Psalmet 22
22
1Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë «Drenusha e agimit». Psalm i Davidit.
2Perëndi, Perëndia im,
përse më braktise?
Pse rri larg pa më ndihmuar
e fjalët e rënkimit tim nuk i dëgjon?
3O Perëndia im, të thërras ditën,
por nuk më përgjigjesh,
edhe natën e prehje nuk gjej.
4Ti, pra, je i Shenjti,
ai që përlëvdon Izraeli.
5Te ti shpresuan etërit tanë,
te ti shpresuan e i çlirove.
6Ty të thirrën e shpëtuan,
te ti shpresuan e nuk u turpëruan.
7Krimb e jo njeri jam unë,
turp për njerëzit, tallje për popullin.
8Më shohin e tallen me mua,
shtrembërojnë buzët e kokat tundin.
9«T'i drejtohet Zotit», thonë, «le ta çlirojë,
ta shpëtojë, meqë e dashka».
10Ti më nxore nga barku amënor,
shpresa ime ti ishe
që në gji të nënës sime.
11Ty t'u dorëzova sapo linda,
që në bark të nënës Perëndia im je ti.
12Mos u largo prej meje! Po afron pikëllimi
e nuk ka kush të më ndihmojë.
13Më kanë rrethuar dema të shumtë,
buajt e Bashanit më kanë vënë në mes.
14Kanë hapur gojën kundër meje,
si luani që shqyen e ulërin.
15Jam derdhur si uji,
eshtrat më janë shpërbërë krejt,
zemra më është shkrirë si dylli,
më është tretur brenda kraharorit.
16Fuqia më është tharë si tjegulla
e gjuha më është ngjitur për qiellze,
më ke hedhur në pluhurin e vdekjes.
17Më kanë rrethuar qentë
e lukuni keqbërësish më kanë vënë në mes,
duart e këmbët m'i kanë shpuar.
18Të gjitha kockat më numërohen,
m'i kanë ngulur sytë e më vështrojnë.
19I ndanë rrobat e mia mes tyre
e për petkun tim hodhën short.
20Por ti, o Zot, mos më rri larg,
o fuqia ime, shpejto e më ndihmo.
21Shpëtoma jetën prej shpatës,
prej putrave të qenit të vetmen jetë që kam.
22Shpëtomë prej gojës së luanit,
prej brirëve të buajve të egër.
E, pra, ti më je përgjigjur!
23Do t'ua shpall emrin tënd vëllezërve të mi,
në mes të bashkësisë do të të përlëvdoj.
24O ju që e druani Zotin, lavdërojeni,
të gjithë ju pasardhës të Jakobit nderojeni,
të gjithë ju pasardhës të Izraelit kini frikë prej tij.
25Mjerimin e skamnorit nuk e përbuzi dhe nuk e shpërfilli,
fytyrën prej tij nuk e fshehu,
por kërkesën e tij për ndihmë e dëgjoi.
26Prej teje vjen lavdi im në bashkësinë e madhe,
para atyre që të druajnë do t'i përmbush zotimet e mia.
27Skamnorët do të hanë e do të ngihen,
ata që e kërkojnë Zotin do ta përlëvdojnë.
Zemra e tyre rroftë në amshim!
28Do të kujtohen e te Zoti do të kthehen
mbarë skajet e tokës,
para tij do të përkulen
tërë familjet e popujve.
29Se Zotit i përket mbretërimi,
ai është sundimtari i kombeve.
30Para tij do të përkulen të gjithë fisnikët e dheut
e do të ngihen,
para tij do të bien në gjunjë të gjithë të dheshmit,
shpirti i të cilëve nuk do të jetojë.
31Pasardhësit do t'i shërbejnë atij,
brezit të ardhshëm do t'i flitet për Zotin.
32Do të vijnë e do t'i dëftojnë drejtësinë e tij
një populli që po lind, se kjo është vepra e tij.
Aktualisht i përzgjedhur:
Psalmet 22: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020