Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 119:137-176

Psalmet 119:137-176 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)

I dreitë je, o Zot, ende të dreitë janë gjyqet’ e tu. Deshmimet’ e tu qi urdhënove, janë dreitëni e vërtetëni fort e madhe. Zëlia eme më treti, se anëmiqt’ e mi harrunë fjalët’ e tua. Fjala jote ashtë fort e kullume, përandai shërbëtori yt e do. Jam i vogël’ e i pazanë për gja, po s’harrova urdhënimet’ e tu. Dreitënia jote ashtë dreitëni për gjithë jetënë, ende ligja jote e vërtetë. Më gjetnë shtrëngime e nevoja, po urdhënimet’ e tu janë gëzimi em. Deshmimet’ e tu janë dreitëni për gjithë jetënë, ban-më të mençim, ende kam me rrumë. Thërrita me gjithë zemërë, ndëgjo-më, o Zot, ende kam me ruitun’ urdhënimet’ e tu. Thërrita mbë tyi: Shpëto-më, ende kam me ruitunë deshmimet’ e tu. E mbërrina pa sbardhunë drita, ende thërrita, shpëreva mbë fjalët tande. Syt’ e mi mbërrijënë përpara të ruitunavet natësë, për me shkumë ndër mend fjalënë tande. Ndëgjo zaninë t’em, o Zot, mbas përdëllimit t’yt, ep-më frymë të gjallë mbas gjyqit t’yt. U afrun’ ata qi venë mbas së keqesë, ende u largunë prei ligjësë s’ate. Ti, o Zot, je ngjat, ende gjith’ urdhënimet e tujanë të vërtetë. Sa për deshmimet’ e tu, e ngjofta çë përpara, se i themelove për gjithë jetënë. Shif shtrëngiminë t’em, ende liro-më, se s’harrova ligjënë tande. Gjuko gjyqinë t’em, ende shpërble-më; ep-më frymë të gjallë mbas fjalësë s’ate. Shpëtimi ashtë lark prei të pabesësh, se s’kërkojën’ urdhënimet’ e tu. Përdëllimet’ e tu janë të mëdhej, o Zot, ep-më frymë të gjallë mbas gjyqit t’yt. Shumë jan’ ata qi më ndiekin’ e më shtrëngojënë,po nukë dola jashtë deshmivet tu. Pash’ ata qi dalinë jasht’ udhësë, ende u drothsh, sepse s’ruitnë fjalënë tande. Shif sa i du porosit’ e tua, o Zot, ep-më frymë të gjallë mbas përdëllimit t’yt. Kryet’ e fjalësë s’ate asht’ e vërteta, ende gjithë gjukimet’ e dreitënisë s’ate mbesinë për gjithë jetënë. Të parëtë më ndoqnë kot, po zemrënë t’eme e mur frika për fjalënë tande. Gëzohem për fjalënë tande, posi ai qi gjen shumë plaçëka. Kam mëni e të ndytë rrenënë, po du ligjënë tande. Shtatë herë ditënë të lavduroj për gjyqet e dreitënisë s’ate. Ata qi dunë ligjënë tande, kanë shumë paqtim, ende për ata s’ka skandal. Prita shpëtiminë tand, o Zot, ende bana porosit’ e tua. Shpirti em ruiti deshmimet’ e tu, ende i deshi fort. Ruita porosit’ e tua, ende deshmimet e tu, se gjith’ udhët’ e mia janë përpara teje. Le t’ afrohetë klithma eme përpara teje, o Zot, ban-më të mençim mbas fjalësë s’ate. Le të vijë të lutunitë t’em përpara teje, shpëto-më mbas fjalësë s’ate. Buzët’ e mia kanë me nxierrë kankë, kur të më mësojsh urdhëmimet’ e tu. Gjuha eme ka me folë fjalënë tande, se gjithë porosit’ e tua janë dreitëni. Dora jote le të më ndifi, se sgjodha porosit’ e tua. U mallënjyshë për shpëtiminë tand, o Zot, ende ligja jote ashtë mendimi em. Le të rrojë shpirti em, ende ka me të lavdurumë, ende gjyqet’ e tu le të më ndifinë. U solla andej e këndej, porsi dele e humbunë; kërko shërbëtorinë tand, se nukë harrova porosit’ e tua.

Psalmet 119:137-176 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

I drejtë je ti, o ZOT, të drejta vendimet e tua. Ti ke dhënë dëshmi të drejta e më se të besueshme. Zelli po më bren, se armiqtë e mi i kanë harruar fjalët e tua. Fjala jote është e sprovuar në zjarr, prandaj shërbëtori yt e do. I vogël jam unë e i përbuzur, por porositë e tua nuk i harrova. Drejtësia jote është e drejtë përjetë dhe ligji yt është i vërtetë. Më ka pushtuar vuajtja dhe pikëllimi, por urdhërimet e tua janë kënaqësi për mua. Dëshmitë e tua janë drejtësi e amshuar, bëmë të kuptoj, që të kem jetë. Po thërras me gjithë zemër, përgjigjmu, o ZOT, rregullat e tua do t'i ruaj. Po të thërras, shpëtomë, dëshmitë e tua do t'i ruaj. Zgjohem para agimit e thërras për ndihmë, shpresoj në fjalën tënde. Sytë e mi rrinë zgjuar çdo rojë të natës, për të përsiatur fjalët e tua. Dëgjoma zërin sipas mirësisë sate, o ZOT, jepmë jetë sipas gjykimit tënd. Më janë afruar ata që rendin pas paudhësisë, larg janë nga ligji yt. Por ti, o ZOT, je afër dhe të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta. Qëmoti kam mësuar prej dëshmive të tua se i ke caktuar për amshim. Shih mjerimin tim e çliromë, se nuk e kam harruar ligjin tënd. Mbroje çështjen time e shpengomë, jepmë jetë sipas fjalës sate. Shpëtimi është larg nga të paudhët, se nuk i kërkojnë rregullat e tua. Përdëllimet e tua janë të mëdha, o ZOT, jepmë jetë sipas vendimeve të tua. Të shumtë janë përndjekësit dhe armiqtë e mi, por nga dëshmitë e tua nuk jam shmangur. I pashë të pabesët e më erdhi pështirë, se nuk e mbajtën fjalën tënde. Shih sa i dua porositë e tua, o ZOT, jepmë jetë sipas mirësisë sate. Parimi i fjalës sate është e vërteta, çdo vendim i yt i drejtë është për amshim. Prijësit më përndjekin pa shkak, por zemra ime trembet veç prej fjalës sate. Ngazëllej për fjalën tënde, si ai që gjen shumë plaçkë. E urrej mashtrimin e më kall krupën, por ligjin tënd e dua. Të lavdëroj shtatë herë në ditë për vendimet e tua të drejta. Paqe të madhe kanë ata që duan ligjin tënd, asgjë nuk i pengon. Shpëtimin tënd pres, o ZOT, dhe mbaj urdhërimet e tua. Shpirti im i ruan dëshmitë e tua e unë fort i dua. Porositë dhe dëshmitë e tua i kam mbajtur, gjithë udhët e mia janë para teje. Ardhtë përgjërimi im para teje, o ZOT, bëmë të kuptoj sipas fjalës sate. Mbërrittë lutja ime para teje, sipas fjalës sate çliromë. Nga buzët e mia do të burojnë lavde, se më ke mësuar rregullat e tua. Gjuha ime shpalltë fjalën tënde, se gjithë urdhërimet e tua janë të drejta. Dora jote më ardhtë në ndihmë, se kam zgjedhur porositë e tua. Shumë e dëshiroj shpëtimin tënd, o ZOT, ligji yt është kënaqësia ime. Jetoftë shpirti im e të lavdëroftë, vendimet e tua më ndihmofshin! Po endem si delja e humbur, kërkoje shërbëtorin tënd, se urdhërimet e tua nuk i kam harruar.

Psalmet 119:137-176 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ti je i drejtë, o Zot, dhe dekretet e tua janë të drejta. Ti i ke përcaktuar porositë e tua me drejtësi dhe me besnikëri të madhe. Zelli im të tret, sepse armiqtë e mi kanë harruar fjalët e tua. Fjala jote është e pastër nga çdo zgjyrë; prandaj shërbëtori yt e do. Jam i vogël dhe i përbuzur, por nuk i harroi udhërimet e tua. Drejtësia jote është një drejtësi e përjetshme dhe ligji yt është i vërtetë. Ankthi dhe shqetësimi më kanë pushtuar, por urdhërimet e tua janë gëzimi im. Porositë e tua janë të drejta përjetë; më jep mendje dhe unë do të jetoj. Unë bërtas me gjithë zemër; përgjigjmu, o Zot, dhe unë do të respektoj statutet e tua. Unë të kërkoj; shpëtomë, dhe do të respektoj porositë e tua. Unë zgjohem para agimit dhe bërtas; unë kam shpresë te fjala jote. Sytë e mi paraprijnë natën për të menduar thellë fjalën tënde. Dëgjo zërin tim sipas mirësisë sate; o Zot, gjallëromë sipas dekretit tënd të drejtë. Kam afër vetes ata që ndjekin të keqen, por ata janë larg ligjit tënd. Ti je afër, o Zot, dhe të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta. Prej shumë kohe kam mësuar urdhërimet e tua, të cilat i ke vendosur përjetë. Merr parasysh pikëllimin tim dhe më çliro, sepse nuk e kam harruar ligjin tënd. Mbro çështjen time dhe më shpengo; më gjallëro sipas fjalës sate. Shpëtimi është larg nga të pabesët, sepse ata nuk kërkojnë statutet e tua. Dhembshuritë e tua janë të mëdha, o Zot; më gjallëro sipas dekreteve të tua të drejta. Përndjekësit e mi dhe armiqtë e mi janë të shumtë; por unë nuk largohem nga porositë e tua. I pashë të pabesët dhe i urrej, sepse nuk respektojnë fjalën tënde. Ki parasysh sa i dua urdhërimet e tua! O Zot, gjallëromë sipas mirësisë sate. Shuma e fjalës sate është e vërteta; dhe të gjitha dekretet e tua të drejta qëndrojnë përjetë. Princat më përndjekin pa arsye, por zemra ime ka shumë frikë nga fjala jote. Unë ndiej një gëzim të madh në fjalën tënde, ashtu si ai që gjen një plaçkë të madhe. Urrej dhe s'e shoh dot me sy gënjeshtrën, por e dua ligjin tënd. Të lëvdoj shtatë herë në ditë për dekretet e tua të drejta. Paqe të madhe kanë ata që e duan ligjin tënd, dhe nuk ka asgjë që mund t'i rrëzojë. O Zot, unë shpresoj në shpëtimin tënd dhe i zbatoj në praktikë urdhërimet e tua. Unë kam respektuar porositë e tua dhe i dua me të madhe. Kam respektuar urdhërimet e tua dhe porositë e tua, sepse të gjitha rrugët janë para teje. Le të arrijë deri te ti britma ime, o Zot; me jep mendja sipas fjalës sate. Le të arrijë deri te ti lutja ime, çliromë sipas fjalës sate. Buzët e mia do të përhapin lavde, me qëllim që ti të më mësosh statutet e tua. Gjuha ime do të shpallë fjalën tënde, sepse tërë urdhërimet e tua janë të drejta. Dora jote më ndihmoftë, sepse unë kam zgjedhur urdhërimet e tua. Unë dëshiroj me zjarr shpëtimin tënd, o Zot, dhe ligji yt është gëzimi im. Le të kem mundësi të jetoj që të të lëvdoj, dhe le të më ndihmojnë dekretet e tua. Unë po endem si një dele e humbur. Kërko shërbëtorin tënd, sepse unë nuk i harroi urdhërimet e tua.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë