Psalmet 32:1-11
Psalmet 32:1-11 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
Lum kuit iu ndëjye pa-udhënia, edhe iu mbulue faji. Lum ai njeri, qi s’i numëron faj Zoti, edhe s’ka gënjeshtrë ndë frymët t’ati. Kur pushova, u vietëruenë eshtënat’ e mia prei klithmësë s’eme gjithë ditënë, sepse nat’ e ditë u randue dora jote mbi mue, lagësina eme u këthye mbë thatësinë vere. Selah. Të dëfteva fajinë t’em, edhe s’mpëshefa pa-udhëninë t’eme; thashë: Kam me i rëfyem Zotit pa-udhëniat’ e mia: edhe ti fale pa-udhënin’ e fajit t’em. Selah. Përandai qish do i dreitë ka me t’u falunë ndë kohë qi duhetë, por ndë përmbytëje shumë ujënash, s’kanë me i prekun’ ati. Ti je mpshtetëja eme, ke me më rueitunë prei shtrëngimit, ke me më qarkuem me gëzim shpëtimi. Selah. Unë kam me të dhanë mend, edhe kam me të mësuem nd’atë udhë qi duhetë me ecunë: kam me të këshilluem, syni emka me qenunë mbë tyi. Mos u bani si kalë, a si mushkë, qi s’kanë mend, të cillavet goja duhetë me u mbaitunë me gojëzë e me fre, tietrazi s’kishinë me u afëruem te ti. Thuprat’ e të pa-besit janë shumë, por atë qi shpëren mbë Zotinë, ka me e qarkuen përdëllim. Gëzohi për Zotinë, edhe gazmohi, o të dreitë, edhe brohorini, ju gjithë zemërë-dreitëtë.
Psalmet 32:1-11 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Lum kujt iu fal faji, që mëkati iu mbulua. Lum njeriu, që ZOTI nuk e gjykon fajtor, në shpirtin e të cilit nuk ka dredhi. Unë heshtja e kockat po më treteshin, rënkoja gjithë ditën. Dora jote rëndonte mbi mua ditë e natë, fuqia po më mpakej si në zhegun e verës. selah Atëherë të dëfteva mëkatin tim e fajin tim nuk ta fsheha. Thashë: «Do t'ia rrëfej paudhësitë ZOTIT»; ti e fale fajin e mëkatin tim. selah Le të të lutet për këtë çdo besnik në kohë mundimesh të mëdha dhe vërshimi i ujërave përmbytës nuk ka për ta zënë. Ti je vendstrehimi im, ti më ruan prej fatkeqësisë e me brohori shpëtimi më rrethon. selah «Do të të jap mençuri e udhën, ku duhet të ecësh, do të ta mësoj, do të të jap këshilla e sytë mbi ty do t'i mbaj». Mos u bëni si kali a si mushka, që s'kanë mend, kapistër e fre lypset për t'i mbajtur, që mos të të afrohen. Të shumta janë mundimet e të paudhit, por kush beson në ZOTIN rrethohet me mirësi. Gëzohuni në ZOTIN e ngazëlleni, o të drejtë! Brohoritni të gjithë ju, o zemërdrejtë!
Psalmet 32:1-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Lum ai të cilit i kanë falur shkeljen, ai të cilit i kanë mbuluar mëkatin! Lum ai njeri të cilin Zoti nuk e padit për paudhësi dhe në frymën e të cilit nuk ka vend mashtrimi. Ndërsa po heshtja, kockat e mia treteshin midis rënkimeve që kisha tërë ditën. Sepse ditë e natë dora jote rëndonte mbi mua, fuqia ime i përngjante thatësisë së verës. (Sela) Para teje pranova mëkatin tim, nuk e fsheha paudhësinë time. Thashë: "Do t'ia rrëfej shkeljet e mia Zotit", dhe ti e ke falur paudhësinë e mëkatit tim. (Sela) Prandaj çdo njeri i përshpirtshëm do të të thërrasë në kohën që mund të gjendesh; edhe sikur ujërat e mëdha të vërshojnë, ato nuk do të arrijnë deri tek ai. Ti je vendi im i strehimit, ti do të më ruash nga fatkeqësia, ti do të më rrethosh me këngë çlirimi. (Sela) Unë do të të edukoj dhe do të të mësoj rrugën, nëpër të cilën duhet të ecësh; unë do të të këshilloj dhe do ta mbaj syrin tim mbi ty. Mos u bëni si kali dhe si mushka që nuk kanë mend, goja e të cilëve duhet të mbahet me fre dhe me kapistër, përndryshe nuk të afrohen. Të shumta janë dhembjet e të pabesit, por ai që ka besim tek Zoti do të rrethohet nga mirësia e tij. Gëzohuni tek Zoti dhe ngazëlloni, o njerëz të drejtë; lëshoni britma gëzimi, ju të gjithë, o njerëz me zemër të drejtë.