Psalmet 73:16-28
Psalmet 73:16-28 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
U mendueshë me kupëtuem këtë, por m’u duk e randë ndër sy. Deri sa hyna ndë shenjtënoren’ e Perëndisë, atëherë kupëtova të mbrapmet’ e atyne. Por ti vune ata ndë vende rrëshqiza, i hodhe ndë rrëpina. Qysh u banë përnjiherë të shkretë! U shuenë, u vdornë për pa-udhënin’ e vet. Porsi andërrën’ e ati qi sqohetë, o Zot, kur të ngrihesh, ke me prishunë shëmbëllesën’ e atyneve. Kështu digjei zemëra eme, edhe mundoheshinë veshnjet’ e mia. Edhe un’ ishiem pa mend, edhe nukë ngjifshiem, ishiem shtasë përpara teje. Por unë jam përherë bashkë me tyi, ti më zune prei dorësë diathtë. Me anë të këshillësë s’ate ke me më hiekun’ udhënë, edhe mbasandai ke me më marrë ndë lavdi. Ke kam ndë qiell? Edhe mbë dhet s’due tietërë veç teje. S’më mbeti mish e zemërë, Perëndia ashtë fuqia e zemrësë s’eme, edhe piesa eme për gjithë jetënë. Sepse qe te kanë me u vdierrë ata qi largohenë prei teje, ti rrenove gjith’ ataqi dalinë jashtë udhësë s’ate tue kurvënuem. Por për mue, të ngjitunitë mbas Perëndisë asht’ e mira eme, vuna shpëresënë t’eme mbë Zotinë Perëndinë, për me diftuem gjithë punët’ e tua.
Psalmet 73:16-28 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
U përpoqa ta kuptoj këtë, por m'u errën sytë. Vetëm kur hyra në shenjtëroren e Perëndisë, vetëm atëherë e kuptova fundin e tyre. Ja, i ke vendosur në vend të rrëshqitshëm, i plandose në rrënim. Si u shkatërruan kështu përnjëherë! U sosën e morën fund me tmerr! Si ëndrrën e atij që zgjohet, o Zot, ashtu do ta përçmosh në agim pamjen e tyre. Kur më hidhërohej zemra, e veshkat më thernin, isha i marrë e nuk kuptoja, para teje isha si kafshë. Por ja, unë jam gjithmonë me ty, ti më mban dorën e djathtë. Ti më udhëheq me këshillat e tua, e pastaj do të më marrësh me lavdi. Kë tjetër kam unë në qiell? Veç teje, mbi tokë, s'dua tjetër. Më janë ligështuar trupi e zemra, por shkëmbi i zemrës sime dhe trashëgimia ime është Perëndia në amshim. Ja, ata që janë larg teje do të shfarosen, ti i zhbin të gjithë ata që të tradhtojnë. Por për mua është mirë të qëndroj pranë Perëndisë, të kërkoj strehë te ZOTI, Zoti im, për t'i shpallur të gjitha veprat e tij.
Psalmet 73:16-28 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atëherë kërkova ta kuptoj këtë gjë, por ajo m'u duk shumë e vështirë. Derisa hyra në shenjtëroren e Perëndisë dhe mora parasysh fundin e tyre. Me siguri, ti i vë në vende të rrëshqitshme dhe kështu i bën që të bien në shkatërrim. Si u shkatërruan në një çast! Ata vdiqën të konsumuar nga tmerri! Ashtu si në një ëndërr, kur zgjohesh, kështu edhe ti, o Zot, kur të zgjohesh, do të përbuzësh pamjen e tyre të kotë. Kur zemra ime acarohej dhe e ndieja veten sikur më shponin nga brenda, unë isha pa mend dhe pa kuptim; para teje isha si një kafshë. Por megjithatë unë jam gjithnjë me ty; ti më ke kapur nga dora e djathtë. Ti do të më udhëheqësh me këshillën tënde dhe do të më çosh pastaj në lavdi. Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje. Mishi im dhe zemra ime mund të ligështohen, por Perëndia është kështjella e zemrës sime dhe pjesa ime në përjetësi. Sepse ja, ata që largohen prej teje do të vdesin; ti shkatërron tërë ata që, duke kurvëruar, largohen prej teje. Por sa për mua, e mira është t'i afrohem Perëndisë; e kam bërë Zotin tim, Zotin, strehën time, për të treguar gjithë veprat e tua.