Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jepi Perëndisë vendin e parë.Shembull

Jepi Perëndisë vendin e parë.

DITA 3 NGA 5

“Perëndia dëshiron vendin e parë në zemrën tënde”

Në shoqërinë e sotme, shumë e vendosin vlerën e tyre mbi pasurinë, sa lart janë në “shkallën e korporatës”, sa i suksesshëm është biznesi i tyre, apo edhe thjesht se kë njohin.

Por nëse pikëpamja jonë mbi rëndësinë vendoset mbi këto gjëra, do të ndihemi mirë me veten, vetëm kur kemi sukses në këto fusha. Kur pasuria dhe suksesi të zvogëlohen, po ashtu do të zvogëlohet edhe vetëvlerësimi, pasi themeli ynë nuk është i fortë. Jezusi e përshkruan në këtë mënyrë:

“Përkundrazi, ai që e dëgjoi dhe nuk i vuri në praktikë, i ngjan njeriut që e ndërtoi shtëpinë mbi tokë, por pa themel; kur iu sul përroi, ajo u shemb menjëherë dhe rrënimi i saj qe i madh.” Luka 6:49

Identiteti ynë është po aq i fortë sa themeli mbi të cilin e vendosim atë. Ndjenja jonë e përmbushjes në jetë nuk do të varet nga ndryshimi i gjendjes së gjërave materiale, nëse e vendosim identitetin tonë mbi themelin e fortë e të sigurt të Jezus Krishtit.

Kur Krishti është themeli ynë, qëndrueshmëria jonë është kështu:

“Ai i ngjan njeriut që, kur ndërtoi shtëpinë e vet, gërmoi shumë thellë dhe e vendosi themelin mbi shkëmb. Erdhi një vërshim, përroi u sul mbi atë shtëpi, por s’e tundi dot, sepse e kishte themelin mbi shkëmb.” Luka 6:48

Mendo për një moment për zgjedhjet e shumta që ke në jetë ku mund të të duhet ta ndërtosh themelin tënd të rëndësisë. Këto mund të përfshijnë pasurinë, karrierën, pamjen, familjen, famën, pushtetin, ose atë që njeh. A ka gjëra të tjera të cilat mund t’i mendosh? Nga të gjitha gjërat mbi të cilat e vendosim identitetin tonë, vetëm Jezusi na siguron një jetë të krishterë fitimtare.

Por, nëse shqyrtojmë zgjedhjet e tjera, asnjëra prej tyre nuk është e keqe. Në fakt, në shumë aspekte, ato janë fusha shumë të rëndësishme përgjegjësie që Perëndia na ka dhënë në jetën tonë. Por në librin e Mateut, Jezusi na ndihmon të gjejmë ekuilibrin.

“Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj, për atë që do të hani ose do të pini, as për trupin tuaj, për atë që do të vishni. A nuk është vallë jeta më me vlerë se ushqimi dhe trupi më me vlerë se veshja?

Vini re zogjtë e qiellit: ata nuk mbjellin, nuk korrin dhe nuk mbledhin në hambare; megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju shumë më tepër se sa ata?” Mateu 6:25-26

Ne gjejmë paqe dhe përmbushje, pa shqetësime dhe ankth, kur e zgjidhim këtë të vërtetë në jetën tonë. Ky ekuilibër arrihet kur e vendosim Jezusin të parin në të gjitha fushat e jetës sonë.

“Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen.” Mateu 6:33

Duke qenë se Perëndia na ka krijuar që t’i kemi, të gjithë kemi ëndrra, synime dhe aspirata. Por, vendosja e Jezusit në vendin e parë duhet të të bëjë të shqyrtosh prioritetet dhe motivet e tua, se përse aspiron të bësh apo arrish gjërat që dëshiron. Kur Ai është i pari në ëndrrat dhe aspiratat e tua, e ardhmja jote do të mbushet me madhështi dhe gëzim!

Kur Perëndia sjell në vëmendjen tënde një motiv të dyshimtë, përgjigja jote më e rëndësishme duhet të jetë gatishmëria që të bësh ndryshime. Ndonjëherë ndryshimi mund të jetë i vështirë, por Perëndia ka gjithmonë në mendje më të mirën tonë dhe dëshiron që të rritesh nga ana frymërore.

Dita 2Dita 4

Rreth këtij plani

Jepi Perëndisë vendin e parë.

Dhënia e vendit të parë Perëndisë në jetën tonë, nuk është një ngjarje që ndodh vetëm një herë. . . për çdo të krishterë, ky është një proces i përjetshëm. Pavarësisht nëse je i ri në besim, apo një ndjekës “veteran” i Krishtit, ky plan është i lehtë të kuptohet dhe të zbatohet dhe është një strategji shumë efektive për një jetë të krishterë fitimtare.

More

Ne dëshirojmë të falënderojmë Twenty20 Faith, Inc. për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://www.twenty20faith.org/devotion1?lang=sq