Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 2:6-23

Gjyqtarët 2:6-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Jozuehu e shpërndau popullin dhe izraelitët shkuan nëpër pronat e tyre për të marrë në trashëgim tokën. Populli i shërbeu ZOTIT për sa kohë qe gjallë Jozuehu dhe për sa kohë qenë gjallë pleqtë që jetuan pas Jozuehut e i dinin të gjitha veprat që kishte bërë ZOTI për Izraelin. Jozuehu, biri i Nunit e shërbëtori i ZOTIT, vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeçare. E varrosën në tokën që kishte për pronë në Timnah Heres, në krahinën malore të Efraimit, në veri të malit Gash. I gjithë ai brez vdiq dhe u bashkua me etërit e vet. Pas tyre erdhi një brez i ri, që nuk njihte as ZOTIN, as veprat që ai kishte bërë për Izraelin. Izraelitët bënë ligësi në sytë e ZOTIT dhe u shërbyen Baalëve. Ata e braktisën ZOTIN, Perëndinë e etërve të tyre, që i nxori nga toka e Egjiptit, dhe u dhanë pas perëndive të tjerë, pas perëndive të kombeve që kishin përreth. U përkulën para këtyre perëndive dhe ndezën zemërimin e ZOTIT. E braktisën ZOTIN e i shërbyen Baalit dhe Ashtarotës. Atëherë zemërimi i ZOTIT u ndez kundër Izraelit dhe ai i la në duart e kusarëve, që i plaçkitën dhe i shitën tek armiqtë që i rrethonin. Izraelitët nuk mundën t'u bëjnë ballë armiqve. Kudo që shkonin dora e ZOTIT ishte kundër tyre dhe u sillte fatkeqësi, ashtu siç kishte thënë ZOTI dhe ashtu siç u ishte përbetuar. Izraelitët ishin në mjerim të madh. Atëherë ZOTI nxori gjyqtarë, që t'i shpëtonin nga dora e kusarëve. Ata nuk i dëgjuan as gjyqtarët, por kurvëruan me perëndi të tjerë dhe përkuleshin para tyre. Shumë shpejt e lanë udhën ku kishin ecur etërit e tyre, që i kishin mbajtur urdhërimet e ZOTIT, dhe nuk vepruan si ata. Kur ZOTI u jepte gjyqtarë, ZOTI ishte me gjyqtarin dhe i çlironte nga dora e armiqve gjatë gjithë jetës së gjyqtarit. ZOTI prekej nga rënkimet, shkaktuar nga ata që i shtypnin e i mundonin. Por, kur gjyqtari vdiste, ata kthenin sërish udhë dhe shthureshin më shumë se etërit e tyre, duke shkuar pas perëndive të tjerë, duke u shërbyer e duke u përkulur para tyre. Nuk hiqnin dorë aspak nga veprat e tyre dhe nga udha e tyre e mbrapshtë. Zemërimi i ZOTIT u ndez kundër Izraelit dhe ai tha: «Meqenëse ky komb e ka shkelur besëlidhjen që kisha bërë me etërit e tyre dhe nuk më është bindur, as unë nuk do të dëboj para tyre asnjë nga popujt, që la Jozuehu kur vdiq. Me anë të tyre do ta vë në provë Izraelin, që të shoh nëse do ta ruajnë apo jo udhën e ZOTIT, që të ecin nëpër të, ashtu siç bënë etërit e tyre». Kështu, ZOTI i la këto kombe dhe nuk i dëboi shpejt e as nuk ia dorëzoi Jozuehut.

Gjyqtarët 2:6-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Jozueu i dha urdhër popullit të largohet dhe bijtë e Izraelit shkuan secili në trashëgiminë e tij për të marrë në zotërim vendin. Populli i shërbeu Zotit gjatë gjithë jetës së Jozueut dhe gjatë gjithë jetës së pleqve që jetuan pas Jozueut, dhe që kishin parë të gjitha veprat e mëdha që Zoti kishte bërë për Izraelin. Pastaj Jozueu, bir i Nunit dhe shërbëtor i Zotit, vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeç, dhe e varrosën në territorin e trashëgimisë së tij në Timath-Heres, në krahinën malore të Efraimit, në veri të malit Gaash. Kur tërë ai brez u bashkua me etërit e vet, mbas atij doli një brez i ri që nuk e njihte Zotin, as veprat që kishte bërë për Izraelin. Bijtë e Izraelit bënë atë që ishte keq në sytë e Zotit dhe u vunë në shërbim të Baalit; ata braktisën Zotin, Perëndinë e etërve të tyre, i cili i kishte nxjerrë nga Egjipti, dhe adhuruan perëndi të tjera ndërmjet perëndive të popujve që i rrethonin, ranë përmbys para tyre dhe kështu provokuan zemërimin e Zotit; ata braktisën Zotin dhe u vunë në shërbim të Baalit dhe të Ashtarothit. Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit dhe e dha në dorë të kusarëve që e zhveshën; dhe ai i shiti në duart e armiqve të tyre që ndodheshin rreth e qark, të cilëve nuk qenë më në gjendje t'u bënin ballë. Kudo që shkonin dora e Zotit ishte kundër tyre dhe u sillte mjerime, ashtu si kishte thënë Zoti, ashtu siç u ishte betuar ai; dhe u hidhëruan shumë. Pastaj Zoti nxirrte gjyqtarë, që i lironin nga duart e atyre që i zhvishnin. Mjerisht ata nuk i dëgjonin as gjyqtarët e tyre, por kurvëroheshin përpara perëndive të tjera dhe binin përmbys para tyre. Ata braktisën shpejt rrugën e ndjekur nga etërit e tyre, të cilët u ishin bindur urdhrave të Zotit; por ata nuk vepruan ashtu. Kur Zoti u nxirrte gjyqtarë, Zoti ishte me gjyqtarin dhe i lironte nga dora e armiqve të tyre gjatë gjithë jetës së gjyqtarit; sepse Zoti prekej nga vajtimet e tyre të shkaktuara nga ata që i shtypnin dhe i mundonin. Por kur gjyqtari vdiste, ata vazhdonin të korruptoheshin më shumë se etërit e tyre, duke ndjekur perëndi të tjera dhe duke rënë përmbys para tyre; dhe nuk hiqnin dorë aspak nga veprat e tyre dhe nga sjellja e tyre kokëforte. Prandaj mëria e Zotit u ndez kundër Izraelit, dhe ai tha: "Duke qenë se ky komb ka shkelur besëlidhjen që unë kisha përfunduar me etërit e tyre dhe ata nuk i janë bindur zërit tim, edhe unë nuk do të dëboj më para tyre asnjë prej kombeve që Jozueu la kur vdiq; kështu me anë tyre do të vë në provë Izraelin për të parë në se do t'i përmbahen rrugës së Zotit dhe do të ecin në të siç bënë etërit e tyre, ose jo". Prandaj Zoti i la këto kombe të qëndrojnë aty pa i dëbuar menjëherë, dhe nuk i dha në duart e Jozueut.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë