Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 119:137-176

Psalmet 119:137-176 ALBB

Ti je i drejtë, o Zot, dhe dekretet e tua janë të drejta. Ti i ke përcaktuar porositë e tua me drejtësi dhe me besnikëri të madhe. Zelli im të tret, sepse armiqtë e mi kanë harruar fjalët e tua. Fjala jote është e pastër nga çdo zgjyrë; prandaj shërbëtori yt e do. Jam i vogël dhe i përbuzur, por nuk i harroi udhërimet e tua. Drejtësia jote është një drejtësi e përjetshme dhe ligji yt është i vërtetë. Ankthi dhe shqetësimi më kanë pushtuar, por urdhërimet e tua janë gëzimi im. Porositë e tua janë të drejta përjetë; më jep mendje dhe unë do të jetoj. Unë bërtas me gjithë zemër; përgjigjmu, o Zot, dhe unë do të respektoj statutet e tua. Unë të kërkoj; shpëtomë, dhe do të respektoj porositë e tua. Unë zgjohem para agimit dhe bërtas; unë kam shpresë te fjala jote. Sytë e mi paraprijnë natën për të menduar thellë fjalën tënde. Dëgjo zërin tim sipas mirësisë sate; o Zot, gjallëromë sipas dekretit tënd të drejtë. Kam afër vetes ata që ndjekin të keqen, por ata janë larg ligjit tënd. Ti je afër, o Zot, dhe të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta. Prej shumë kohe kam mësuar urdhërimet e tua, të cilat i ke vendosur përjetë. Merr parasysh pikëllimin tim dhe më çliro, sepse nuk e kam harruar ligjin tënd. Mbro çështjen time dhe më shpengo; më gjallëro sipas fjalës sate. Shpëtimi është larg nga të pabesët, sepse ata nuk kërkojnë statutet e tua. Dhembshuritë e tua janë të mëdha, o Zot; më gjallëro sipas dekreteve të tua të drejta. Përndjekësit e mi dhe armiqtë e mi janë të shumtë; por unë nuk largohem nga porositë e tua. I pashë të pabesët dhe i urrej, sepse nuk respektojnë fjalën tënde. Ki parasysh sa i dua urdhërimet e tua! O Zot, gjallëromë sipas mirësisë sate. Shuma e fjalës sate është e vërteta; dhe të gjitha dekretet e tua të drejta qëndrojnë përjetë. Princat më përndjekin pa arsye, por zemra ime ka shumë frikë nga fjala jote. Unë ndiej një gëzim të madh në fjalën tënde, ashtu si ai që gjen një plaçkë të madhe. Urrej dhe s'e shoh dot me sy gënjeshtrën, por e dua ligjin tënd. Të lëvdoj shtatë herë në ditë për dekretet e tua të drejta. Paqe të madhe kanë ata që e duan ligjin tënd, dhe nuk ka asgjë që mund t'i rrëzojë. O Zot, unë shpresoj në shpëtimin tënd dhe i zbatoj në praktikë urdhërimet e tua. Unë kam respektuar porositë e tua dhe i dua me të madhe. Kam respektuar urdhërimet e tua dhe porositë e tua, sepse të gjitha rrugët janë para teje. Le të arrijë deri te ti britma ime, o Zot; me jep mendja sipas fjalës sate. Le të arrijë deri te ti lutja ime, çliromë sipas fjalës sate. Buzët e mia do të përhapin lavde, me qëllim që ti të më mësosh statutet e tua. Gjuha ime do të shpallë fjalën tënde, sepse tërë urdhërimet e tua janë të drejta. Dora jote më ndihmoftë, sepse unë kam zgjedhur urdhërimet e tua. Unë dëshiroj me zjarr shpëtimin tënd, o Zot, dhe ligji yt është gëzimi im. Le të kem mundësi të jetoj që të të lëvdoj, dhe le të më ndihmojnë dekretet e tua. Unë po endem si një dele e humbur. Kërko shërbëtorin tënd, sepse unë nuk i harroi urdhërimet e tua.