YouVersion Logo
Search Icon

1 Samuelit 19

19
Jonatani mbron Davidin
1Sauli i tha Jonatanit, birit të vet, dhe të gjithë shërbëtorëve ta vrisnin Davidin. Jonatani, biri i Saulit, e donte shumë Davidin. 2Ai i tregoi Davidit e i tha: «Sauli, im atë, kërkon të të vrasë, prandaj ki kujdes në mëngjes. Fshihu e mos dil! 3Unë do të shkoj tek im atë e do të qëndroj pranë tij në arën ku do të fshihesh. Do t'i flas për ty e, nëse vërej gjë, do të të them». 4Jonatani i foli mirë për Davidin, Saulit, atit të vet, e i tha: «Të mos mëkatojë mbreti kundër Davidit, shërbëtorit të vet, se as ai nuk ka mëkatuar kundër teje. Ai ka bërë vepra të dobishme për ty, 5ka vënë jetën në rrezik, vrau filistinin e Zoti i dha fitoren mbarë Izraelit. Ti e pe dhe u ngazëllove. Përse mëkaton kundër gjakut të pafajshëm e kërkon ta vrasësh Davidin pa shkak?». 6Sauli ia dëgjoi fjalën Jonatanit e u betua: «Pasha Zotin nuk do të vritet!». 7Atëherë Jonatani e thirri Davidin e i tregoi gjithçka. E solli Davidin tek Sauli dhe ai u vu në shërbim të tij si më parë.
8Lufta plasi sërish. Davidi doli për të luftuar kundër filistinëve. I shpartalloi dhe ata ia mbathën para tij. 9Atëherë mbi Saulin erdhi një shpirt i lig i dërguar prej Zotit, teksa ai po rrinte në shtëpi me heshtë në dorë e Davidi po i binte lirës. 10Sauli u përpoq ta mbërthente Davidin me heshtë për muri, por ai u shmang e heshta qëlloi murin. Atë natë Davidi iku dhe shpëtoi.
11Sauli dërgoi lajmëtarë te shtëpia e Davidit, që ta vëzhgonin e ta vritnin në të gdhirë, por Mikala, e shoqja, e njoftoi e i tha: «Ik sonte e shpëto kokën, se nesër do të të vrasin!». 12Ajo e zbriti Davidin nga dritarja e ai iku e shpëtoi. 13Pastaj ajo mori një idhull, e vuri në shtrat, i hodhi mbi krye një lëkurë me lesh dhie dhe e mbuloi me mbulesë. 14Sauli dërgoi lajmëtarë për ta marrë Davidin, por ajo u tha se ai ishte sëmurë. 15Sauli dërgoi sërish lajmëtarë që ta vëzhgonin Davidin e u tha: «Ma sillni me gjithë shtrat, që ta vras!». 16Ata shkuan, por në shtrat gjetën idhullin e lëkurën me lesh dhie. 17Sauli i tha Mikalës: «Si më mashtrove kështu dhe e le armikun tim të ikte e të shpëtonte?». Mikala iu përgjigj: «Sepse më tha: “Më lër të iki, se të vrava!”».
Davidi dhe Samueli
18Ndërkohë Davidi kishte ikur. Ai shkoi te Samueli në Ramah e i tregoi gjithçka i kishte bërë Sauli. Davidi e Samueli shkuan e banuan në Najot. 19Saulin e njoftuan se Davidi ishte në Najot, në Ramah 20dhe ai dërgoi lajmëtarë që ta merrnin. Me të parë çetën e profetëve, që po profetizonin, dhe Samuelin mes tyre, që po u printe, shpirti i Perëndisë erdhi mbi njerëzit e Saulit dhe ata filluan të profetizonin. 21E njoftuan Saulin dhe ai dërgoi lajmëtarë të tjerë, por edhe ata filluan të profetizonin. Sauli dërgoi të tjerë për herë të tretë, por edhe këta filluan të profetizonin. 22Atëherë ai shkoi vetë në Ramah. Mbërriti te pusi i madh në Seku dhe pyeti: «Ku janë Samueli e Davidi?». Dikush i tha: «Ja, në Najot, në Ramah». 23Kështu, ai shkoi në Najot, në Ramah. Shpirti i Perëndisë erdhi edhe mbi të dhe ai ecte e profetizonte derisa mbërriti në Najot, në Ramah. 24U zhvesh e filloi të profetizonte para Samuelit. Pastaj ra përtokë lakuriq e ndenji ashtu tërë ditën e tërë natën. Prej këndej doli edhe thënia: «Edhe Sauli qenka profet?».

Currently Selected:

1 Samuelit 19: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in