Gjyqtarët 15:1-20
Gjyqtarët 15:1-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pas njëfarë kohe, gjatë të korrave, Samsoni shkoi për të parë gruan dhe i solli një kec. Kërkoi të hynte në dhomën e së shoqes, por i ati i saj nuk e lejoi e i tha: «Unë mendova se nuk e doje më, prandaj dhe ia dhashë për grua shokut tënd. A nuk të duket më e bukur motra e saj e vogël? Martohu më mirë me të». Samsoni iu përgjigj: «Këtë herë nuk do t'u kem asnjë faj filistinëve, po t'u bëj ndonjë të keqe». Mandej shkoi e zuri treqind dhelpra dhe mori disa pishtarë. I lidhi dhelprat dy e nga dy për bishti dhe te lidhja e bishtave vuri nga një pishtar. Pastaj ndezi pishtarët dhe i lëshoi dhelprat nëpër arat e grurit të filistinëve. Duajt dhe arat e grurit, vreshtat dhe ullinjtë u dogjën flakë. Filistinët pyetën: «Kush e bëri këtë?». U thanë: «Samsoni, dhëndri i Timnitit, se ky ia mori gruan dhe ia dha shokut të tij». Atëherë filistinët shkuan dhe e dogjën gruan e Samsonit bashkë me të atin. Samsoni u tha filistinëve: «Meqë vepruat kështu, nuk do të prehem derisa të kem marrë hak ndaj jush». I sulmoi pa mëshirë e bëri kërdinë. Pastaj shkoi të banojë në shpellën e shkëmbit të Etamit. Atëherë filistinët shkuan në Judë dhe ngritën fushimin deri pranë Lehit. Burrat e fisit të Judës u thanë: «Përse keni ardhur të na sulmoni?». Ata u përgjigjën: «Kemi ardhur të lidhim Samsonin dhe të hakmerremi për atë që na bëri». Tre mijë burra nga fisit i Judës shkuan te shpella e shkëmbit të Etamit e i thanë Samsonit: «A nuk e di ti se filistinët janë sunduesit tanë? Ç'na bëre?». Samsoni iu përgjigj: «Ua bëra siç ma bënë». Ata i thanë: «Kemi ardhur të të lidhim e të të dorëzojmë te filistinët». Ai u tha: «M'u betoni se nuk do të më vrisni». Ata i thanë: «Jo, duam vetëm të të lidhim e të të dorëzojmë tek ata». E lidhën me dy litarë dhe e nxorën nga shpella. Kur Samsoni mbërriti në Lehi, filistinët e pritën me britma ngazëllimi. Atëherë shpirti i ZOTIT e pushtoi Samsonin, ndërsa litarët, që e mbanin lidhur, u bënë si fije liri të djegura në zjarr. Edhe zinxhirët iu shkëputën nga duart. Atëherë ai gjeti një nofull gomari ende të freskët, zgjati dorën, e mori dhe me të goditi një mijë burra. Dhe Samsoni tha: «Me një nofull gomari, pirgje-pirgje i bëra, me një nofull gomari, një mijë burra vrava». Kur mbaroi së foluri, e hodhi tej nofullën. Atë vend e quajti Ramat Lehi. Samsonin e zuri një etje e madhe, prandaj dhe i thirri në ndihmë ZOTIT: «Përmes shërbëtorit tënd solle një fitore kaq të madhe. Mos duhet të vdes tani nga etja e të bie në duart e të parrethprerëve?». Atëherë Perëndia çau shkëmbin e lugët të Lehit dhe prej tij doli ujë. Si piu ujë, Samsonit iu përtërit shpirti dhe iu rikthyen fuqitë, prandaj e quajti atë burim En Hakore. Ai burim është në Lehi edhe sot e kësaj dite. Samsoni qe gjyqtar në Izrael në kohën e filistinëve për njëzet vjet.
Gjyqtarët 15:1-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Mbas një farë kohe, kur korret gruri, Sansoni shkoi të vizitojë të shoqen, duke pasur me vete një kec, dhe tha: "Dua të hyj në dhomë te gruaja ime". Por i ati i saj nuk e lejoi të hyjë, dhe i tha: "Mendoja pikërisht që ti e urren, prandaj ia dhashë shokut tënd; a nuk është më e bukur motra e saj më e vogël? Merre, pra, në vend të saj". Sansoni iu përgjigj atyre: "Këtë herë nuk do të kem asnjë faj ndaj filistenjve në rast se do t'u bëj ndonjë të keqe". Kështu Sansoni shkoi dhe kapi treqind dhelpra; pastaj mori pishtarë, i ktheu dhelprat bisht më bisht dhe i vuri nga një pishtar midis dy bishtave. Pastaj ndezi pishtarët dhe i la dhelprat të iknin nëpër fushat e grurit të filistenjve, dhe dogji demetet dhe grurin akoma në këmbë madje edhe vreshtat dhe ullishtat. Atëherë filistenjtë pyetën: "Kush e bëri këtë?". Morën këtë përgjigje: "Sansoni, dhëndri i burrit të Timnahut, sepse ky mori gruan dhe ia dha si bashkëshorte shokut të tij". Kështu filistenjtë u ngritën dhe i vunë flakën asaj dhe atit të saj. Sansoni u tha atyre: "Me qenë se keni bërë këtë gjë, unë do të hakmerrem sigurisht kundër jush dhe pastaj do të rri". Kështu i goditi në mënyrë të pamëshirshme, duke bërë kërdi të madhe. Pastaj zbriti dhe qëndroi në shpellën e shkëmbit të Etamit. Atëherë filistenjtë dolën, ngritën kampin e tyre në Juda dhe u shtrinë deri në Lehi. Njerëzit e Judës u thanë atyre: "Pse dolët kundër nesh?". Ata iu përgjigjën: "Dolëm për të kapur Sansonin dhe për t'i bërë atij atë që ai na ka bërë neve". Atëherë tre mijë burra të Judës zbritën në shpellën e shkëmbit të Etamit dhe i thanë Sansonit: "Nuk e di që filistenjtë na sundojnë? Çfarë na bëre kështu?". Ai u përgjigj kështu: "Atë që më bënë mua, unë ua bëra atyre". Ata i thanë: "Ne kemi zbritur që të të kapim dhe të të dorëzojmë në duart e filistenjve". Sansoni u përgjigj: "Betohuni që ju nuk do të më vrisni". Atëherë ata i folën duke thënë: "Jo, vetëm do të të lidhim dhe do të të dorëzojmë në duart e tyre; por me siguri nuk do të të vrasim". Kështu e lidhën me dy litarë të rinj dhe e nxorën nga shpella. Kur arriti në Lehi, filistenjtë i dolën përpara me klithma gëzimi; por Fryma e Zotit erdhi fuqishëm mbi të dhe litarët që kishte në krahë u bënë si fije liri që digjen; dhe lidhjet i ranë nga duart. Gjeti pastaj një nofull gomari akoma të freskët, shtriu dorën dhe e kapi; me të vrau një mijë njerëz. Atëherë Sansoni tha: "Me një nofull gomari, pirgje mbi pirgje! Me një nofull gomari vrava një mijë njerëz". Kur mbaroi së foluri hodhi nofullën dhe e quajti atë vend Ramath-Lehi. Pastaj pati një etje të madhe dhe kërkoi ndihmën e Zotit, duke thënë: "Ti lejove këtë çlirim të madh me dorën e shërbëtorit tënd, por a duhet të vdes unë tani nga etja dhe të bie në duart e atyre që nuk janë rrethprerë?". Atëherë Perëndia çau shkëmbin e lugët që ndodhet në Lehi dhe doli ujë prej tij. Ai piu ujë, fryma i tij u gjallërua dhe ai mori jetë. Prandaj e quajti këtë burim En-Hakore; ajo ekziston në Lehi edhe sot. Sansoni qe gjyqtar i Izraelit për njëzet vjet në kohën e filistenjve.