Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 132:1-18

Psalmet 132:1-18 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)

Kujto, o Zot, Davidinë, edhe gjithë mundimet’ e ati, si bani be mbë Zotinë, edhe bani uratë mbë të fortinë Perëndin’ e Iakobit: S’kam me hymë ndë tendët të shtëpisë s’eme, s’kam me hipunë ndë shtrat të shtresësë s’eme, s’kam me u dhanë gjumë syvet mi, as të kotunë qerpikëvet mi. Ngjer sa të gjej vend për Zotinë, të ndenjunë për të fortinë Perëndin’ e Iakobit. Qe të ndigjuem për ate ndë Efratha, gjetëm ate ndër fushat të pyllit. Le të hyimë ndë tendat t’ati, le të lusim ndë vend qi shkelnë kambët’ e ati. Ngreu, o Zot, ndë të praitunit tand, ti, edhe arka e fuqisë s’ate. Priftënit’ e tu le të vishenë me dreitëni, edhe të dreitët’ e tu le të gëzohenë. Për punë të Davidit shërbëtorit t’yt, mos këthe mbë-nj’-anë faqen’ e të lyemit t’yt. Zoti iu betue Davidit me të vërtetë, s’ka me këthyem prapë fjalënë. Prei pemësë barkut t’yt kam me vumë mbë shkamp tand. Ndë rueiçinë bijt’e tu dhiatënë t’eme, edhe deshmimet’ e mi qi kam me u mësuem, edhe bijt’ e atyne kanë me ndenjunë për gjithë jetënë mbë shkamp tand. Se Zoti sgjodhi Sionënë, i pëlqeu me ndenjunë nd’ate. Këta ashtë të praitunitë t’em ndë jetët të jetësë, këtu kam me ndenjunë, se më pëlqeu. Kam me bekuem fort të ngranët’ e asai, kam me ngimë me bukë të vobegët’ e asai, edhe kam me veshunë priftënit’ e asai me shpëtim, edhe të dreitët’ e asai kanë me u gëzuem me gëzim. Atie kam me bamë t’i bijë Davidit bri; bana gati kandil për të lyeminë t’em. Kam me veshun’ anëmiqt’ e ati me turpëni, por mb’ ate ka me lulëzuem kunora e ati.

Psalmet 132:1-18 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Kujto, o ZOT, Davidin dhe gjithë mundimet e tij, si iu betua ZOTIT, si iu zotua të fuqishmit të Jakobit: «Nuk do të hyj nën pullazin e shtëpisë sime, nuk do të bie në shtrojën e shtratit tim, nuk do t'u jap gjumë syve të mi e as dremitje qepallave të mia, derisa të gjej një vend për ZOTIN, një banesë për të fuqishmin e Jakobit». Ja, dëgjuam se arka ishte në Efratë, e gjetëm në fushat e Jaarit. Le të hyjmë në banesën e Zotit, le të përkulemi me nderim te shtroja e këmbëve të tij. Ngrihu, o ZOT, dhe eja në vendin e prehjes sate, ti dhe arka jote e fuqishme. Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi dhe besnikët e tu le të brohorasin. Për hir të Davidit, shërbëtorit tënd, mos e hidh poshtë të vajosurin tënd. ZOTI iu betua me të vërtetë Davidit e nuk do ta shkelë betimin: «Do të vë mbi fronin tënd një nga frytet e barkut tënd. Në mbajtshin bijtë e tu besëlidhjen time dhe dëshmitë që do t'u mësoj, edhe bijtë e tyre përgjithmonë mbi fronin tënd do të ulen». Ja, ZOTI zgjodhi Sionin, atë pëlqeu për banesë të tij. «Ky do të jetë përjetë vendi i prehjes sime, këtu do të banoj, se më pëlqen. Prodhimet e tij do t'i bekoj pa masë, të varfrit e tij do t'i ngij me bukë. Priftërinjtë e tij do t'i vesh me shpëtim, besnikët e tij do të brohorasin nga gëzimi. Atje do t'i rrit Davidit një pinjoll, e kam gati llambën për të vajosurin tim. Armiqtë e tij do t'i vesh me turp, por mbi kokë do t'i shkëlqejë kurora».

Psalmet 132:1-18 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Mbaje mend, o Zot, Davidin dhe të gjitha mundimet e tij, ashtu si ai iu betua Zotit dhe lidhi kusht me të Fuqishmin e Jakobit, duke thënë: "Nuk do të hyj në çadrën e shtëpisë sime, nuk do të hipi mbi shtratin tim; nuk do t'i jap gjumë syve të mi as pushim qepallave të mia, derisa të kem gjetur një vend për Zotin, një banesë për të Fuqishmin e Jakobit". Ja, dëgjuam të flitet për të në Efratah, e gjetëm në fushat e Jaarit. Le të shkojmë në banesën e tij, le ta adhurojmë përpara fronit të këmbëve të tij. Çohu, o Zot, dhe eja në vendin ku pushon ti dhe arka e forcës sate. Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi, dhe le të këndojnë nga gëzimi shenjtorët e tu. Për hir të Davidit, shërbëtorit tënd, mos e dëbo fytyrën e të vajosurit tënd. Zoti iu betua Davidit në të vërtetë dhe nuk do të ndryshojë: "Unë do të vë mbi fronin tënd një fryt të të përbrendshmeve të tua. Në rast se bijtë e tu do të respektojnë besëlidhjen time dhe porositë e mia, që unë do t'u mësojë atyre, edhe bijtë e tyre do të ulen përjetë mbi fronin tënd". Duke qenë se Zoti e ka zgjedhur Sionin, ai e ka dashur atë për banesën e tij: "Ky është vendi im i pushimit përjetë; këtu do të banoj, sepse e kam dashur. Do të bekoj fort zahiretë e tij, do t'i ngop me bukë të varfrit e tij; do t'i vesh priftërinjtë e tij me shpëtim, do të ngazëllojnë shenjtorët e tij me britma gëzimi. Këtu do ta rris fuqinë e Davidit dhe do t'i jap një llambë të vajosurit tim. Do t'i mbuloj me turp armiqtë e tij, por mbi të do të lulëzojë kurora e tij".

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë