Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Numrat 17:1-13

Numrat 17:1-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

ZOTI i tha Moisiut: «Thuaji Eleazarit, birit të priftit Aron, t'i heqë temjanicat nga kufomat e shkrumbuara e ta shpërndajë andej-këtej zjarrin që është në to, sepse temjanicat janë shenjtëruar. Temjanicat e këtyre mëkatarëve, që e pësuan me jetën e tyre, farkëtoji si pllaka për të veshur altarin, sepse ia paraqitën ZOTIT dhe u shenjtëruan. Ato të shërbejnë si shenjë qortuese për izraelitët». Atëherë prifti Eleazar i mori temjanicat prej bronzi nga kufomat e shkrumbuara dhe i farkëtoi si pllaka për altarin, për të shërbyer si përkujtimore për izraelitët që askush, përveç pasardhësve të Aronit, të mos afrohet për t'i kushtuar ZOTIT temjan, përndryshe do ta pësojë si Koreu e njerëzit e tij. Kështu Eleazari bëri siç i tha ZOTI përmes Moisiut. Të nesërmen, tërë bashkësia e izraelitëve murmuriti kundër Moisiut e Aronit: «E vratë popullin e ZOTIT!». Por, kur u mblodh kundër Moisiut e Aronit, bashkësia u kthye drejt tendës së takimit dhe ja, reja e mbuloi tendën dhe u dëftua lavdia e ZOTIT. Atëherë Moisiu e Aroni mbërritën para tendës së takimit. ZOTI i tha Moisiut: «Largohuni nga kjo bashkësi që t'i përpij menjëherë». Ata ranë me fytyrë përdhe dhe Moisiu i tha Aronit: «Merre temjanicën, mbushe me zjarr nga altari dhe me temjan. Nxito drejt bashkësisë e shlyej mëkatin e tyre, sepse ka shpërthyer zemërimi i ZOTIT dhe po pllakos gjëma!». Aroni e mori siç i tha Moisiu dhe vrapoi në mes të bashkësisë. Tashmë mes tyre kishte filluar gjëma. Ai e mbushi me temjan dhe e shleu mëkatin e popullit. Qëndroi ndërmjet të vdekurve e të gjallëve dhe gjëma u ndal.

Numrat 17:1-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: "Folu bijve të Izraelit dhe bëj që të të japin shufra, një për çdo shtëpi të etërve të tyre, domethënë dymbëdhjetë shufra nga të gjithë prijësit e tyre sipas shtëpive të etërve të tyre; do të shkruash emrin e secilit mbi shufrën e tij; dhe do të shkruash emrin e Aaronit mbi shufrën e Levit, sepse do të ketë një shufër për çdo kryetar të shtëpive të etërve të tyre. Pastaj do t'i vësh në çadrën e mbledhjes, përpara dëshmisë, ku unë takohem me ju. Dhe do të ndodhë që shufra e njeriut që unë zgjedh, do të lulëzojë dhe unë do të bëj që të pushojnë murmuritjet e bijve të Izraelit kundër jush". Kështu Moisiu u foli bijve të Izraelit dhe të gjithë prijësit e tyre i dhanë secili një shufër, sipas shtëpive të etërve të tyre, domethënë dymbëdhjetë shufra; dhe shufra e Aaronit ishte midis shufrave të tyre. Pastaj Moisiu i vuri këto shufra përpara Zotit në çadrën e dëshmisë. Të nesërmen Moisiu hyri në çadrën e dëshmisë; dhe ja, shufra e Aaronit për shtëpinë e Levit kishte lulëzuar; kishte nxjerrë lastarë, kishte çelur lule dhe kishte prodhuar bajame. Atëherë nxori tërë shufrat jashtë pranisë së Zotit, përpara të gjithë bijve të Izraelit; dhe ata i panë dhe secili mori shufrën e vet. Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Ktheja shufrën Aaronit përpara çadrës së dëshmisë, me qëllim që të ruhet si një shenjë qortimi për rebelët, me qëllim që të marrin fund murmuritjet e tyre kundër meje dhe ata të mos vdesin". Moisiu veproi ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti. Bijtë e Izraelit i folën pastaj Moisiut, duke i thënë: "Ja, po vdesim, kemi marrë fund, të gjithë kemi marrë fund! Kushdo që i afrohet tabernakullit të Zotit, vdes; duhet të vdesim të gjithë?".