Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Punë Të Rëndësishme!Shembull

Punë Të Rëndësishme!

DITA 1 NGA 4

Atëherë kur nuk duron dot më!

Ideja e këtij plani është që Perëndia përdor njerëz të zakonshëm për të realizuar gjëra të jashtëzakonshme.

Ky plan është për ata që besojnë se janë krijuar për të bërë diçka më shumë, për të lënë një ndikim të qëndrueshëm dhe të rëndësishëm në botë. Nëse e ke zemrën të hapur dhe je i gatshëm të angazhohesh, Perëndia do të flasë me ty gjatë këtyre katër ditëve.

Modeli i këtij plani është Nehemia, një figurë shumë e rendësishme nga Dhjata e Vjetër, i cili kishte një zemër të dhembshur për popullin e tij dhe për gjendjen e Jeruzalemit. Ai pa situatën dhe vendosi të vepronte, duke u bërë një shembull për ne se si të ndërmarrim punë të rëndësishme.

Nëse beson se Perëndia ka diçka më shumë për ty, një punë të rëndësishme, fillo me një lutje: “Më ndihmo të besoj, Atë, që Ti do të bësh gjëra të jashtëzakonshme me fuqinë e Frymës së Shenjtë në mua, dhe nëpërmjet meje. Më jep kurajon për të hedhur hapa besimi. Më fol, më trazo, më nxit. Sepse dua të ndikoj dikë me jetën timë dhe të të nderoj Ty me çdo gjë që bëj dhe them.”

Titulli i ditës së parë është: “Atëherë kur nuk duron dot më!” . Nehemia ishte kupë-mbajtësi i mbretit të Persisë, Artakserksi. Në atë kohë, kjo ishte një punë me rrezik të madh, pasi kupë-mbajtësi ishte ai që provonte verën për të kontrolluar nëse kishte helm. Pavarësisht luksit të jetës së tij në pallatin mbretëror, Nehemia kishte një zemër të dhembshur për situatën e Jerusalem, qytetit të shkatërruar dhe të mureve të tij të rënuara.

Në librin e Nehemias, kapitulli 1, vargu 2, thuhet:“Nehemia i pyeti lidhur me Judenjtë që kishin shpëtuar nga robëria dhe lidhur me Jeruzalemin.” Situata ishte e tmerrshme: qyteti ishte shkatërruar dhe njerëzit që kishin mbetur ishin në varfëri të madhe. Kjo e tronditi thellë Nehemian, dhe ai tha:“Sa i dëgjova këto fjalë, u ula dhe qava.”

Kur sheh diçka që ta thyen zemrën, si ndihesh? Çfarë është ajo që të shqetëson dhe ndihesh i detyruar të bësh diçka? Nehemia u ul dhe qau për gjendjen e Jerusalemit, dhe kjo ndjenjë e thellë e dhimbjes ishte hapi i parë drejt veprimit. E dyta, ai ra në gjunjë dhe iu lut Perëndisë. Ai e dinte se lutja ishte e nevojshme për të kërkuar ndihmën dhe udhëheqjen e Perëndisë.

Te Nehemia 1:4, thuhet:“Pastaj mbajta zi disa ditë me radhë, agjërova dhe u luta përpara Perëndisë të qiellit.” Nëse ndjen një shqetësim të thellë, përdore atë ndjenjë për të kërkuar udhëzim dhe ndihmë nga Perëndia përmes lutjes dhe agjërimit.

Së fundmi, Nehemia nuk qëndroi vetëm në lutje; ai veproi. Kur mbreti i kërkoi të shpjegonte kërkesën e tij, Nehemia u lut shpejt dhe tha: “Në qoftë se kjo i pëlqen mbretit dhe shërbëtori yt ka gjetur mirëdashje në sytë e tu, më lejo të shkoj në Judë, në qytetin e varreve të etërve të mi, që ta rindërtoj atë.”

Nehemia e dinte se diçka duhej bërë dhe ai mori hapa të vendosur për të realizuar atë që kishte në zemër. Pjesa më e rëndësishme është të ngrihesh dhe të veprosh, siç bëri Nehemia, pasi lutjet e tua duhet të çojnë në veprime konkrete.

Nëse ndjen një shqetësim të thellë për ndonjë situatë, lejo që ajo të ndihmojë në orientimin tënd për të bërë diçka. Ndoshta është një situatë në familjen tënde, në kishë, në lagje apo në komunitet. Çfarë mund të bësh ti? Çfarë hapi të vogël mund të ndërmarrësh për të ndihmuar dhe për të bërë një ndryshim?

Kjo është një mundësi për t’u angazhuar në “Punët e Rëndësishme.” Nëse ndjen që Perëndia po të flet, lejo që dhimbja dhe shqetësimi të udhëheqin veprimet e tua. Lutem që Perëndia të të udhëheqë në këtë udhëtim të rëndësishëm.

Le të fillojmë Punët e Rëndësishme!

Dita 2

Rreth këtij plani

Punë Të Rëndësishme!

Ideja e këtij plani është që Perëndia përdor njerëz të zakonshëm për të realizuar gjëra të jashtëzakonshme. Ky plan është për ata që besojnë se janë krijuar për të bërë diçka më shumë, për të lënë një ndikim të qëndrueshëm dhe të rëndësishëm në botë. Nëse e ke zemrën të hapur dhe je i gatshëm të angazhohesh, Perëndia do të flasë me ty gjatë këtyre katër ditëve.

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://icf.al