YouVersion Logo
Search Icon

1 Samuelit 18

18
Davidi dhe Jonatani
1Sapo mbaroi së foluri me Saulin, Jonatani u lidh me gjithë shpirt me Davidin. Ai e deshi Davidin si veten. 2Sauli e mori atë ditë Davidin e nuk e la të kthehej te shtëpia e të atit. 3Jonatani e Davidi lidhën besën, sepse ai e donte si veten. 4Jonatani e hoqi petkun e ia dha Davidit. I dha edhe tunikën, shpatën, harkun e brezin e vet. 5Davidit i printe e mbara kudo që e dërgonte Sauli, prandaj ky e vuri në krye të ushtarëve. Populli e shërbëtorët e Saulit e patën për zemër Davidin.
6Pasi Davidi vrau filistinin, trupat u kthyen dhe gratë nga të gjitha qytetet e Izraelit dolën me këngë e valle për të takuar mbretin Saul, duke u rënë dajreve e qesteve plot hare. 7Dhe kënduan:
«Sauli vrau me mijëra,
Davidi me dhjetëra mijëra!».
8Sauli u zemërua shumë e nuk i pëlqeu kjo, sepse mendoi: «Davidit i numëruan dhjetëra mijëra, ndërsa mua vetëm mijëra. U mbetet vetëm ta bëjnë mbret!». 9Që prej asaj dite Sauli e shihte me sy të keq Davidin.
10Të nesërmen shpirti i lig i dërguar prej Perëndisë e pushtoi Saulin e ai u përçart në shtëpi. Davidi po i binte lirës siç bënte përditë, ndërsa Sauli mbante një heshtë në dorë. 11Sauli e qëlloi me heshtë, se mendoi ta mbërthente Davidin pas murit, por Davidi iu shmang dy herë.
12Sauli e druante Davidin, se Zoti ishte larguar prej tij dhe ishte me Davidin. 13Sauli e largoi prej vetes dhe e bëri kryemijës. Ai i printe popullit 14e i shkonte mbarë në çdo gjë, sepse Zoti ishte me të. 15Sauli e vuri re se Davidit i shkonte shumë mbarë, prandaj filloi ta kishte frikë. 16Tërë Izraeli e Juda e donte Davidin, se ai i udhëhiqte.
Martesa e Davidit
17Sauli i tha Davidit: «Do të të jap për grua Merabën, vajzën time të madhe. Ti vetëm më shërbe si luftëtar e lufto betejat e Zotit». Sauli thoshte: «Të mos vdesë prej dorës sime, por prej dorës së filistinëve». 18Davidi iu përgjigj: «Kush jam unë apo shtëpia e atit tim në Izrael, që të bëhem dhëndri i mbretit?». 19Por, kur erdhi koha për t'u martuar me Davidin, Merabën, bijën e Saulit, ia dhanë Adriel Meholatitit.
20Mikala, bija e Saulit, e donte Davidin dhe, kur i treguan Saulit, atij i pëlqeu kjo, 21se thoshte: «Do t'ia jap për grua, që të bjerë në kurth e të vritet nga dora e filistinëve». Kështu, për të dytën herë Sauli i kërkoi Davidit të bëhej dhëndri i tij. 22Sauli i urdhëroi shërbëtorët e vet e u tha: «Flisni me Davidin e thuajini në fshehtësi: “I ke pëlqyer mbretit dhe shërbëtorët të duan, pse nuk bëhesh dhëndri i mbretit?”». 23Shërbëtorët e Saulit folën me Davidin, por ai u tha: «Përse, punë e lehtë ju duket të jesh dhëndri i mbretit? Unë jam i varfër e i parëndësishëm». 24Kur shërbëtorët i treguan Saulit çfarë kishte thënë Davidi 25ai u tha: «Kështu thuajini Davidit: “Mbreti nuk do pajë, por lafshën e njëqind filistinëve të vdekur, që të hakmerret kundër armiqve të tij”». Sauli mendonte si e si të vritej Davidi prej dorës së filistinëve. 26Shërbëtorët e Saulit folën me Davidin dhe atij iu mbush mendja të bëhej dhëndri i mbretit. Para se të plotësoheshin ditët, 27Davidi bashkë me njerëzit e vet shkoi e vrau dyqind filistinë e ia dërgoi mbretit të tëra lafshat që të bëhej dhëndri i tij. Kështu, Sauli i dha për grua bijën e vet, Mikalën. 28Sauli e pa se Zoti ishte me Davidin dhe se Mikala, bija e tij, e donte Davidin. 29Sauli e pati frikë Davidin edhe më shumë e u bë armik i tij përjetë.
30Sa herë që prijësit e filistinëve dilnin për luftë, Davidit i shkonte mbarë më shumë se tërë shërbëtorëve të Saulit, prandaj dhe bëri emër të madh.

Currently Selected:

1 Samuelit 18: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy