Solid Joys ShqipShembull
Cili është synimi yt?
Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë... Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar nëpërmjet tij Perëndinë Atë. (1 e Korintasve 10:31; Kolosianëve 3:17)
Çfarë i thua vetes tënde kur zgjohesh në mëngjes në lidhje me shpresën që ke për atë ditë? Kur e konsideron ditën nga fillimi në fund, çfarë dëshiron të ndodhë për shkak se e jetove atë ditë?
Nëse thua: “Unë nuk mendoj fare kështu. Thjesht zgjohem dhe bëj atë që duhet të bëj,” atëherë po e shkëput veten nga një mjet bazë i hirit dhe nga një burim udhëzimi, force, frytshmërie dhe gëzimi. Në Bibël bëhet jashtëzakonisht e qartë, përfshirë edhe këto tekste, që Perëndia ka si qëllim që ne me vetëdije të synojmë diçka domethënëse në ditët tona.
Vullneti i zbuluar i Perëndisë për ty është që kur të zgjohesh në mëngjes, të mos e shtysh ditën pa një qëllim duke lejuar që rrethanat të vendosin atë që bën, por që të synosh diçka–të fokusohesh në një qëllim të caktuar. Këtu po flas për fëmijët, për adoleshentët dhe për të rriturit–për beqarët, për të martuarit, për vejanët dhe vejushat, për nënat, si dhe për çdo zanat apo profesion tjetër.
Mungesa e synimit është e ngjashme me mungesën e jetës. Gjethet e thara në oborr mund të lëvizin më shumë se çdo gjë tjetër–madje më shumë se qeni dhe fëmijët. Era fryn këndej dhe ato shkojnë këndej. Era fryn andej dhe ato shkojnë andej. Ato rrokullisen, kërcejnë, hidhen, ngjiten pas gardhit, por nuk kanë kurrfarë synimi. Ato janë plot lëvizje, por pa jetë.
Perëndia nuk i krijoi qeniet njerëzore në shëmbëllimin e Tij që të mos kishin një synim, si puna e gjetheve pa jetë, që i merr era në kopshtin e jetës. Ai na krijoi që të kishim qëllim–të kishim një përqendrim dhe një synim për të gjitha ditët tona. Cili është synimi yt sot? Cili është synimi yt për vitin e ri? Një vend i mirë ku mund të fillosh, është 1 e Korintasve 10:31: “Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë.”
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani
"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione