Aleluja! Lavdëroni emrin e ZOTIT,
lavdërojeni, o shërbëtorë të ZOTIT,
ju që rrini në shtëpinë e ZOTIT,
në oborret e shtëpisë së Perëndisë sonë.
Lavdërojeni ZOTIN, se ZOTI është i mirë,
këndojini emrit të tij, se është i ëmbël.
ZOTI e ka zgjedhur Jakobin për vete,
Izraelin si thesarin e tij të çmuar.
Unë e di mirë se ZOTI është i madh,
se Zoti ynë është mbi gjithë perënditë.
ZOTI bën gjithçka do,
në qiej e mbi tokë, nëpër dete e në çdo thellësi.
Retë i ngre lart nga skajet e tokës,
bën vetëtimat për shiun,
erën nga drithnikët e tij e nxjerr.
Ai i vrau të parëlindurit e Egjiptit,
si të njerëzve dhe të kafshëve.
Shenja e mrekulli bëri te ti, o Egjipt,
para faraonit e gjithë shërbëtorëve të tij.
Shfarosi kombe të shumtë,
vrau mbretër të fuqishëm,
Sihonin, mbretin e amoritëve,
dhe Ogun, mbretin e Bashanit,
gjithë mbretëritë e Kanaanit.
Tokën e tyre e dha trashëgim,
trashëgim Izraelit, popullit të vet.
O ZOT, emri yt mbetet përjetë,
kujtimi yt, o ZOT, brez pas brezi.
ZOTI bën drejtësi për popullin e tij
dhe me shërbëtorët e vet është i mëshirshëm.
Idhujt e kombeve janë argjend e ar,
vepër e dorës së njeriut.
Kanë gojë, por nuk flasin,
kanë sy, por nuk shikojnë,
kanë veshë, por nuk dëgjojnë,
e me gojë nuk marrin frymë.
Ashtu qofshin edhe ata që i bëjnë,
të gjithë sa kanë besim në ta.
Bekoje ZOTIN, o shtëpi e Izraelit,
bekoje ZOTIN, o shtëpi e Aronit!
Bekoje ZOTIN, o shtëpi e Levit,
bekojeni ZOTIN, ju që druani ZOTIN!
Bekuar qoftë ZOTI prej Sionit,
ai që banon në Jerusalem! Aleluja!