Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 77:1-20

Psalmet 77:1-20 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)

Zani em ashtë te Perëndia, edhe klitha: zani em ashtë te Perëndia, edhe ma vuni veshinë. Ndë ditë të shtrëngimit t’em kërkova Zotinë, shtrijshem duert’ e mia natenë, edhe s’pushoishem, shpirti em s’donte me u ngushulluem. Kuitova Perëndinë, edhe u përzieshë, u mendueshë, edhe m’ u fik fryma. Selah. Mbaita syt’ e mi pa gjumë, u përzieshë, edhe s’mundesh me folunë. Mendova ditt’ e herëshime, edhe viet e moçim. Bie ndër mend kankënë t’eme, natenë mendohem bashkë me zemrënë t’eme, edhe fryma eme kërkon. Mos ka me më hedhunë tej Zoti për gjithë jetënë, edhe s’do të më pëlqejë ma? A por mbeti për kurdo përdëllimi i ati? Pushoi fjala e ati bres mbas brezi? Vallë mos harroi Perëndia me përdëllyem? Mos ka me mbyllunë përdëllimet’ e vet ndë zemërim të vet? Selah. Ateherë thashë: Këjo ashtë dobësina eme: ndërrimi i së diathtësë të Naltit? Kam me përmendunë punët’ e Zotit, po, kam me përmendunë mërekullit’ e tua çë ndë krye të herësë. Edhe kam me shkuem ndër mend gjithë vepërat’ e tua, edhe kam me u menduem për të punuemet’ e tua. O Perëndi, udha jote ashtë ndë vend të shenjtënuem, cilli perëndi asht’ i math, si Perëndia ynë? Ti je Perëndia qi ban mërekulli, diftove fuqinë tande ndër kombet. Shpërbleve me krahinë tand popullinë tand, të bijt’ e Iakobit edhe të Iosefit. Selah. Të panë ujënate, o Perëndi, të panë ujënate, edhe u frikuenë, edhe u drothnë abyssate. Retë derthnë ujëna, qijetë dhanë za, edhe shigjetat’ e tua shkuenë. Zan’ i bubullimësë s’ate ishte ndë rrotullët, vetimate ndritnë botënë, u tund e u droth dheu. Udha jote ashtë ndëpër dhet, edhe rrugat’ e tua janë ndë shumë ujëna, edhe gjurmat’ e tua nukë ngjifenë. I hoqe udhënë popullit t’yt, porsi dhen, me dorë të Moiseut edhe të Aaronit.

Psalmet 77:1-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Me zërin tim i thërras Perëndisë, me zërin tim i drejtohem Perëndisë dhe ai më dëgjon. E kërkova Zotin ditën e fatkeqësisë sime, tërë natën i ngrita duart drejt tij pa u lodhur, por shpirti im nuk gjeti ngushëllim. Kujtoj Perëndinë e ofshaj, përsiatem e më merret fryma. selah Qepallat e syve m'i ke mbajtur hapur ti, jam i tronditur e nuk flas dot. Më kujtohen ditët e shkuara, vitet e kaluara qëmoti. Më kujtohen këngët e mia, natën mendoj në zemrën time, shpirti im kërkon të dijë. A mos ka hequr dorë Zoti përgjithmonë? Mos nuk do të na përkrahë më? Mos mori fund përgjithmonë mirësia e tij? Kaq ishte premtimi i tij brez pas brezi? Mos ka harruar Perëndia të ketë mëshirë? Mos nuk është më i dhembshur, se është i zemëruar? selah Ndaj dhe thashë: «Kjo më lëndon, se ka ndryshuar e djathta e të Tejlartit». Sjell ndër mend veprat e ZOTIT, më kujtohen mrekullitë e tij të moçme. Përsiat gjithë punët e tua, mendohem për bëmat e tua. O Perëndi, udha jote është e shenjtë, cili perëndi është i madh si Perëndia ynë? Ti je Perëndia që bën mrekulli, fuqinë tënde e shfaqe ndër popuj. Me forcën e krahut tënd e shpëtove popullin tënd, pasardhësit e Jakobit e të Jozefit. selah Të panë ujërat, o Perëndi, të panë ujërat e u tmerruan, edhe humnerat u drodhën. Retë derdhën ujërat me rrëmbim, mes tyre jehuan gjëmime dhe shigjetat e tua vërshuan. Gjëmimi yt jehoi nëpër stuhi, vetëtimat shndritën botën, toka u drodh e u trand. Nëpër det ishte udha jote, shtigjet e tua mes ujërash të shumtë dhe gjurmët e tua nuk i njihte askush.

Psalmet 77:1-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Zëri im lartohet te Perëndia dhe unë bërtas; zëri im lartohet te Perëndia dhe ai ka për të më dëgjuar. Ditën e fatkeqësisë sime kërkova Zotin; gjatë natës dora ime mbeti e nderur pa u lodhur dhe shpirti im nuk pranoi të ngushëllohet. Më kujtohet Perëndia dhe rënkoj; vajtoj dhe fryma ime dobësohet. (Sela) Ti m'i mban të hapura qepallat; jam aq i turbulluar sa nuk mund të flas. Sjell ndërmend përsëri ditët e lashta, vitet e kohëve të shkuara. Gjatë natës më kthehet në mendje kënga ime, mendoj thellë në zemrën time dhe fryma ime bën kërkime. A do të më hedhë poshtë përgjithnjë Zoti? E nuk do të më pëlqejë më kurrë? Dhe mirësia e tij ka marrë fund përgjithnjë dhe falja e tij ka munguar për brezat e ardhshme? Vallë Perëndia e ka harruar mëshirën dhe në zemërimin e tij u ka dhënë fund dhembshurive të tij? (Sela) Unë kam thënë: "Shkaku i hidhërimit tim është se dora e djathtë e Shumë të Lartit ka ndryshuar". Do t'i kujtoj veprat e Zotit; po, do të kujtoj mrekullitë e tua të kohëve të kaluara, do të mendohem thellë për gjithë veprat e tua dhe do të kem parasysh bëmat e tua. O Perëndi, jeta jote është e shenjtë; cili Perëndi është i madh si Perëndia? Ti je Perëndia që kryen mrekulli; ti ke bërë të njihet forca jote midis popujve. Me krahun tënd ke shpenguar popullin tënd, bijtë e Jakobit dhe të Jozefit. (Sela) Ujërat të panë, o Perëndi, ujërat të panë dhe u trembën; edhe humnerat u drithtuan. Retë derdhën përmbytje uji, qiejt gjëmuan dhe shigjetat e tua vepruan. Gjëmimi i bubullimës sate ishte në vorbullën, vetëtimat ndriçuan botën dhe toka u tund dhe u drodh. Ti e hape rrugën tënde në mes të detit, shtegun tënd në mes të ujërave të mëdha, dhe gjurmët e tua nuk u njohën. Ti e udhëheq popullin tënd si një kope me dorën e Moisiut dhe të Aaronit.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë