Vajtimet 5:1-22
Vajtimet 5:1-22 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kujtohu, o ZOT, për çfarë na gjeti, shikoje e vëreje poshtërimin tonë. Trashëgimia jonë u kaloi të huajve, shtëpitë tona të panjohurve. U bëmë jetimë pa atë, nënat tona si të veja. Për ujin na duhen para, edhe drutë e kanë një çmim. Na kanë rënë në qafë, u zalisëm e nuk gjejmë prehje. I shtrijmë dorën Egjiptit e Asirisë për t'u nginjur me bukë. Etërit tanë mëkatuan e nuk janë më, por fajin e tyre e mbartim ne. Skllevërit na sundojnë, s'ka kush na shpëton prej dorës së tyre. Luajmë me jetën për bukë përballë shpatës së shkretëtirës. Furrë na u bë lëkura nga zhegu i urisë. Gratë u dhunuan në Sion, vashat në qytetet e Judës. Princat i varën me duart e veta, pleqtë nuk i nderojnë. Të rinjtë mbartin mokrën, djelmoshat luhaten nën barrën e druve. Pleqtë nuk dalin te portat, rinia e la muzikën. Zemrës sonë iu shua gëzimi, vallja na u kthye në zi. Kurora na ra nga koka, mjerë ne, se mëkatuam. Prandaj na u mek zemra, prandaj na u errën sytë, se u shkretua mali i Sionit, dhelprat enden nëpër të. Por ti, o ZOT, mbetesh përgjithmonë, froni yt, brez pas brezi. Pse na harrove fare? A do të na braktisësh gjatë? Na kthe te ti, o ZOT, e ne do të kthehemi, përtëriji ditët tona si dikur. Mos na ke dëbuar përgjithmonë dhe je tejet i zemëruar me ne?
Vajtimet 5:1-22 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kujto, o Zot, atë që na ka ndodhur, shiko dhe vër re turpin tonë. Trashëgimia jonë u ka kaluar të huajve, shtëpitë tona njerëzve që nuk janë tanët. Ne u bëmë jetimë, pa etër, nënat tona janë si të veja. Duhet të paguajmë për ujët që pimë, drutë tona i kemi vetëm me pagesë. Na ndjekin me një zgjedhë mbi qafë, jemi të rraskapitur dhe nuk kemi fare pushim. I kemi shtrirë dorën Egjiptit dhe Asirisë për t'u ngopur me bukë. Etërit tanë kanë mëkatuar dhe nuk janë më, dhe ne mbajmë ndëshkimin për paudhësitë e tyre. Skllevërit sundojnë mbi ne, askush nuk mund të na çlirojë nga duart e tyre. E nxjerrim bukën duke rrezikuar jetën tonë, përpara shpatës së shkretëtirës. Lëkura jonë është ngrohur si në një furrë për shkak të valës së urisë. Kanë dhunuar gratë në Sion, virgjëreshat në qytetet e Judës. Krerët janë varur nga duart e tyre, fytyrat e pleqve nuk janë respektuar. Të rinjtë i vunë të bluajnë, të vegjlit u rrëzuan nën barrën e druve. Pleqtë nuk mblidhen më te porta, të rinjtë nuk u bien më veglave të tyre. Gëzimi i zemrave tona është pakësuar, vallja jonë është shndërruar në zi. Kurora ka rënë nga koka jonë; mjerë ne, sepse kemi mëkatuar! Prandaj u sëmur zemra jonë, për këto gjëra na janë errësuar sytë: për malin e Sionit që është i shkretuar dhe në të cilin sillen dhelprat. Por ti, o Zot, mbetesh për jetë, dhe froni yt brez pas brezi. Pse do të na harroje për jetë dhe do të na braktisje për një kohë të gjatë? Na bëj që të rikthehemi te ti, o Zot, dhe ne do të kthehemi; rivendos ditët tona si në të kaluarën. Mos vallë na hodhe poshtë fare apo je zemëruar me të madhe kundër nesh?