Gjyqtarët 5
5
1Atë ditë Debora këndoi këtë kantik me Barakun, birin e Abinoamit, duke thënë:
2"Me qenë se krerët kanë marrë komandën në Izrael, me qenë se populli është ofruar spontanisht, bekoni Zotin!
3Dëgjoni, o mbretër! Vini veshë, o princa! Unë, pikërisht unë, do t'i këndoj Zotit, do të këndoj lavdinë e Zotit, Perëndisë së Izraelit.
4O Zot, kur dole nga Seiri, kur po kapërceje fushat e Edomit, toka u drodh dhe pikoi nga qiejt; po, pikoi ujë nga retë.
5Malet u shkrinë para Zotit, vetë Sinai u drodh para Zotit, Perëndisë të Izraelit.
6Në kohën e Shamgarit, birit të Anathit, në kohën e Jaelës rrugët ishin të shkreta, dhe kalimtarët ndiqnin shtigje dredha-dredha.
7Mungonin krerë në Izrael; po, mungonin, derisa nuk dola unë, Debora, si nënë në Izrael.
8Ata zgjidhnin perëndi të tjera, kur lufta ishte te pragu. Nuk shihej asnjë mburojë apo shtizë midis dyzet mijë burrave të Izraelit.
9Zemra ime është me ata udhëheqës të Izraelit që u ofruan spontanisht në mes të popullit. Bekoni Zotin!
10Ju që shkoni hipur mbi gomarë të bardha, ju që rrini ulur mbi qilima të shtrenjtë, dhe ju që ecni nëpër rrugë, këndoni!
11Larg britmave të harkëtarëve, larg koritave, të kremtojnë veprat e drejta të Zotit, veprat e drejta për krerët e tij në Izrael! Atëherë populli i Zotit zbriti në portat.
12Zgjohu, zgjohu, o Debora! Zgjohu, zgjohu, dhe merrja një kënge! Çohu, o Barak, dhe çoji larg robërit e tu, o bir i Abinoamit!
13Atëherë iu dha qeverisja mbi fisnikët e popullit atyre që kishin mbetur; Zoti ma dha mua qeverisjen midis të fuqishmëve.
14Nga Efraimi erdhën ata që i kishin rrënjët tek Amaleku; në suitën tënde, Beniamin, midis njerëzve të tu; nga Makir i zbritën disa krerë dhe nga Zabuloni ata që mbajnë shkopin e komandimit.
15Princat e Isakarit erdhën me Deboran; ashtu siç ishte Isakari, kështu qe edhe Baraku; ata u hodhën në luginë në gjurmët e saj. Ndër divizionet e Rubenit, të mëdha ishin vendimet e zemrës!
16Pse mbete ti midis të ngujuarve për të dëgjuar fyellin e barinjve? Midis divizioneve të Rubenit, të mëdha ishin vendimet e zemrës!
17Galaadi ndaloi matanë Jordanit; po Dani pse mbeti mbi anijet? Asheri u vendos pranë bregut të detit dhe mbeti në portet e tij.
18Zabuloni është një popull që ka vënë në rrezik jetën e tij deri në vdekje, po kështu edhe Neftali në zonat e larta të fushës.
19Mbretërit erdhën dhe luftuan; atëherë luftuan mbretërit e Kanaanit dhe të Taanakit, pranë ujërave të Megidos; por nuk sollën asnjë plaçkë prej argjendi.
20Nga qielli luftuan yjet, gjatë lëvizjes së tyre luftuan kundër Siseras.
21Përroi Kishon i përmbysi, përroi i vjetër, përroi i Kishonit. Shpirti im, vepro me forcë!
22Atëherë thundrat e kuajve trokëllinin me forcë në galop, në galopin e pitokëve të tyre.
23"Mallkoni Merozin", tha Engjëlli i Zotit, "mallkoni, mallkoni banorët e tij, sepse nuk i shkuan në ndihmë Zotit, në ndihmë të Zotit në mes të trimave të tij!".
24E bekuar qoftë midis grave Jaela, gruaja e Heberit, keneut! Qoftë e bekuar midis grave që banojnë në çadra!
25Ai kërkoi ujë dhe ajo i dha qumësht; në një kupë princash i ofroi ajkë.
26Me një dorë kapi kunjin dhe me dorën e djathtë çekiçin e artizanëve; e goditi Siseran, i çau kokën dhe ia shpoi tejpërtej tëmthat.
27Te këmbët e saj ai u këput, ra dhe u dergj pa shpirt; në këmbët e saj u këput dhe ra; aty ku u këput, aty ra i vdekur.
28E ëma e Siseras shikoi nga dritarja dhe thirri nga hekurat e saj: "Pse qerrja jote po vonon aq shumë të vijë? Pse ecin kaq ngadalë qerret e tij?".
29Gratë e saj më të urta iu përgjigjën, dhe ajo përsëriti me vete fjalët e saj:
30"Ata kanë gjetur plaçkë dhe janë duke e ndarë në pjesë. Për çdo burrë një ose dy vajza; për Siseran një plaçkë me rroba shumëngjyrëshe, një plaçkë me rroba shumëngjyrëshe dhe të qëndisura, me rroba shumëngjyrëshe dhe të qëndisura nga të dy anët për shpatullat e atyre që bartin tutje plaçkën".
31Kështu u zhdukshin të gjithë armiqtë e tu, o Zot! Por ata që të duan qofshin si dielli, kur lind me gjithë forcën e tij!". Pastaj vendi pati qetësi për dyzet vjet me radhë.
Aktualisht i përzgjedhur:
Gjyqtarët 5: ALBB
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr