Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 77:1-20

Psalmet 77:1-20 ALBB

Zëri im lartohet te Perëndia dhe unë bërtas; zëri im lartohet te Perëndia dhe ai ka për të më dëgjuar. Ditën e fatkeqësisë sime kërkova Zotin; gjatë natës dora ime mbeti e nderur pa u lodhur dhe shpirti im nuk pranoi të ngushëllohet. Më kujtohet Perëndia dhe rënkoj; vajtoj dhe fryma ime dobësohet. (Sela) Ti m'i mban të hapura qepallat; jam aq i turbulluar sa nuk mund të flas. Sjell ndërmend përsëri ditët e lashta, vitet e kohëve të shkuara. Gjatë natës më kthehet në mendje kënga ime, mendoj thellë në zemrën time dhe fryma ime bën kërkime. A do të më hedhë poshtë përgjithnjë Zoti? E nuk do të më pëlqejë më kurrë? Dhe mirësia e tij ka marrë fund përgjithnjë dhe falja e tij ka munguar për brezat e ardhshme? Vallë Perëndia e ka harruar mëshirën dhe në zemërimin e tij u ka dhënë fund dhembshurive të tij? (Sela) Unë kam thënë: "Shkaku i hidhërimit tim është se dora e djathtë e Shumë të Lartit ka ndryshuar". Do t'i kujtoj veprat e Zotit; po, do të kujtoj mrekullitë e tua të kohëve të kaluara, do të mendohem thellë për gjithë veprat e tua dhe do të kem parasysh bëmat e tua. O Perëndi, jeta jote është e shenjtë; cili Perëndi është i madh si Perëndia? Ti je Perëndia që kryen mrekulli; ti ke bërë të njihet forca jote midis popujve. Me krahun tënd ke shpenguar popullin tënd, bijtë e Jakobit dhe të Jozefit. (Sela) Ujërat të panë, o Perëndi, ujërat të panë dhe u trembën; edhe humnerat u drithtuan. Retë derdhën përmbytje uji, qiejt gjëmuan dhe shigjetat e tua vepruan. Gjëmimi i bubullimës sate ishte në vorbullën, vetëtimat ndriçuan botën dhe toka u tund dhe u drodh. Ti e hape rrugën tënde në mes të detit, shtegun tënd në mes të ujërave të mëdha, dhe gjurmët e tua nuk u njohën. Ti e udhëheq popullin tënd si një kope me dorën e Moisiut dhe të Aaronit.