Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 358 NGA 366

Dhurata e papërshkrueshme e Perëndisë

Sepse, ndërsa ishim armiq, u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij, aq më shumë tani, që jemi pajtuar, do të shpëtohemi nëpërmjet jetës së tij. E jo vetëm kaq, por edhe mburremi në Perëndinë, nëpërmjet Zotit tonë Jezu Krisht, me anë të të cilit tani kemi marrë pajtimin. (Romakëve 5:10-11)

Si e marrim praktikisht pajtimin dhe si mburremi në Perëndinë? Përmes Jezu Krishtit. Kjo do të thotë se e bëjmë portretin e Jezusit në Bibël, pra: veprën dhe fjalët e Jezusit të portretizuara në Dhiatën e Re, përmbajtjen thelbësore të mburrjes tonë në Perëndinë. Pa përmbajtjen e Krishtit, mburrja në Perëndinë nuk e nderon Krishtin. Dhe atje ku Krishti nuk nderohet, nuk nderohet Perëndia.

Te 2 e Korintasve 4:4-6, Pali e përshkruan kthimin në besim në dy mënyra. Në vargun 4, ai thotë se kthimi në besim është të shohësh lavdinë e Krishtit “që është shëmbëllimi i Perëndisë”. Dhe në vargun 6, ai thotë se është shikimi i “lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit”. Në të dyja rastet e dallojmë idenë. Kemi Krishtin, shëmbëllimin e Perëndisë dhe kemi Perëndinë në fytyrën e Krishtit.

Të mburremi në Perëndinë do të thotë të mburremi në atë që shohim dhe dimë për Perëndinë në portretin e Jezu Krishtit. Kjo mburrje arrin përjetimin e saj të plotë kur dashuria e Perëndisë derdhet në zemrën tonë përmes Frymës së Shenjtë, ashtu si na thotë Romakëve 5:5. Ai përjetim i ëmbël i dashurisë së Perëndisë, i dhënë nga Fryma, na përcillet gjatë meditimit tonë mbi realitetin historik të vargut 6: “Sepse, ndërsa ishim ende të dobët, Krishti vdiq në kohën e tij për të pabesët.”

Ja, pra, theksi i Krishtlindjes. Jo vetëm që Perëndia bleu pajtimin tonë me anë të vdekjes së Zotit Jezu Krisht (Romakëve 5:10), jo vetëm që na aftësoi ta pranonim pajtimin përmes Zotit Jezu Krisht, por që tani ne mburremi në vetë Perëndinë nëpërmjet Frymës, përmes Zotit tonë Jezu Krisht (Romakëve 5:11).

Jezusi bleu pajtimin tonë. Ai na aftësoi që të marrim pajtimin dhe të hapim dhuratën. Vetë Jezusi shkëlqen si dhurata e papërshkrueshme e Perëndisë–Perëndia në mish–duke nxitur gjithë mburrjen tonë në Perëndinë.

Shiko drejt Jezusit këtë Krishtlindje. Pranoje pajtimin që Ai e bleu. Mos e lër të pahapur dhuratën në raft. Edhe kur ta hapësh, kujto që vetë Perëndia është dhurata e pajtimit me Perëndinë.

Mburru në Të! Përjetoje Atë si kënaqësinë tënde. Njihe Perëndinë si thesarin tënd.

Shkrimet e Shenjta

Dita 357Dita 359

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​