Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Nahumi 2:1-13

Nahumi 2:1-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

«Ja, mbi male, këmba e kasnecit, e atij që paqen shpall. Kremtoji festat, o Judë, përmbushi zotimet e tua, se i poshtri nuk do të të pushtojë më, ai mori fund krejt. Shpartalluesi po vjen kundër teje. Ruaji kullat, vrojtoje udhën, ngjishi ijët e mblidhe tërë fuqinë. Se ZOTI ia ktheu lavdinë Jakobit, ia ktheu lavdinë Izraelit, ndonëse grabitësit i bastisën e të mbjellat ua rrënuan. Shqytet e trimave kuqëlojnë, luftëtarët në kërmëz vezullojnë. Karrocat flakërojnë, kur për luftë i rreshton, heshtat i fërgëllojnë. Të tërbuara, karrocat rrugëve vërshojnë, lart e poshtë shesheve vrapojnë. Duken porsi rrufeja, turren porsi shkreptima. I mbledh prijësit, por rrugës ata pengohen. Drejt mureve armiqtë shpejtojnë, dashi gati u bë. U hapën portat e lumenjve, pallati mbretëror u drodh. Ninivën e zhveshën, e rrëmbyen, shërbëtoret e saj vajtojnë, gugatin porsi pëllumba, gjoksin rrahin fort. Niniva është si liqeni uji i të cilit shteron. “Ndaluni! Ndaluni!”. Por askush nuk kthehet mbrapsht. Rrëmbeni argjend! Rrëmbeni ar! Thesaret nuk kanë fund, përplot me sende të çmuara. Bastisje, plaçkitje e shkatërrim! Zemra mpaket, gjunjët dridhen, shtati ngjethet, fytyrat e të gjithëve zverdhen. Ç'po ndodh me këtë strofull luanësh, me këtë shpellë këlyshësh luani? Ku luani, luanesha e pjella e tyre bridhnin pa u trazuar. Ku luani shqyente mjaftueshëm për këlyshët e pre për luaneshat sillte. E mbushte shpellën me pre, strofullin me mish të shqyer.

Nahumi 2:1-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ka dalë kundër teje një shkatërrues. Ruaje mirë fortesën, mbikëqyr rrugën, forco ijët e tua, mblidh tërë forcat e tua. Sepse Zoti do të rivendosë lavdinë e Jakobit dhe lavdinë e Izraelit, sepse cubat i kanë plaçkitur dhe kanë shkatërruar shermendet e tyre. Mburoja e trimave të tij është ngjyrosur me të kuq, trimat e tij janë veshur me rroba të kuqe; ditën që ai përgatit hekuri i qerreve do të nxjerrë shkëndija si zjarri dhe do të vringëllojnë ushtat e qiparisit. Qerret do të lëshohen me tërbim nëpër rrugë do t'u bien kryq e tërthor shesheve; do të duken si pishtarë, do të vetëtijnë si rrufe. Ai do të kujtojë burrat e tij të fuqishëm, por ata do të pengohen në marshimin e tyre, do të sulen drejt mureve dhe mbrojtja do të përgatitet. Portat e lumenjve do të hapen dhe pallati do të shembet. Atë që rrinte palëvizur do ta zhveshin dhe do ta marrin; shërbëtoret e saj do të vajtojnë me zë si të pëllumbeshës, duke i rënë gjoksit. Ndonëse Ninive i kohëve të kaluara ishte si një rezervuar uji, tani ata ikin. "Ndaluni, ndaluni!", bërtasin, por askush nuk kthehet. Plaçkitni argjendin, plaçkitni arin! Ka thesare pa fund, pasuri të çfarëdo sendi të çmuar. Ai është i shkretuar, bosh dhe i rrënuar; zemra ligështohet, gjunjët dridhen, ka një dhembje të madhe në të gjitha ijët dhe tërë fytyrat e tyre zverdhen. Ku është strofka e luanëve, vendi ku ushqeheshin luanët e vegjël, ku silleshin luani, luanesha dhe të vegjlit e saj dhe askush nuk i trembte? Luani shqyente për të vegjlit e tij, mbyste për luaneshat e tij dhe mbushte strofkat e tij me gjah dhe strofullat me gjënë e grabitur. "Ja, unë jam kundër teje", thotë Zoti i ushtrive, "unë do t'i djeg dhe do t'i bëj tym qerret e tua dhe shpata do të gllabërojë luanët e tu të vegjël; unë do të zhduk grabitjen tënde nga dheu dhe zëri i lajmëtarëve të tu nuk do të dëgjohet më".

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë