guxim për të hyrë në shenjtërore 20përmes udhës së re e të gjallë që na hapi Krishti me anë të velit që është trupi i tij.
21Ai është prift i madh në krye të shtëpisë së Perëndisë. 22Le të hyjmë, pra, atje me zemër të çiltër e me besim të sigurt, me zemër të pastruar nga ndërgjegjja e keqe dhe me trup të larë me ujë të pastër. 23Le ta mbajmë të patundur pohimin e shpresës, sepse ai që na premtoi është besnik. 24Le të kujdesemi për njëri-tjetrin, duke e nxitur për dashuri e për vepra të mira, 25pa hequr dorë nga të mbledhurit së bashku, siç e kanë bërë zakon disa. Përkundrazi, le të nxisim njëri-tjetrin më shumë tani që shihni se po afron Dita e Zotit.
26Nëse vazhdojmë të mëkatojmë me dashje, pasi kemi marrë njohuritë e së vërtetës, atëherë nuk ka më asnjë flijim për mëkatet. 27Përkundrazi, na pret gjykimi i tmerrshëm dhe zjarri i ndezur që përpijnë kundërshtarët. 28Nëse dikush shkel ligjin e Moisiut, vritet pa mëshirë me dëshminë e dy a tre dëshmitarëve. 29A e merrni me mend se ç'dënim më të madh do të meritojë ai që ka shkelur me këmbë Birin e Perëndisë, që e ka parë si të pavlerë gjakun e besëlidhjes, me të cilin u shenjtërua, dhe që ka sharë Shpirtin e hirit? 30Sepse ne e njohim atë që ka thënë:
«shpagimi më përket mua
dhe unë jam ai
që do të marrë shpagim».
Si dhe:
«Zoti gjykon popullin e tij».
31Është gjë e tmerrshme të biesh në duart e Perëndisë së gjallë.
32Sillini ndër mend ditët e shkuara! Atëherë, pasi u ndriçuat, ju duruat me shumë mundime një luftë të madhe, 33herë të përqeshur dhe të munduar botërisht, herë duke marrë pjesë në vuajtjet e atyre që trajtoheshin kështu. 34Ju keni vuajtur bashkë me të burgosurit dhe kur ju kanë rrëmbyer pasuritë, keni duruar me gëzim, sepse e keni ditur se keni një pasuri më të madhe#10.34 dorëshk. të tjera edhe: në qiej dhe të qëndrueshme.
35Mos e humbisni, pra, guximin tuaj! Ai ka shpërblim të madh. 36Keni nevojë për durim që të bëni vullnetin e Perëndisë e të fitoni premtimin.
37Sepse edhe pak kohë,
vetëm pak,
e do të vijë
ai, që duhet të vijë,
e nuk do të vonohet.
38 I drejti im
do të jetojë prej besimit,
por nëse zmbrapset,
shpirti im nuk do të kënaqet me të.
39Ne nuk jemi nga ata që zmbrapsen e humbasin, por nga ata që besojnë dhe shpëtojnë shpirtin.

Currently Selected:

Hebrenjve 10: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in