Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 2

2
Engjëlli i Zotit në Bokim
1Engjëlli i Zotit shkoi nga Gilgali në Bokim e tha: «Ju nxora nga Egjipti dhe ju solla në tokën që u premtova etërve tuaj. Ju kam thënë se nuk do ta prish kurrë besëlidhjen time me ju. 2Ju nuk duhej të bënit asnjë marrëveshje me banorët e kësaj toke dhe duhej të shkatërronit idhujt e tyre, por nuk më dëgjuat. Çfarë keni bërë? 3Ja tek po ju them se nuk do t'i dëboj para jush. Ata do të jenë si gjemba në ijët tuaja dhe perënditë e tyre do të bëhen lak për ju». 4Kur engjëlli i Zotit u tha këto fjalë izraelitëve, populli vuri kujën e vajtoi. 5Atë vend e quajtën Bokim dhe atje i kushtuan fli Zotit.
Vdekja e Jozuehut
6Jozuehu e shpërndau popullin dhe izraelitët shkuan nëpër pronat e tyre për të marrë në trashëgim tokën. 7Populli i shërbeu Zotit për sa kohë qe gjallë Jozuehu dhe për sa kohë qenë gjallë pleqtë që jetuan pas Jozuehut e i dinin të gjitha veprat që kishte bërë Zoti për Izraelin. 8Jozuehu, biri i Nunit e shërbëtori i Zotit, vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeçare. 9E varrosën në tokën që kishte për pronë në Timnah Heres, në krahinën malore të Efraimit, në veri të malit Gash. 10I gjithë ai brez vdiq dhe u bashkua me etërit e vet. Pas tyre erdhi një brez i ri, që nuk njihte as Zotin, as veprat që ai kishte bërë për Izraelin.
Braktisja e Zotit
11Izraelitët bënë ligësi në sytë e Zotit dhe u shërbyen Baalëve. 12Ata e braktisën Zotin, Perëndinë e etërve të tyre, që i nxori nga toka e Egjiptit, dhe u dhanë pas perëndive të tjerë, pas perëndive të kombeve që kishin përreth. U përkulën para këtyre perëndive dhe ndezën zemërimin e Zotit. 13E braktisën Zotin e i shërbyen Baalit dhe Ashtarotës. 14Atëherë zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit dhe ai i la në duart e kusarëve, që i plaçkitën dhe i shitën tek armiqtë që i rrethonin. Izraelitët nuk mundën t'u bëjnë ballë armiqve. 15Kudo që shkonin dora e Zotit ishte kundër tyre dhe u sillte fatkeqësi, ashtu siç kishte thënë Zoti dhe ashtu siç u ishte përbetuar. Izraelitët ishin në mjerim të madh.
16Atëherë Zoti nxori gjyqtarë, që t'i shpëtonin nga dora e kusarëve. 17Ata nuk i dëgjuan as gjyqtarët, por kurvëruan me perëndi të tjerë dhe përkuleshin para tyre. Shumë shpejt e lanë udhën ku kishin ecur etërit e tyre, që i kishin mbajtur urdhërimet e Zotit, dhe nuk vepruan si ata. 18Kur Zoti u jepte gjyqtarë, Zoti ishte me gjyqtarin dhe i çlironte nga dora e armiqve gjatë gjithë jetës së gjyqtarit. Zoti prekej nga rënkimet, shkaktuar nga ata që i shtypnin e i mundonin. 19Por, kur gjyqtari vdiste, ata kthenin sërish udhë dhe shthureshin më shumë se etërit e tyre, duke shkuar pas perëndive të tjerë, duke u shërbyer e duke u përkulur para tyre. Nuk hiqnin dorë aspak nga veprat e tyre dhe nga udha e tyre e mbrapshtë. 20Zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit dhe ai tha: «Meqenëse ky komb e ka shkelur besëlidhjen që kisha bërë me etërit e tyre dhe nuk më është bindur, 21as unë nuk do të dëboj para tyre asnjë nga popujt, që la Jozuehu kur vdiq. 22Me anë të tyre do ta vë në provë Izraelin, që të shoh nëse do ta ruajnë apo jo udhën e Zotit, që të ecin nëpër të, ashtu siç bënë etërit e tyre». 23Kështu, Zoti i la këto kombe dhe nuk i dëboi shpejt e as nuk ia dorëzoi Jozuehut.

Aktualisht i përzgjedhur:

Gjyqtarët 2: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr