Solid Joys ShqipShembull

Si të gjesh kënaqësi në Fjalën e Perëndisë
“Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time.” (Psalmi 119:103)
Mos ia ul kurrë vlerën krishterimit duke e kthyer në një çështje kërkesash, vendimesh dhe fuqie vullneti. Krishterimi ka të bëjë me atë që duam, me atë në të cilën gjejmë kënaqësi dhe që na shijon.
Kur Jezusi erdhi në botë, njerëzimi ishte i ndarë sipas asaj që ata donin më fort. “Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën” (Gjoni 3:19). I drejti dhe i ligu ndahen aty ku gjejnë kënaqësi–kënaqësi në zbulesën e Perëndisë te Jezusi apo në mënyrën si bota jeton.
Prandaj, dikush mund të pyesë: Si mund të gjej kënaqësi në fjalën e Perëndisë? Përgjigjja ime është e dyfishtë:
- lutu për një shqisë të re shijimi në gjuhën e zemrës tënde;
- medito mbi premtimet e mrekullueshme të Perëndisë për popullin e Tij.
I njëjti psalmist që tha: “Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time” (Psalmi 119:103), tha pak më përpara: “Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd” (Psalmi 119:18). Psalmisti lutet kështu, sepse e di që të kesh sy frymërorë për të parë lavdinë, ose të kesh shqisë të shenjtë në gjuhën e zemrës, është dhuratë nga Perëndia. Askush nuk ka një uri të natyrshme, askush nuk gjen kënaqësi të natyrshme në Perëndinë dhe në urtësinë e Tij.
Por kur të jesh lutur, në fakt ndërsa lutesh, medito mbi përfitimet, që Perëndia i premton popullit të Tij. Medito mbi gëzimin që ke kur Perëndia i Plotfuqishëm është ndihmësi yt, tani e përjetë. Psalmi 1:3-4 thotë se personi që mediton mbi fjalën e Perëndisë “do të jetë si një dru i mbjellë përgjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e vet në stinën e vet dhe që gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi. Nuk janë të tillë të pabesët; janë si byku që era e shpërndan.”
Kush nuk do të kënaqej të lexonte një libër, i cili do ta ndryshonte atë njeri nga një byk i padobishëm në një cedër të fuqishëm, nga një shkurre në një arrë? Thellë-thellë askush nuk dëshiron të jetë byk—pa rrënjë, pa peshë, pa dobi. Të gjithë ne duam të marrim fuqi nga një lumë i thellë realiteti dhe të bëhemi njerëz të frytshëm dhe të dobishëm.
Fjala e Perëndisë është ky lumë realiteti dhe të gjithë shenjtorët e mëdhenj janë bërë të mëdhenj prej tij.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione