Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 2:6-23

Gjyqtarët 2:6-23 ALBB

Jozueu i dha urdhër popullit të largohet dhe bijtë e Izraelit shkuan secili në trashëgiminë e tij për të marrë në zotërim vendin. Populli i shërbeu Zotit gjatë gjithë jetës së Jozueut dhe gjatë gjithë jetës së pleqve që jetuan pas Jozueut, dhe që kishin parë të gjitha veprat e mëdha që Zoti kishte bërë për Izraelin. Pastaj Jozueu, bir i Nunit dhe shërbëtor i Zotit, vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeç, dhe e varrosën në territorin e trashëgimisë së tij në Timath-Heres, në krahinën malore të Efraimit, në veri të malit Gaash. Kur tërë ai brez u bashkua me etërit e vet, mbas atij doli një brez i ri që nuk e njihte Zotin, as veprat që kishte bërë për Izraelin. Bijtë e Izraelit bënë atë që ishte keq në sytë e Zotit dhe u vunë në shërbim të Baalit; ata braktisën Zotin, Perëndinë e etërve të tyre, i cili i kishte nxjerrë nga Egjipti, dhe adhuruan perëndi të tjera ndërmjet perëndive të popujve që i rrethonin, ranë përmbys para tyre dhe kështu provokuan zemërimin e Zotit; ata braktisën Zotin dhe u vunë në shërbim të Baalit dhe të Ashtarothit. Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit dhe e dha në dorë të kusarëve që e zhveshën; dhe ai i shiti në duart e armiqve të tyre që ndodheshin rreth e qark, të cilëve nuk qenë më në gjendje t'u bënin ballë. Kudo që shkonin dora e Zotit ishte kundër tyre dhe u sillte mjerime, ashtu si kishte thënë Zoti, ashtu siç u ishte betuar ai; dhe u hidhëruan shumë. Pastaj Zoti nxirrte gjyqtarë, që i lironin nga duart e atyre që i zhvishnin. Mjerisht ata nuk i dëgjonin as gjyqtarët e tyre, por kurvëroheshin përpara perëndive të tjera dhe binin përmbys para tyre. Ata braktisën shpejt rrugën e ndjekur nga etërit e tyre, të cilët u ishin bindur urdhrave të Zotit; por ata nuk vepruan ashtu. Kur Zoti u nxirrte gjyqtarë, Zoti ishte me gjyqtarin dhe i lironte nga dora e armiqve të tyre gjatë gjithë jetës së gjyqtarit; sepse Zoti prekej nga vajtimet e tyre të shkaktuara nga ata që i shtypnin dhe i mundonin. Por kur gjyqtari vdiste, ata vazhdonin të korruptoheshin më shumë se etërit e tyre, duke ndjekur perëndi të tjera dhe duke rënë përmbys para tyre; dhe nuk hiqnin dorë aspak nga veprat e tyre dhe nga sjellja e tyre kokëforte. Prandaj mëria e Zotit u ndez kundër Izraelit, dhe ai tha: "Duke qenë se ky komb ka shkelur besëlidhjen që unë kisha përfunduar me etërit e tyre dhe ata nuk i janë bindur zërit tim, edhe unë nuk do të dëboj më para tyre asnjë prej kombeve që Jozueu la kur vdiq; kështu me anë tyre do të vë në provë Izraelin për të parë në se do t'i përmbahen rrugës së Zotit dhe do të ecin në të siç bënë etërit e tyre, ose jo". Prandaj Zoti i la këto kombe të qëndrojnë aty pa i dëbuar menjëherë, dhe nuk i dha në duart e Jozueut.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë