Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Numrat 13

13
Izraelitët hetojnë Kanaanin
1 Zoti i tha Moisiut: 2«Dërgo disa burra që të hetojnë tokën e Kanaanit, të cilën unë po ua jap izraelitëve. Dërgoni nga një prijës për çdo fis». 3Moisiu veproi siç i tha Zoti dhe i dërgoi krerët e izraelitëve nga shkretëtira e Paranit. 4Këta janë emrat e tyre: prej fisit të Rubenit, Shamuai, biri i Zakurit; 5prej fisit të Simeonit, Shafati, biri i Horiut; 6prej fisit të Judës, Kalebi, biri i Jefunehut; 7prej fisit të Isaharit, Igali, biri i Jozefit; 8prej fisit të Efraimit, Hosea, biri i Nunit; 9prej fisit të Benjaminit, Paltiu, biri i Rafuit; 10prej fisit të Zabulonit, Gadieli, biri i Sodit; 11prej fisit të Jozefit, fisit të Manaseut, Gadiu, biri i Susiut; 12prej fisit të Danit, Amieli, biri i Gemaliut; 13prej fisit të Asherit, Seturi, biri i Mikaelit; 14prej fisit të Neftaliut, Nahabi, biri i Vafsiut; 15dhe prej fisit të Gadit, Geueli, biri i Makiut.
16Këta ishin emrat e burrave që Moisiu dërgoi për të hetuar tokën. Moisiu e quajti Hosenë, birin e Nunit, Jozueh.
17Moisiu i dërgoi për të hetuar tokën e Kanaanit e u tha: «Shkoni nëpër Negev e ngjituni në male, 18që të vështroni se çfarë vendi është. A ka shumë apo pak banorë? A është popull i fortë apo jo? 19A është toka ku rrinë e mirë apo e keqe? A janë qytetet ku banojnë të hapura apo të fortifikuara? 20A është tokë pjellore apo e shkretë? A ka pyje apo jo? Kini guxim e merrni disa nga frutet e tokës». Ishte stina e rrushit të hershëm.
21Kështu, ata shkuan dhe hetuan tokën, që nga shkretëtira e Cinit deri në Rehob të Lebo Hamatit. 22Shkuan në Negev e mbërritën në Hebron. Atje banonin bijtë e Anakut, Ahimani, Sheshai e Talmai. Hebroni ishte ndërtuar shtatë vjet përpara Coanit të Egjiptit. 23Kur arritën në luginën e Eshkolit, vëzhguesit këputën shegë, fiq dhe një degë me vile rrushi që e mbartën dy veta në shtagë. 24Vendi u quajt lugina e Eshkolit për shkak të viles së rrushit që izraelitët këputën atje.
Raportimi
25Pas dyzet ditësh hetimi, vëzhguesit u kthyen. 26Erdhën te Moisiu e Aroni dhe te tërë bashkësia e Izraelit në shkretëtirën e Paranit, në Kadesh. U sollën lajmin Moisiut, Aronit e tërë bashkësisë dhe i dëftuan frutet e tokës. 27Pastaj i treguan Moisiut: «Shkuam te vendi ku na dërgove. Atje rrjedh vërtet qumësht e mjaltë. Ja disa nga frutet e vendit. 28Por banorët e vendit janë të fortë, qytetet janë të fortifikuara e shumë të mëdha. Madje, atje vumë re edhe pasardhësit e Anakut. 29Amalekitët banojnë në tokën e Negevit. Hititët, jebusitët e amoritët banojnë në malësi, ndërsa kananitët banojnë buzë detit, përgjatë Jordanit».
30Por Kalebi e urdhëroi popullin të heshtte e i tha Moisiut: «Të shkojmë menjëherë e ta pushtojmë, se me të vërtetë jemi në gjendje të fitojmë». 31Burrat që kishin shkuar me të u përgjigjën: «Jo, nuk ndeshemi dot me atë popull, se janë më të fortë se ne». 32Ata u folën keq izraelitëve për tokën që hetuan: «Toka që përshkuam dhe hetuam është një vend që i përpin banorët e saj. I gjithë populli që pamë është shtatlartë. 33Atje vumë re edhe nefilimët, pasardhësit e Anakut që rrjedhin prej nefilimëve. Para tyre, na u duk vetja si karkaleca. Kështu do t'iu dukemi edhe ne atyre».

Aktualisht i përzgjedhur:

Numrat 13: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr