1 Samuelit 20
20
Jonatani ndihmon Davidin
1Davidi u largua prej Najotit, në Ramah. Ai shkoi te Jonatani e i tha: «Çfarë kam bërë? Ç'faj kam? Ç'të keqe i bëra tyt eti që kërkon të më marrë jetën?». 2Ai iu përgjigj: «Larg qoftë të vdesësh! Im atë nuk bën as gjënë më të vogël pa më treguar. Pse do të ma fshihte këtë gjë? Nuk është kështu!». 3Davidi iu zotua e tha: «Yt atë e di mirë se ti më përkrah dhe mendon: “Mos ta dijë Jonatani, që të mos hidhërohet!”. Por, pasha Zotin e pasha jetën tënde, vetëm një hap më ndan nga vdekja!». 4Jonatani i tha: «Do të veproj si të duash ti!». 5Davidi i tha: «Ja, është hënë e re dhe mua më duhet të ulem e të ha me mbretin. Më lër të fshihem në fushë për tri net. 6Nëse yt atë më kërkon me ngulm, thuaji se m'u desh të të kërkoja ndjesë për të shkuar me të shpejtë në Betlehem që të kushtoja flinë e përvitshme me mbarë fisin. 7Nëse thotë: “Mirë”, atëherë nuk ka rrezik për shërbëtorin tënd. Nëse zemërohet, dije se ka vendosur të më vrasë. 8Tregohu besnik me shërbëtorin tënd, se lidhëm besën me njëri-tjetrin para Zotit. Nëse kam faj më vrit vetë, por mos më ço tek yt atë». 9Jonatani i tha: «Larg qoftë! Po ta kisha ditur se im atë kishte vendosur të të vriste, a nuk do të ta tregoja?». 10Atëherë Davidi i tha: «Kush do të më njoftojë nëse yt atë të përgjigjet ashpër?». 11Jonatani iu përgjigj: «Eja të dalim në fushë». Atëherë dolën të dy në fushë.
12Jonatani i tha: «Pasha Zotin, Perëndinë e Izraelit, nesër apo pasnesër, si në këtë kohë, do ta zbuloj se ç'mendon im atë. Nëse ta do të mirën do të të çoj fjalë. 13Nëse të do të ligën, keq e më keq ma bëftë Zoti po nuk të çova fjalë e nuk të lashë të ikësh në paqe. Zoti qoftë me ty siç ka qenë me atin tim. 14Sa të jem gjallë, sillu me mua sipas mirësisë së Zotit. Po të vdes, 15mos ia moho kurrë shtëpisë sime mirësinë tënde, as kur Zoti t'i ketë shuar nga faqja e dheut të gjithë armiqtë e Davidit». 16Jonatani lidhi besën me shtëpinë e Davidit e tha: «Zoti ua ktheftë armiqve të Davidit!». 17Jonatani e vuri në be Davidin për dashurinë që kishte për të, se e donte si veten.
18Pastaj Jonatani i tha: «Nesër është hënë e re dhe mungesa jote në tryezë do të vihet re. 19Pasnesër zbrit e shko te vendi ku u fshehe më parë e ndalu te pirgu i gurëve. 20Unë do të gjuaj tri shigjeta anash gjoja se po qëlloj në shenjë. 21Do ta çoj djaloshin për të gjetur shigjetat e kur t'i them: “I ke shigjetat nga ana jote. Shko e merri!”, ti eja se, pasha Zotin, je i sigurt e nuk ka rrezik. 22Po t'i them djaloshit: “I ke shigjetat përtej”, ik se Zoti po të largon. 23Për këtë që folëm kemi Zotin dëshmitar».
24Atëherë Davidi u fsheh në fushë. Kur doli hëna e re, mbreti u ul të hante. 25U ul te vendi pranë murit, siç ulej përherë. Jonatani u ul përballë, Abneri përbri, ndërsa vendi i Davidit ishte bosh.
26Atë ditë Sauli nuk tha gjë, se mendoi që Davidi mund të kishte qenë i papastër për ndonjë arsye dhe se nuk ia kishte dalë dot të pastrohej. 27Të nesërmen, ditën e dytë pas hënës së re, vendi i Davidit ishte përsëri bosh. Atëherë Sauli i tha Jonatanit, të birit: «Përse biri i Jeseut nuk ka ardhur të hajë as dje, as sot?». 28Jonatani iu përgjigj: «Davidi m'u lut të shkonte në Betlehem. 29Ai më tha: “Të lutem, më lër të shkoj në qytet për të kushtuar flinë me fisin. Më ka urdhëruar im vëlla, prandaj, nëse kam gjetur hir para teje, më lër të largohem, që të shoh vëllezërit”. Prandaj nuk ka ardhur në tryezën e mbretit».
30Atëherë Sauli u zemërua fort me Jonatanin e i tha: «Bir i bushtrës së pabesë! Pse, nuk e di unë se ke zgjedhur birin e Jeseut? S'të vjen turp as për vete e as për lakuriqësinë e sat ëme! 31Për sa kohë të jetojë mbi tokë biri i Jeseut, as ti dhe as mbretëria jote nuk do të jenë të sigurta, prandaj shko e ma sill, se ai ka për të vdekur!». 32Jonatani iu përgjigj Saulit, të atit: «Pse të vdesë? Çfarë ka bërë?». 33Por Sauli e gjuajti me heshtë. Atëherë Jonatani e kuptoi se i ati kishte vendosur ta vriste Davidin. 34Jonatani u ngrit nga tryeza i zemëruar dhe ditën e dytë të hënës së re nuk hëngri, sepse u pikëllua për Davidin dhe se i ati e kishte përbuzur.
35Në të gdhirë Jonatani shkoi në fushë për të takuar Davidin. Me të ishte edhe një djalosh i vogël. 36Ai i tha djaloshit: «Vrap, m'i mblidh shigjetat që po gjuaj!». Djaloshi vrapoi e Jonatani i gjuajti shigjetat përtej tij. 37Kur djaloshi mbërriti te vendi ku ishin shigjetat, që kishte gjuajtur Jonatani, ai i thirri djaloshit e i tha: «Nuk i ke shigjetat nga ana jote, janë përtej! 38Nxito, mos u vono!». Djaloshi i Jonatanit i mblodhi shigjetat dhe erdhi tek i zoti. 39Djaloshi nuk kuptoi asgjë. Vetëm Jonatani e Davidi e dinin për çfarë bëhej fjalë. 40Atëherë Jonatani i dha djaloshit armët e veta e i tha: «Shko e m'i ço në qytet!». 41Sapo iku djaloshi, Davidi doli nga mbrapa gurit e ra me fytyrë përdhe tri herë. U puthën e zunë të qanin. Davidi qau më shumë. 42Pastaj Jonatani i tha Davidit: «Shko në paqe, se të dy u zotuam në emër të Zotit kur thamë: “Zoti qoftë dëshmitar përherë mes meje e teje, mes pasardhësve të mi e pasardhësve të tu!”».
Currently Selected:
1 Samuelit 20: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020