Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Numrat 13:17-33

Numrat 13:17-33 AL1

Moisiu i dërgoi për të hetuar tokën e Kanaanit e u tha: «Shkoni nëpër Negev e ngjituni në male, që të vështroni se çfarë vendi është. A ka shumë apo pak banorë? A është popull i fortë apo jo? A është toka ku rrinë e mirë apo e keqe? A janë qytetet ku banojnë të hapura apo të fortifikuara? A është tokë pjellore apo e shkretë? A ka pyje apo jo? Kini guxim e merrni disa nga frutet e tokës». Ishte stina e rrushit të hershëm. Kështu, ata shkuan dhe hetuan tokën, që nga shkretëtira e Cinit deri në Rehob të Lebo Hamatit. Shkuan në Negev e mbërritën në Hebron. Atje banonin bijtë e Anakut, Ahimani, Sheshai e Talmai. Hebroni ishte ndërtuar shtatë vjet përpara Coanit të Egjiptit. Kur arritën në luginën e Eshkolit, vëzhguesit këputën shegë, fiq dhe një degë me vile rrushi që e mbartën dy veta në shtagë. Vendi u quajt lugina e Eshkolit për shkak të viles së rrushit që izraelitët këputën atje. Pas dyzet ditësh hetimi, vëzhguesit u kthyen. Erdhën te Moisiu e Aroni dhe te tërë bashkësia e Izraelit në shkretëtirën e Paranit, në Kadesh. U sollën lajmin Moisiut, Aronit e tërë bashkësisë dhe i dëftuan frutet e tokës. Pastaj i treguan Moisiut: «Shkuam te vendi ku na dërgove. Atje rrjedh vërtet qumësht e mjaltë. Ja disa nga frutet e vendit. Por banorët e vendit janë të fortë, qytetet janë të fortifikuara e shumë të mëdha. Madje, atje vumë re edhe pasardhësit e Anakut. Amalekitët banojnë në tokën e Negevit. Hititët, jebusitët e amoritët banojnë në malësi, ndërsa kananitët banojnë buzë detit, përgjatë Jordanit». Por Kalebi e urdhëroi popullin të heshtte e i tha Moisiut: «Të shkojmë menjëherë e ta pushtojmë, se me të vërtetë jemi në gjendje të fitojmë». Burrat që kishin shkuar me të u përgjigjën: «Jo, nuk ndeshemi dot me atë popull, se janë më të fortë se ne». Ata u folën keq izraelitëve për tokën që hetuan: «Toka që përshkuam dhe hetuam është një vend që i përpin banorët e saj. I gjithë populli që pamë është shtatlartë. Atje vumë re edhe nefilimët, pasardhësit e Anakut që rrjedhin prej nefilimëve. Para tyre, na u duk vetja si karkaleca. Kështu do t'iu dukemi edhe ne atyre».