ZOTI i tha Moisiut: «Thuaji Eleazarit, birit të priftit Aron, t'i heqë temjanicat nga kufomat e shkrumbuara e ta shpërndajë andej-këtej zjarrin që është në to, sepse temjanicat janë shenjtëruar. Temjanicat e këtyre mëkatarëve, që e pësuan me jetën e tyre, farkëtoji si pllaka për të veshur altarin, sepse ia paraqitën ZOTIT dhe u shenjtëruan. Ato të shërbejnë si shenjë qortuese për izraelitët». Atëherë prifti Eleazar i mori temjanicat prej bronzi nga kufomat e shkrumbuara dhe i farkëtoi si pllaka për altarin, për të shërbyer si përkujtimore për izraelitët që askush, përveç pasardhësve të Aronit, të mos afrohet për t'i kushtuar ZOTIT temjan, përndryshe do ta pësojë si Koreu e njerëzit e tij. Kështu Eleazari bëri siç i tha ZOTI përmes Moisiut. Të nesërmen, tërë bashkësia e izraelitëve murmuriti kundër Moisiut e Aronit: «E vratë popullin e ZOTIT!». Por, kur u mblodh kundër Moisiut e Aronit, bashkësia u kthye drejt tendës së takimit dhe ja, reja e mbuloi tendën dhe u dëftua lavdia e ZOTIT. Atëherë Moisiu e Aroni mbërritën para tendës së takimit. ZOTI i tha Moisiut: «Largohuni nga kjo bashkësi që t'i përpij menjëherë». Ata ranë me fytyrë përdhe dhe Moisiu i tha Aronit: «Merre temjanicën, mbushe me zjarr nga altari dhe me temjan. Nxito drejt bashkësisë e shlyej mëkatin e tyre, sepse ka shpërthyer zemërimi i ZOTIT dhe po pllakos gjëma!». Aroni e mori siç i tha Moisiu dhe vrapoi në mes të bashkësisë. Tashmë mes tyre kishte filluar gjëma. Ai e mbushi me temjan dhe e shleu mëkatin e popullit. Qëndroi ndërmjet të vdekurve e të gjallëve dhe gjëma u ndal.
Lexo Numrat 17
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Numrat 17:1-13
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video