Kujtohu, o ZOT, për çfarë na gjeti,
shikoje e vëreje poshtërimin tonë.
Trashëgimia jonë u kaloi të huajve,
shtëpitë tona të panjohurve.
U bëmë jetimë pa atë,
nënat tona si të veja.
Për ujin na duhen para,
edhe drutë e kanë një çmim.
Na kanë rënë në qafë,
u zalisëm e nuk gjejmë prehje.
I shtrijmë dorën Egjiptit e Asirisë
për t'u nginjur me bukë.
Etërit tanë mëkatuan e nuk janë më,
por fajin e tyre e mbartim ne.
Skllevërit na sundojnë,
s'ka kush na shpëton prej dorës së tyre.
Luajmë me jetën për bukë
përballë shpatës së shkretëtirës.
Furrë na u bë lëkura
nga zhegu i urisë.
Gratë u dhunuan në Sion,
vashat në qytetet e Judës.
Princat i varën me duart e veta,
pleqtë nuk i nderojnë.
Të rinjtë mbartin mokrën,
djelmoshat luhaten nën barrën e druve.
Pleqtë nuk dalin te portat,
rinia e la muzikën.
Zemrës sonë iu shua gëzimi,
vallja na u kthye në zi.
Kurora na ra nga koka,
mjerë ne, se mëkatuam.
Prandaj na u mek zemra,
prandaj na u errën sytë,
se u shkretua mali i Sionit,
dhelprat enden nëpër të.
Por ti, o ZOT, mbetesh përgjithmonë,
froni yt, brez pas brezi.
Pse na harrove fare?
A do të na braktisësh gjatë?
Na kthe te ti, o ZOT, e ne do të kthehemi,
përtëriji ditët tona si dikur.
Mos na ke dëbuar përgjithmonë
dhe je tejet i zemëruar me ne?