Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 1

1
Izraeli lufton me kananitët e mbetur
1Pas vdekjes së Jozuehut, izraelitët e pyetën Zotin: «Kush nga ne duhet të dalë i pari në luftë kundër kananitëve?». 2Zoti iu përgjigj: «I pari do të dalë Juda. Ja, unë ia kam dorëzuar tokën». 3Fisi i Judës i tha fisit të Simeonit, vëllait të vet: «Dil me mua për të luftuar kundër kananitëve për pjesën time të trashëgimisë dhe pastaj do të dal edhe unë me ty për pjesën tënde». Fisi i Simeonit shkoi me të. 4Fisi i Judës doli për luftë dhe Zoti u dorëzoi kananitët dhe perizitët. Në Bezek ata vranë dhjetë mijë burra. 5Në Bezek gjetën Adonibezekun. E sulmuan dhe mposhtën kananitët e perizitët. 6Adonibezeku mori arratinë, por ata iu vunë pas, e kapën dhe i prenë gishtërinjtë e mëdhenj të duarve dhe të këmbëve. 7Atëherë Adonibezeku tha: «Shtatëdhjetë mbretërve ua preva gishtërinjtë e mëdhenj të duarve dhe të këmbëve e ata mblidhnin thërrime nën tryezën time. Siç ua bëra unë atyre, po ma bën Perëndia mua». Pastaj e sollën në Jerusalem, ku edhe vdiq.
8Pasardhësit e Judës sulmuan Jerusalemin dhe e pushtuan. Banorët i vranë me shpatë, ndërsa qytetit i vunë flakën. 9Më pas ata sulmuan kananitët që banonin në malësi, në Negev dhe në ultësirë. 10Pastaj fisi i Judës sulmoi kananitët që banonin në Hebron, i cili më parë quhej Kirjat Arba. Aty mposhtën Sheshain, Ahimanin e Talmain.
11Mandej marshoi kundër banorëve të Debirit, i cili më parë quhej Kirjat Sefer. 12Atëherë Kalebi tha: «Atij që do të pushtojë Kirjat Seferin do t'i jap për grua time bijë, Aksahanë». 13Qytetin e pushtoi Otnieli, biri i Kenazit, vëllai i vogël i Kalebit, dhe Kalebi i dha për grua të bijën, Aksahanë. 14Kur ajo erdhi tek Otnieli, ai e nxiti që t'i kërkonte të atit një arë. Ndërsa zbriste nga gomari, Kalebi e pyeti: «Çfarë ke?». 15Ajo i tha: «Më jep një gjë si bekim. Më ke dhënë tokë në Negev, por dua të më japësh edhe ndonjë burim uji». Atëherë Kalebi i dha burimet e sipërme dhe burimet e poshtme.
16Pasardhësit e Keniut, vjehrrit të Moisiut, u larguan nga qyteti i Palmave bashkë me pasardhësit e Judës dhe shkuan të banonin me popullin në shkretëtirën e Judës, në Negev të Aradit. 17Fisi i Judës marshoi bashkë me fisin e Simeonit, vëllait të vet, dhe së bashku sulmuan kananitët që banonin në Cepat. Cepatin e shkatërruan plotësisht dhe e quajtën Hormah. 18Pastaj fisi i Judës pushtoi Gazën me rrethina, Ashkelonin me rrethina dhe Ekronin me rrethina. 19Zoti ishte me fisin e Judës dhe Juda e pushtoi malësinë, por banorët e ultësirës nuk mundi t'i dëbojë, sepse kishin qerre hekuri. 20Hebronin ia dhanë Kalebit, siç kishte thënë Moisiu, dhe Kalebi i dëboi të tre bijtë e Anakut. 21Pasardhësit e Benjaminit nuk mundën t'i dëbojnë jebusitët që banonin në Jerusalem, prandaj edhe jebusitët banojnë në Jerusalem bashkë me pasardhësit e Benjaminit edhe sot e kësaj dite.
22Pasardhësit e Jozefit shkuan në Betel dhe Zoti ishte me ta. 23Ata kishin dërguar më parë njerëz që ta përgjonin qytetin. Beteli quhej më parë Luz. 24Përgjuesit panë një njeri që po dilte nga qyteti e i thanë: «Ti na trego si të hyjmë në qytet e ne do të tregohemi të mëshirshëm me ty». 25Atëherë u tregoi si të hynin në qytet dhe i vranë me shpatë banorët e qytetit. Atë e lanë të ikte me gjithë familjen e tij. 26Ai njeri shkoi në vendin e hititëve dhe ndërtoi një qytet, të cilin e quajti Luz, emër që e mban edhe sot e kësaj dite.
27Fisi i Manaseut nuk mundi të dëbonte banorët e Bet Sheanit, Tanakut, Dorit, Ibleamit dhe Megidosë, si edhe të fshatrave përreth tyre, sepse kananitët ishin treguar të vendosur të banonin në atë vend. 28Kur izraelitët u bënë më të fortë, i kthyen kananitët në robër pune, por nuk i dëbuan plotësisht.
29Fisi i Efraimit nuk mundi t'i dëbonte kananitët që banonin në Gezer, prandaj dhe kananitët banojnë mes tyre në Gezer.
30Fisi i Zabulonit nuk mundi t'i dëbonte banorët e Kitronit dhe të Nahalolit. Kananitët banojnë mes tyre dhe u bënë robër pune.
31Fisi i Asherit nuk i dëboi dot banorët e Akosë, Sidonit, Ahlabit, Akzibit, Helbahut, Afikut dhe Rehobit, 32prandaj dhe, për shkak se nuk i dëboi dot, fisi i Asherit banon mes kananitëve, banorëve të asaj toke.
33Fisi i Neftaliut nuk i dëboi dot banorët e Bet Shemeshit dhe të Bet Anatit, por banoi mes kananitëve, banorëve të asaj toke. Banorët e Bet Shemeshit dhe të Bet Anatit u bënë robër pune për ta.
34Amoritët i shtynë pasardhësit e Danit nëpër male dhe nuk i lanë të zbrisnin në luginë. 35Ata ishin të vendosur për të banuar në malin Heres, në Ajalon dhe në Shalbim. Por, kur pasardhësit e Jozefit u bënë më të fuqishëm, i detyruan amoritët të punonin për ta. 36Kufiri i amoritëve shtrihej nga e përpjeta e Akrabimit, nga Selau e lart.

Aktualisht i përzgjedhur:

Gjyqtarët 1: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr