Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Numrat 13:17-33

Numrat 13:17-33 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Moisiu i dërgoi për të hetuar tokën e Kanaanit e u tha: «Shkoni nëpër Negev e ngjituni në male, që të vështroni se çfarë vendi është. A ka shumë apo pak banorë? A është popull i fortë apo jo? A është toka ku rrinë e mirë apo e keqe? A janë qytetet ku banojnë të hapura apo të fortifikuara? A është tokë pjellore apo e shkretë? A ka pyje apo jo? Kini guxim e merrni disa nga frutet e tokës». Ishte stina e rrushit të hershëm. Kështu, ata shkuan dhe hetuan tokën, që nga shkretëtira e Cinit deri në Rehob të Lebo Hamatit. Shkuan në Negev e mbërritën në Hebron. Atje banonin bijtë e Anakut, Ahimani, Sheshai e Talmai. Hebroni ishte ndërtuar shtatë vjet përpara Coanit të Egjiptit. Kur arritën në luginën e Eshkolit, vëzhguesit këputën shegë, fiq dhe një degë me vile rrushi që e mbartën dy veta në shtagë. Vendi u quajt lugina e Eshkolit për shkak të viles së rrushit që izraelitët këputën atje. Pas dyzet ditësh hetimi, vëzhguesit u kthyen. Erdhën te Moisiu e Aroni dhe te tërë bashkësia e Izraelit në shkretëtirën e Paranit, në Kadesh. U sollën lajmin Moisiut, Aronit e tërë bashkësisë dhe i dëftuan frutet e tokës. Pastaj i treguan Moisiut: «Shkuam te vendi ku na dërgove. Atje rrjedh vërtet qumësht e mjaltë. Ja disa nga frutet e vendit. Por banorët e vendit janë të fortë, qytetet janë të fortifikuara e shumë të mëdha. Madje, atje vumë re edhe pasardhësit e Anakut. Amalekitët banojnë në tokën e Negevit. Hititët, jebusitët e amoritët banojnë në malësi, ndërsa kananitët banojnë buzë detit, përgjatë Jordanit». Por Kalebi e urdhëroi popullin të heshtte e i tha Moisiut: «Të shkojmë menjëherë e ta pushtojmë, se me të vërtetë jemi në gjendje të fitojmë». Burrat që kishin shkuar me të u përgjigjën: «Jo, nuk ndeshemi dot me atë popull, se janë më të fortë se ne». Ata u folën keq izraelitëve për tokën që hetuan: «Toka që përshkuam dhe hetuam është një vend që i përpin banorët e saj. I gjithë populli që pamë është shtatlartë. Atje vumë re edhe nefilimët, pasardhësit e Anakut që rrjedhin prej nefilimëve. Para tyre, na u duk vetja si karkaleca. Kështu do t'iu dukemi edhe ne atyre».

Numrat 13:17-33 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Moisiu, pra, i dërgoi për të vëzhguar vendin e Kanaanit dhe u tha atyre: "Ngjituni që këtej në Negev dhe pastaj në krahinën malore, për të parë si është vendi, në qoftë se populli që banon aty është i fortë apo i dobët, i pakët në numër apo i shumtë; si është vendi ku banon, i mirë apo i keq, si janë qytetet në të cilat jeton, a ka kampe ose vende të fortifikuara; dhe si është toka, pjellore apo e varfër, në rast se ka pemë ose jo. Bëhuni trima dhe sillni frytet nga ky vend". Ishte koha kur kishte filluar të piqej rrushi. Ata u ngjitën, pra, dhe vëzhguan vendin e Tsinit deri në Rehob, duke hyrë në të nga ana e Hamathit. U ngjitën përmes Negevit dhe shkuan deri në Hebron, ku ishin Ahimani, Sheshai dhe Talmai, pasardhës të Anakut. (Hebronin e kishin ndërtuar shtatë vjet para Tsoanit në Egjipt). Arritën pastaj deri në luginën e Eshkolit, ku prenë një degë me një vile rrushi, që e mbanin që të dy me një purtekë; dhe morën gjithashtu shegë dhe fiq. Ky vend u quajt lugina e Eshkolit, për shkak të viles së rrushit që bijtë e Izraelit prenë aty. Mbas dyzet ditësh ata u kthyen nga vëzhgimi i vendit, dhe shkuan të takojnë Moisiun, Aaronin dhe tërë asamblenë e bijve të Izraelit në shkretëtirën e Paranit, në Kadesh; para tyre dhe tërë asamblesë paraqitën një raport dhe u treguan pemët e vendit. Kështu para tij raportuan duke thënë: "Ne arritëm në vendin ku na dërgove; aty rrjedh me të vërtetë qumësht dhe mjaltë, dhe këto janë pemët e tij. Por populli që banon në këtë vend është i fortë, qytetet janë të fortifikuara dhe shumë të mëdha; dhe aty pamë edhe pasardhësit e Anakut. Amalekitët banojnë në krahinën e Negevit; hitenjtë, jebusenjtë dhe amorenjtë banojnë përkundrazi në krahinën malore, ndërsa kanaanenjtë banojnë pranë detit dhe gjatë Jordanit". Atëherë Kalebi e qetësoi popullin që murmuriste kundër Moisiut dhe tha: "Le të ngjitemi menjëherë dhe ta pushtojmë vendin, sepse këtë mund ta bëjmë me siguri". Por njerëzit që kishin shkuar me të thanë: "Nuk mund të sulemi kundër këtij populli, sepse është më i fortë se ne". Kështu i paraqitën një informacion të keq për vendin që kishin vëzhguar duke thënë: "Vendi që kemi përshkuar për ta vëzhguar është një vend që i ha banorët e tij; dhe të gjithë njerëzit që kemi parë në të janë njerëz me shtat të lartë. Përveç kësaj aty pamë gjigantë (pasardhësit e Anakut rrjedhin nga gjigantët), përballë të cilëve na dukej se ishim karkaleca, dhe kështu duhet t'u dukeshim atyre".