Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 135:1-21

Psalmet 135:1-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Aleluja. Lëvdoni emrin e Zotit, lëvdojeni, o shërbëtorë të Zotit, që rrini në shtëpinë e Zotit, në oborret e shtëpisë së Perëndisë tonë. Lëvdoni Zotin, sepse Zoti është i mirë; i këndoni lavde emrit të tij, sepse ai është i dashur. Sepse Zoti ka zgjedhur për vete Jakobin, dhe Izraelin si thesar të tij të veçantë. Po, unë pranoj që Zoti është i madh dhe që Zoti ynë është përmbi të gjitha perënditë. Zoti bën ç'të dojë në qiell dhe në tokë, në dete dhe në të gjitha humnerat. Ai i larton avujt nga skajet e tokës, prodhon vetëtimat për shiun, e nxjerr erën nga depozitat e tij. Ai i goditi të parëlindurit e Egjiptit, si të njerëzve ashtu edhe të kafshëve, dërgoi shenja dhe mrekulli në mes teje, o Egjipt, mbi Faraonin dhe mbi të gjithë shërbëtorët e tij. Ai goditi kombe të mëdha dhe vrau mbretër të fuqishëm: Sionin, mbretin e amorenjve, Ogun, mbretin e Bashanit, dhe tërë mbretëritë e Kanaanit. Dhe vendet e tyre ua dhe në trashëgimi, në trashëgimi Izraelit, popullit të tij. O Zot, emri yt rron përjetë; kujtimi yt, o Zot, brez pas brezi. Sepse Zoti do t'i sigurojë drejtësinë popullit të tij dhe do të ketë mëshirë për shërbëtorët e tij. Idhujt e kombeve janë argjendi dhe ari, vepra të dorës së njeriut; kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin, kanë veshë por nuk dëgjojnë; nuk kanë frymë në gojën e tyre. Të ngjashëm me ta janë ata që i bëjnë, kushdo që ka besim tek ata. Shtëpi e Izraelit, bekoje Zotin; shtëpi e Aaronit, bekoje Zotin. Shtëpi e Levit, bekoje Zotin; ju që keni frikë nga Zoti, bekojeni Zotin. Nga Sioni u bekoftë Zoti, që banon në Jeruzalem. Aleluja.

Psalmet 135:1-21 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)

Alleluia. Lavduroni emënin’ e Zotit, lavduroni, ju shërbëtorët’ e Zotit, qi rrini ndë shtëpi të Zotit, ndë oborre të shtëpisë Perëndisë t’onë. Lavduroni Zotinë, se Zoti asht’ i mirë; psallni emënit ati, se ashtë mirë. Se Zoti sgjodhi Iakobinë për vete, Israelinë për thesoren’ e vet. Sepse un’ e ngjofta, se Zoti asht’ i math, edhe Zoti ynë ashtë përmbi gjithë perëndinat. Zoti bani gjithë sa deshi ndë qiellt e ndë dhet, ndë detënat e ndë gjith’ abyssat. Hipën retë prei kantevet dheut, ban vetima për shi, nxier erëna prei thesorevet veta. I cilli vrau para-lindësit’ e Misirit, çë prei njeriu ngjer mbë bagëtinë, dërgoi shenje e punë të frikshime ndë miedis tand, o Misirë, mbi Faraonë, edhe mbi gjithë shërbëtorët e ati. I cilli u ra kombeve të mëdhej, edhe vrau mbëretën të fortë: Sionë mbëretin’ e Amorevet, edhe Ogunë mbëretin’ e Bashanit, edhe gjithë mbëretëniat’ e Hanaanit, edhe dha dhen’ e atyne trashigim, trashigim mbë Israelinë popullin’ e vet. O Zot, emëni yt ashtë për gjithë jetënë, edhe të përmendunitë t’at bres mbas brezi, o Zot. Se Zoti ka me gjukuem popullin’ e vet, edhe ka me u ngushëlluem për shërbëtorët e vet. Idhujt’ e kombevet janë argjand e ar, punë duersh njeriu. Gojë kanë, e nukë flasinë, sy kanë e nukë shofinë, veshë kanë e nukë gjegjenë, as kanë frymë ndë gojët t’atyne. Porsi ato u bafshin’ ata qi bajën’ ato, kushdo qi ka shpëresë mb’ato! O shtëpi e Israelit, bekoni Zotinë; o shtëpi e Aaronit, bekoni Zotinë; o shtëpi e Leviut, bekoni Zotinë; ju qi keni frikë Zotinë, bekoni Zotinë. I bekuem qoftë Zoti prei Sionet, ai qi rri ndë Ierusalemë. Alleluia.

Psalmet 135:1-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Aleluja! Lavdëroni emrin e ZOTIT, lavdërojeni, o shërbëtorë të ZOTIT, ju që rrini në shtëpinë e ZOTIT, në oborret e shtëpisë së Perëndisë sonë. Lavdërojeni ZOTIN, se ZOTI është i mirë, këndojini emrit të tij, se është i ëmbël. ZOTI e ka zgjedhur Jakobin për vete, Izraelin si thesarin e tij të çmuar. Unë e di mirë se ZOTI është i madh, se Zoti ynë është mbi gjithë perënditë. ZOTI bën gjithçka do, në qiej e mbi tokë, nëpër dete e në çdo thellësi. Retë i ngre lart nga skajet e tokës, bën vetëtimat për shiun, erën nga drithnikët e tij e nxjerr. Ai i vrau të parëlindurit e Egjiptit, si të njerëzve dhe të kafshëve. Shenja e mrekulli bëri te ti, o Egjipt, para faraonit e gjithë shërbëtorëve të tij. Shfarosi kombe të shumtë, vrau mbretër të fuqishëm, Sihonin, mbretin e amoritëve, dhe Ogun, mbretin e Bashanit, gjithë mbretëritë e Kanaanit. Tokën e tyre e dha trashëgim, trashëgim Izraelit, popullit të vet. O ZOT, emri yt mbetet përjetë, kujtimi yt, o ZOT, brez pas brezi. ZOTI bën drejtësi për popullin e tij dhe me shërbëtorët e vet është i mëshirshëm. Idhujt e kombeve janë argjend e ar, vepër e dorës së njeriut. Kanë gojë, por nuk flasin, kanë sy, por nuk shikojnë, kanë veshë, por nuk dëgjojnë, e me gojë nuk marrin frymë. Ashtu qofshin edhe ata që i bëjnë, të gjithë sa kanë besim në ta. Bekoje ZOTIN, o shtëpi e Izraelit, bekoje ZOTIN, o shtëpi e Aronit! Bekoje ZOTIN, o shtëpi e Levit, bekojeni ZOTIN, ju që druani ZOTIN! Bekuar qoftë ZOTI prej Sionit, ai që banon në Jerusalem! Aleluja!