«Ja, mbi male,
këmba e kasnecit,
e atij që paqen shpall.
Kremtoji festat, o Judë,
përmbushi zotimet e tua,
se i poshtri nuk do të të pushtojë më,
ai mori fund krejt.
Shpartalluesi po vjen kundër teje.
Ruaji kullat, vrojtoje udhën,
ngjishi ijët e mblidhe tërë fuqinë.
Se ZOTI ia ktheu lavdinë Jakobit,
ia ktheu lavdinë Izraelit,
ndonëse grabitësit i bastisën
e të mbjellat ua rrënuan.
Shqytet e trimave kuqëlojnë,
luftëtarët në kërmëz vezullojnë.
Karrocat flakërojnë,
kur për luftë i rreshton,
heshtat i fërgëllojnë.
Të tërbuara, karrocat rrugëve vërshojnë,
lart e poshtë shesheve vrapojnë.
Duken porsi rrufeja,
turren porsi shkreptima.
I mbledh prijësit,
por rrugës ata pengohen.
Drejt mureve armiqtë shpejtojnë,
dashi gati u bë.
U hapën portat e lumenjve,
pallati mbretëror u drodh.
Ninivën e zhveshën, e rrëmbyen,
shërbëtoret e saj vajtojnë,
gugatin porsi pëllumba,
gjoksin rrahin fort.
Niniva është si liqeni
uji i të cilit shteron.
“Ndaluni! Ndaluni!”.
Por askush nuk kthehet mbrapsht.
Rrëmbeni argjend!
Rrëmbeni ar!
Thesaret nuk kanë fund,
përplot me sende të çmuara.
Bastisje, plaçkitje e shkatërrim!
Zemra mpaket, gjunjët dridhen, shtati ngjethet,
fytyrat e të gjithëve zverdhen.
Ç'po ndodh me këtë strofull luanësh,
me këtë shpellë këlyshësh luani?
Ku luani, luanesha e pjella e tyre
bridhnin pa u trazuar.
Ku luani shqyente mjaftueshëm për këlyshët
e pre për luaneshat sillte.
E mbushte shpellën me pre,
strofullin me mish të shqyer.