Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 22:1-31

Psalmet 22:1-31 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)

Perëndia em, Perëndia em, përse hoqe dorë prei meje? Përse rri lark prei shpëtimit t’em, edhe prei fjalëvet shamtimavet mia? Perëndia em, thërres ditën’, e nukë ndëgjon, edhe natën’ e s’kam pushim. Por ti je Shenjti, i cilli rri ndërmiet lavdimevet Israelit. Atënitë tanë shpëryenë mbë tyi, shpëryemë, edhe i rueite. Klithnë mbë tyi, edhe shpëtuenë; shpëryenë mbë tyi, edhe s’u turpënuenë. Por unë jam krymp, e jo njeri, shpërderim njerëzish, edhe të përqeshunë populli. Gjithë sa më shofinë, më përdredhinë buzëtë, flasinë me buzë, tundinë kryetë, tue thanë: Shpëreu mbë Zotinë, le ta lirojë, le ta shpëtojë, sepse e do. Por ti je ai qi më shkite prei barkut, shpëresa eme çë prei sisavet amësë s’eme. Mbë tyi u hodha prei shtratit barkut: ti je Perëndia em çë prei barkut amësë s’eme. Mos u largo prei meje, sepse shtrëngimi ashtë ngjat, se s’ka kush me më ndimuem. Shumë dema më qarkuenë, mëzetën të fortë prei Bashanit më rrethuenë. Hapnë gojën’ e vet mbë mue, porsi leoni kur rrëmben e nguron. U derdha porsi ujë, edhe gjith’ eshtënat’ e mia u sbërthyenë, zemëra eme u ba porsi qiri, tretunë ndë miedis të zorrëvet mia. Fuqia eme u tha porsi guacë, edhe gjuha eme u ngjit ndë gurrmast t’em, edhe ti më sdrype ndë baltë të vdekësë. Sepse më qarkuenë qen, përmbëledhëje të këqijsh më rrethuenë, shpuenë duert’ e mia edhe kambët’ e mia. Mundem me ngjefunë gjith’ eshtënat’ e mia, këta më shtinë syt’ e më shikojënë. Danë petëkat’ e mia për vetëvetëhet, edhe shtinë shortë mbë petkunë t’em. Por ti, o Zot, mos u largo prei meje, ti, o fuqia eme, nxito me më ndimuem. Shpëto shpirtinë t’em prei shpate, të vetëminë t’em prei shputësë qenit. Shpëto-më prei gojësë leonit, edhe ndëgjomë me më shpëtuem prei brish bri-vetëmish. Kam me diftuem emëninë tand vëllazënavet mi, kam me të lavduem ndë miedis të përmbëledhëjesë. Ju qi kini frikë Zotinë, lavduroni atë, gjithë fara e Iakobit, lavdoni atë, edhe kini frikë atë, gjithë fara e Israelit. Se nukë hodhi poshtë, edhe nuk’ i u randue shtrëngimi i të shtrëngutit, edhe nukë mpëshefi faqen’ e vet prei ati, por kur thërriti mb’atë, e ndëgjoi. Lavdimi em ka me u rrëfyem prei teje ndë përmbëledhëje të madhe, kam me dhanë uratat’ e mia përpara atyneve qi kanë frikë atë. Të vobegëtë kanë me ngranë, edhe kanë me u ngimë; ata qi kërkojën’ atë, kanë me lavduruem Zotinë, zemëra juei ka me rruem për gjithë jetënë. Gjithë kantet’ e dheut kanë me u kuituem, edhe kanë me u këthyem te Zoti, edhe gjithë farat’ e kombevet kanë me lutunë përpara teje. Se mbretënia asht’e Zotit, edhe ai zotënon mbi kombet. Gjithë të maimit’ e dheut kanë me ngranë, edhe kanë me lutunë, gjith’ ata qi sdrypinë ndë baltë, kanë me ranë mbë gjunjë përpara ati, edhe askush nukë mundetë me rueitunë jetën’ e vet. Farat’ e atyneve kanë me i shërbyem, kanë me u ngjefunë te Zoti për bres. Kanë me ardhun’ e kanë me diftuem dreitënin’ e ati te nji popull qi ka me lemë, se Ai bani këte.

Psalmet 22:1-31 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Perëndi, Perëndia im, përse më braktise? Pse rri larg pa më ndihmuar e fjalët e rënkimit tim nuk i dëgjon? O Perëndia im, të thërras ditën, por nuk më përgjigjesh, edhe natën e prehje nuk gjej. Ti, pra, je i Shenjti, ai që përlëvdon Izraeli. Te ti shpresuan etërit tanë, te ti shpresuan e i çlirove. Ty të thirrën e shpëtuan, te ti shpresuan e nuk u turpëruan. Krimb e jo njeri jam unë, turp për njerëzit, tallje për popullin. Më shohin e tallen me mua, shtrembërojnë buzët e kokat tundin. «T'i drejtohet ZOTIT», thonë, «le ta çlirojë, ta shpëtojë, meqë e dashka». Ti më nxore nga barku amënor, shpresa ime ti ishe që në gji të nënës sime. Ty t'u dorëzova sapo linda, që në bark të nënës Perëndia im je ti. Mos u largo prej meje! Po afron pikëllimi e nuk ka kush të më ndihmojë. Më kanë rrethuar dema të shumtë, buajt e Bashanit më kanë vënë në mes. Kanë hapur gojën kundër meje, si luani që shqyen e ulërin. Jam derdhur si uji, eshtrat më janë shpërbërë krejt, zemra më është shkrirë si dylli, më është tretur brenda kraharorit. Fuqia më është tharë si tjegulla e gjuha më është ngjitur për qiellze, më ke hedhur në pluhurin e vdekjes. Më kanë rrethuar qentë e lukuni keqbërësish më kanë vënë në mes, duart e këmbët m'i kanë shpuar. Të gjitha kockat më numërohen, m'i kanë ngulur sytë e më vështrojnë. I ndanë rrobat e mia mes tyre e për petkun tim hodhën short. Por ti, o ZOT, mos më rri larg, o fuqia ime, shpejto e më ndihmo. Shpëtoma jetën prej shpatës, prej putrave të qenit të vetmen jetë që kam. Shpëtomë prej gojës së luanit, prej brirëve të buajve të egër. E, pra, ti më je përgjigjur! Do t'ua shpall emrin tënd vëllezërve të mi, në mes të bashkësisë do të të përlëvdoj. O ju që e druani ZOTIN, lavdërojeni, të gjithë ju pasardhës të Jakobit nderojeni, të gjithë ju pasardhës të Izraelit kini frikë prej tij. Mjerimin e skamnorit nuk e përbuzi dhe nuk e shpërfilli, fytyrën prej tij nuk e fshehu, por kërkesën e tij për ndihmë e dëgjoi. Prej teje vjen lavdi im në bashkësinë e madhe, para atyre që të druajnë do t'i përmbush zotimet e mia. Skamnorët do të hanë e do të ngihen, ata që e kërkojnë ZOTIN do ta përlëvdojnë. Zemra e tyre rroftë në amshim! Do të kujtohen e te ZOTI do të kthehen mbarë skajet e tokës, para tij do të përkulen tërë familjet e popujve. Se ZOTIT i përket mbretërimi, ai është sundimtari i kombeve. Para tij do të përkulen të gjithë fisnikët e dheut e do të ngihen, para tij do të bien në gjunjë të gjithë të dheshmit, shpirti i të cilëve nuk do të jetojë. Pasardhësit do t'i shërbejnë atij, brezit të ardhshëm do t'i flitet për Zotin.

Psalmet 22:1-31 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur? Pse më rri kaq larg dhe nuk vjen të më çlirosh, duke dëgjuar fjalët e ofshamës sime? O Perëndia im, unë bërtas ditën, por ti nuk përgjigjesh, edhe natën unë nuk rri në heshtje. Megjithatë ti je i Shenjti, që banon në lëvdimet e Izraelit. Etërit tonë kanë pasur besim te ti; kanë pasur besim te ti dhe ti i ke çliruar. Të klithën ty dhe u çliruan; patën besim te ti dhe nuk u zhgënjyen. Por unë jam një krimb dhe jo një njeri; turpi i njerëzve dhe përçmimi i popullit. Tërë ata që më shohin më përqeshin, zgjatin buzën dhe tundin kokën, duke thënë: "Ai i ka besuar Zotit; le ta çlirojë, pra, ta ndihmojë, mbasi e do". Me siguri ti je ai që më nxori nga barku i nënës; bëre që të kem besim te ti qysh nga koha kur pushoja mbi gjinjtë e nënës sime. Unë u braktisa te ti qysh nga lindja ime; ti je Perëndia im qysh nga barku i nënës sime. Mos u largo nga unë, sepse ankthi është i afërt, dhe nuk ka asnjë që të më ndihmojë. Dema të mëdhenj më kanë rrethuar, dema të fuqishëm të Bashanit më rrinë përqark; ata hapin gojën e tyre kundër meje, si një luan grabitqar që vrumbullit. Më derdhin si ujë dhe tërë kockat e mia janë të ndrydhura; zemra ime është si dylli që shkrihet në mes të zorrëve të mia. Forca ime është tharë si një enë balte dhe gjuha ime është ngjitur te qiellza; ti më ke vënë në pluhurin e vdekjes. Sepse qentë më kanë rrethuar, një grup keqbërësish më rri rrotull; më kanë shpuar duart dhe këmbët. Unë mund t'i numëroj gjithë kockat e mia; ato më shikojnë dhe më këqyrin. Ndajnë midis tyre rrobat e mia dhe hedhin në short tunikën time. Por ti, o Zot, mos u largo; ti që je forca ime, nxito të më ndihmosh. Çliroje jetën time nga shpata, jetën time të vetme nga këmba e qenit. Shpëtomë nga gryka e luanit dhe nga brirët e buajve. Ti m'u përgjigje. Unë do t'u njoftoj emrin tënd vëllezërve të mi, do të të lëvdoj në mes të kuvendit. Ju që keni frikë nga Zoti, lëvdojeni; dhe ju të gjithë, pasardhës të Jakobit, përlëvdojeni; dhe ju të gjithë, o fis i Izraelit, kini frikë nga ai. Sepse ai nuk ka përçmuar as nuk ka hedhur poshtë vuajtjen e të pikëlluarit, dhe nuk i ka fshehur fytyrën e tij; por kur i ka klithur atij, ai e ka kënaqur. Shkaku i lëvdimit tim në kuvendin e madh je ti; unë do t'i plotësoj zotimet e mia në prani të të gjithë atyre që kanë frikë nga ti. Nevojtarët do të hanë dhe do të ngopen; ata që kërkojnë Zotin do ta lëvdojnë; zemra juaj do të jetojë përjetë. Të gjitha skajet e tokës do ta mbajnë mend Zotin dhe do të kthehen tek ai; dhe të gjitha familjet e kombeve do të adhurojnë përpara teje. Sepse Zotit i përket mbretëria dhe ai sundon mbi kombet. Gjithë të pasurit e dheut do të hanë dhe do të të adhurojnë; të gjithë ata që zbresin në pluhur dhe që nuk arrijnë të mbahen gjallë do të përkulen para teje. Pasardhësit do t'i shërbejnë; do t'i flitet për Zotin brezit të ardhshëm. Ata do të vijnë dhe do t'i shpallin drejtësinë e tij një populli që nuk ka lindur akoma, dhe që ai vetë e ka krijuar.

Psalmet 22:1-31

Psalmet 22:1-31 ALBB

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë