Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Numrat 17

17
Temjanicat
1 # 17.1-15 të tjerë i rendisin si 16.36-50 Zoti i tha Moisiut: 2«Thuaji Eleazarit, birit të priftit Aron, t'i heqë temjanicat nga kufomat e shkrumbuara e ta shpërndajë andej-këtej zjarrin që është në to, sepse temjanicat janë shenjtëruar. 3Temjanicat e këtyre mëkatarëve, që e pësuan me jetën e tyre, farkëtoji si pllaka për të veshur altarin, sepse ia paraqitën Zotit dhe u shenjtëruan. Ato të shërbejnë si shenjë qortuese për izraelitët». 4Atëherë prifti Eleazar i mori temjanicat prej bronzi nga kufomat e shkrumbuara dhe i farkëtoi si pllaka për altarin, 5për të shërbyer si përkujtimore për izraelitët që askush, përveç pasardhësve të Aronit, të mos afrohet për t'i kushtuar Zotit temjan, përndryshe do ta pësojë si Koreu e njerëzit e tij. Kështu Eleazari bëri siç i tha Zoti përmes Moisiut.
6Të nesërmen, tërë bashkësia e izraelitëve murmuriti kundër Moisiut e Aronit: «E vratë popullin e Zotit!». 7Por, kur u mblodh kundër Moisiut e Aronit, bashkësia u kthye drejt tendës së takimit dhe ja, reja e mbuloi tendën dhe u dëftua lavdia e Zotit. 8Atëherë Moisiu e Aroni mbërritën para tendës së takimit. 9Zoti i tha Moisiut: 10«Largohuni nga kjo bashkësi që t'i përpij menjëherë». Ata ranë me fytyrë përdhe 11dhe Moisiu i tha Aronit: «Merre temjanicën, mbushe me zjarr nga altari dhe me temjan. Nxito drejt bashkësisë e shlyej mëkatin e tyre, sepse ka shpërthyer zemërimi i Zotit dhe po pllakos gjëma!». 12Aroni e mori siç i tha Moisiu dhe vrapoi në mes të bashkësisë. Tashmë mes tyre kishte filluar gjëma. Ai e mbushi me temjan dhe e shleu mëkatin e popullit. 13Qëndroi ndërmjet të vdekurve e të gjallëve dhe gjëma u ndal.
14Dyzet mijë e katërqind veta vdiqën nga kjo gjëmë pa përmendur ata që vdiqën për shkak të Koreut. 15Kur u ndal gjëma, Aroni u kthye te Moisiu, në hyrje të tendës së takimit.
Shkopi i Aronit
16 Zoti i tha Moisiut: 17«Fol me izraelitët e merr nga një shkop për çdo fis, për çdo prijës të familjeve të etërve, gjithsej dymbëdhjetë shkopinj. Në secilin shkop shkruaj emrin e prijësit përkatës. 18Emrin e Aronit shkruaje te shkopi i Levit, se duhet të ketë nga një shkop për çdo krye të familjeve të etërve. 19Pastaj, vendosi në tendën e takimit para dëshmisë, atje ku takohem me ju. 20Shkopi i atij që do të zgjedh, do të lulëzojë. Kështu do t'i heq qafe murmuritjet e izraelitëve që nuk reshtin kundër jush».
21Moisiu foli me izraelitët e çdo prijës i familjeve të etërve i dha nga një shkop. Gjithsej ishin dymbëdhjetë shkopinj. Mes tyre ishte edhe shkopi i Aronit. 22Moisiu i vendosi në tendën e dëshmisë në prani të Zotit. 23Të nesërmen, Moisiu hyri në tendën e dëshmisë dhe, ja, shkopi i Aronit, nga fisi i Levit, kishte lulëzuar. Ai kishte nxjerrë sytha, kishte bulëzuar e kishte prodhuar bajame. 24Atëherë Moisiu i nxori të gjithë shkopinjtë nga prania e Zotit para tërë popullit të Izraelit. Ata i panë dhe secili mori shkopin e vet.
25 Zoti i tha Moisiut: «Ktheje shkopin e Aronit te dëshmia, që të ruhet si shenjë për kryengritësit. Kështu, do t'i japësh fund murmuritjeve kundër meje, që ata të mos vdesin». 26Moisiu bëri ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti. 27Izraelitët i thanë Moisiut: «Ja, morëm fund! U zhbimë! Të gjithë ne mbaruam! 28Kushdo që i afrohet tendës së Zotit, vdes. A thua kështu do të vdesim e do të marrim fund?!».

Aktualisht i përzgjedhur:

Numrat 17: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr