Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 5:1-31

Gjyqtarët 5:1-31 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Atë ditë Debora dhe Baraku, biri i Abinoamit, kënduan këtë këngë: «Kur krelat nuk priten në Izrael, kur populli kushtohet me gjithë shpirt, bekojeni ZOTIN. Dëgjoni, o mbretër, mbani vesh, o prijës! Unë do t'i këndoj ZOTIT, do t'i thur himne ZOTIT, Perëndisë së Izraelit. O ZOT, kur dole prej Seirit, kur marshove prej fushës së Edomit, u trondit toka, pikuan qiejt, retë rrëke ujërash derdhën. Para ZOTIT të Sinait u drodhën malet, para ZOTIT, Perëndisë së Izraelit. Në ditët e Shamgarit, birit të Anatit, në ditët e Jaelës, të shkreta mbetën udhët, kalimtarët shkuan shtigjeve gjarpëruese. Mungonin bujqit në Izrael, mungonin, derisa dola unë, Debora, derisa dola unë, nënë e Izraelit! Zgjodhën perëndi të reja, e lufta u erdhi te dera! Shqyt nuk u pa kurrkund, as shtizë, ndër dyzet mijë burrat e Izraelit. Zemra ime është me prijësit e Izraelit, me popullin që u kushtua me gjithë shpirt. Bekojeni ZOTIN! Ju që kalëroni mbi gomarica të bardha, ju që rrini ulur mbi qilima, ju që shkoni udhës, kumtojeni! Nga zëri i atyre që ndajnë ujin lugjeve, shpallen veprat e drejta të ZOTIT, veprat e tij të drejta për bujqit e Izraelit, teksa populli i ZOTIT zbret te portat e qytetit. Ngrihu, o Deborë, ngrihu! Ngrihu e merrja këngës! Çohu, o Barak, o biri i Abinoamit, e robëruesit robër bëji. E kush kishte mbetur u bashkua me fisnikët, tek unë populli i ZOTIT erdhi, atje mes të fortëve. Prej Efraimit erdhën ata, që rrënjët në Amalek i kishin, pas teje Benjamini u bashkua me popullin tënd, prej Makirit zbritën prijësit, prej Zabulonit marshuan luftëtarët, që skeptrin mbanin. Prijësit e Isaharit erdhën me Deborën, ashtu si Baraku, edhe Isahari nxitonte pas tij mes përmes luginës. Mes njësive të Rubenit vendosnin me gjithë zemër. Përse u ndale nëpër zjarret e staneve? Për të dëgjuar fyellin tek thërriste tufat? Mes njësive të Rubenit hetonin me gjithë zemër. Gileadi përtej Jordanit pushonte, po Dani, përse nëpër anije endet? Asheri banonte brigjeve të detit e porteve të tij mbeti. Zabuloni një popull, që jetën në rrezik vuri, Neftaliun nëpër rrafshnalta, vdekja nuk e trembi. Erdhën mbretërit në betejë, mbretërit e Kanaanit luftuan në Tanak, pranë ujërave të Megidosë, e plaçkë argjendi me vete s'morën. Prej qiellit luftuan edhe yjet, prej orbitave të veta u ndeshën me Siserin. I përlau përroi i Kishonit, përrua i lashtë përroi i Kishonit. Marsho tërë forcë, o shpirti im! Trokëllitën thundrat e kuajve nga vrapimi i vrullshëm i kalorësve trima. “Mallkojeni Merozin”, tha engjëlli i ZOTIT, “mallkojini, mallkojini banorët e tij, se nuk i erdhën në ndihmë ZOTIT, në ndihmë ZOTIT dhe trimave të tij”. Bekuar qoftë ndër gratë Jaela, gruaja e Heber Kenitit! Ndër gratë, që në tenda banojnë, e bekuar qoftë! Ujë i kërkoi e ajo qumësht i dha, në një kupë princash ajkë i solli. Dora e saj kunjin kapi, e djathta çekiçin rrëmbeu, Siserin goditi, kafkën ia çau, tëmthat tejpërtej ia shpoi. Te këmbët e saj u plandos, ra e u shtri përtokë, te këmbët e saj u plandos e u dergj, atje u këput, aty i vdekur ra. Nga dritarja vrojtonte nëna e Siserit, nga hekurat e dritares thërriste: “Përse vonon të kthehet qerrja jote? Përse kaq e ngadaltë trokëllima e thundrave?”. I përgjigjen princeshat e saj fisnike, por ajo sërish me vete thotë: “Kanë gjetur plaçkë e mes tyre po e ndajnë, nga një a dy vajza për çdo luftëtar, plaçkë lufte tërë ngjyra për Siserin, plaçkë tërë ngjyra qëndisur, tërë ngjyra qëndisur për shpatullat e plaçkitësit”. Kështu le të shfarosen të gjithë armiqtë e tu, o ZOT, e ata që të duan, të fortë si dielli qofshin!».

Gjyqtarët 5:1-31 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atë ditë Debora këndoi këtë kantik me Barakun, birin e Abinoamit, duke thënë: "Me qenë se krerët kanë marrë komandën në Izrael, me qenë se populli është ofruar spontanisht, bekoni Zotin! Dëgjoni, o mbretër! Vini veshë, o princa! Unë, pikërisht unë, do t'i këndoj Zotit, do të këndoj lavdinë e Zotit, Perëndisë së Izraelit. O Zot, kur dole nga Seiri, kur po kapërceje fushat e Edomit, toka u drodh dhe pikoi nga qiejt; po, pikoi ujë nga retë. Malet u shkrinë para Zotit, vetë Sinai u drodh para Zotit, Perëndisë të Izraelit. Në kohën e Shamgarit, birit të Anathit, në kohën e Jaelës rrugët ishin të shkreta, dhe kalimtarët ndiqnin shtigje dredha-dredha. Mungonin krerë në Izrael; po, mungonin, derisa nuk dola unë, Debora, si nënë në Izrael. Ata zgjidhnin perëndi të tjera, kur lufta ishte te pragu. Nuk shihej asnjë mburojë apo shtizë midis dyzet mijë burrave të Izraelit. Zemra ime është me ata udhëheqës të Izraelit që u ofruan spontanisht në mes të popullit. Bekoni Zotin! Ju që shkoni hipur mbi gomarë të bardha, ju që rrini ulur mbi qilima të shtrenjtë, dhe ju që ecni nëpër rrugë, këndoni! Larg britmave të harkëtarëve, larg koritave, të kremtojnë veprat e drejta të Zotit, veprat e drejta për krerët e tij në Izrael! Atëherë populli i Zotit zbriti në portat. Zgjohu, zgjohu, o Debora! Zgjohu, zgjohu, dhe merrja një kënge! Çohu, o Barak, dhe çoji larg robërit e tu, o bir i Abinoamit! Atëherë iu dha qeverisja mbi fisnikët e popullit atyre që kishin mbetur; Zoti ma dha mua qeverisjen midis të fuqishmëve. Nga Efraimi erdhën ata që i kishin rrënjët tek Amaleku; në suitën tënde, Beniamin, midis njerëzve të tu; nga Makir i zbritën disa krerë dhe nga Zabuloni ata që mbajnë shkopin e komandimit. Princat e Isakarit erdhën me Deboran; ashtu siç ishte Isakari, kështu qe edhe Baraku; ata u hodhën në luginë në gjurmët e saj. Ndër divizionet e Rubenit, të mëdha ishin vendimet e zemrës! Pse mbete ti midis të ngujuarve për të dëgjuar fyellin e barinjve? Midis divizioneve të Rubenit, të mëdha ishin vendimet e zemrës! Galaadi ndaloi matanë Jordanit; po Dani pse mbeti mbi anijet? Asheri u vendos pranë bregut të detit dhe mbeti në portet e tij. Zabuloni është një popull që ka vënë në rrezik jetën e tij deri në vdekje, po kështu edhe Neftali në zonat e larta të fushës. Mbretërit erdhën dhe luftuan; atëherë luftuan mbretërit e Kanaanit dhe të Taanakit, pranë ujërave të Megidos; por nuk sollën asnjë plaçkë prej argjendi. Nga qielli luftuan yjet, gjatë lëvizjes së tyre luftuan kundër Siseras. Përroi Kishon i përmbysi, përroi i vjetër, përroi i Kishonit. Shpirti im, vepro me forcë! Atëherë thundrat e kuajve trokëllinin me forcë në galop, në galopin e pitokëve të tyre. "Mallkoni Merozin", tha Engjëlli i Zotit, "mallkoni, mallkoni banorët e tij, sepse nuk i shkuan në ndihmë Zotit, në ndihmë të Zotit në mes të trimave të tij!". E bekuar qoftë midis grave Jaela, gruaja e Heberit, keneut! Qoftë e bekuar midis grave që banojnë në çadra! Ai kërkoi ujë dhe ajo i dha qumësht; në një kupë princash i ofroi ajkë. Me një dorë kapi kunjin dhe me dorën e djathtë çekiçin e artizanëve; e goditi Siseran, i çau kokën dhe ia shpoi tejpërtej tëmthat. Te këmbët e saj ai u këput, ra dhe u dergj pa shpirt; në këmbët e saj u këput dhe ra; aty ku u këput, aty ra i vdekur. E ëma e Siseras shikoi nga dritarja dhe thirri nga hekurat e saj: "Pse qerrja jote po vonon aq shumë të vijë? Pse ecin kaq ngadalë qerret e tij?". Gratë e saj më të urta iu përgjigjën, dhe ajo përsëriti me vete fjalët e saj: "Ata kanë gjetur plaçkë dhe janë duke e ndarë në pjesë. Për çdo burrë një ose dy vajza; për Siseran një plaçkë me rroba shumëngjyrëshe, një plaçkë me rroba shumëngjyrëshe dhe të qëndisura, me rroba shumëngjyrëshe dhe të qëndisura nga të dy anët për shpatullat e atyre që bartin tutje plaçkën". Kështu u zhdukshin të gjithë armiqtë e tu, o Zot! Por ata që të duan qofshin si dielli, kur lind me gjithë forcën e tij!". Pastaj vendi pati qetësi për dyzet vjet me radhë.