Mbas një farë kohe, kur korret gruri, Sansoni shkoi të vizitojë të shoqen, duke pasur me vete një kec, dhe tha: "Dua të hyj në dhomë te gruaja ime". Por i ati i saj nuk e lejoi të hyjë, dhe i tha: "Mendoja pikërisht që ti e urren, prandaj ia dhashë shokut tënd; a nuk është më e bukur motra e saj më e vogël? Merre, pra, në vend të saj". Sansoni iu përgjigj atyre: "Këtë herë nuk do të kem asnjë faj ndaj filistenjve në rast se do t'u bëj ndonjë të keqe". Kështu Sansoni shkoi dhe kapi treqind dhelpra; pastaj mori pishtarë, i ktheu dhelprat bisht më bisht dhe i vuri nga një pishtar midis dy bishtave. Pastaj ndezi pishtarët dhe i la dhelprat të iknin nëpër fushat e grurit të filistenjve, dhe dogji demetet dhe grurin akoma në këmbë madje edhe vreshtat dhe ullishtat. Atëherë filistenjtë pyetën: "Kush e bëri këtë?". Morën këtë përgjigje: "Sansoni, dhëndri i burrit të Timnahut, sepse ky mori gruan dhe ia dha si bashkëshorte shokut të tij". Kështu filistenjtë u ngritën dhe i vunë flakën asaj dhe atit të saj. Sansoni u tha atyre: "Me qenë se keni bërë këtë gjë, unë do të hakmerrem sigurisht kundër jush dhe pastaj do të rri". Kështu i goditi në mënyrë të pamëshirshme, duke bërë kërdi të madhe. Pastaj zbriti dhe qëndroi në shpellën e shkëmbit të Etamit. Atëherë filistenjtë dolën, ngritën kampin e tyre në Juda dhe u shtrinë deri në Lehi. Njerëzit e Judës u thanë atyre: "Pse dolët kundër nesh?". Ata iu përgjigjën: "Dolëm për të kapur Sansonin dhe për t'i bërë atij atë që ai na ka bërë neve". Atëherë tre mijë burra të Judës zbritën në shpellën e shkëmbit të Etamit dhe i thanë Sansonit: "Nuk e di që filistenjtë na sundojnë? Çfarë na bëre kështu?". Ai u përgjigj kështu: "Atë që më bënë mua, unë ua bëra atyre". Ata i thanë: "Ne kemi zbritur që të të kapim dhe të të dorëzojmë në duart e filistenjve". Sansoni u përgjigj: "Betohuni që ju nuk do të më vrisni". Atëherë ata i folën duke thënë: "Jo, vetëm do të të lidhim dhe do të të dorëzojmë në duart e tyre; por me siguri nuk do të të vrasim". Kështu e lidhën me dy litarë të rinj dhe e nxorën nga shpella. Kur arriti në Lehi, filistenjtë i dolën përpara me klithma gëzimi; por Fryma e Zotit erdhi fuqishëm mbi të dhe litarët që kishte në krahë u bënë si fije liri që digjen; dhe lidhjet i ranë nga duart. Gjeti pastaj një nofull gomari akoma të freskët, shtriu dorën dhe e kapi; me të vrau një mijë njerëz. Atëherë Sansoni tha: "Me një nofull gomari, pirgje mbi pirgje! Me një nofull gomari vrava një mijë njerëz". Kur mbaroi së foluri hodhi nofullën dhe e quajti atë vend Ramath-Lehi. Pastaj pati një etje të madhe dhe kërkoi ndihmën e Zotit, duke thënë: "Ti lejove këtë çlirim të madh me dorën e shërbëtorit tënd, por a duhet të vdes unë tani nga etja dhe të bie në duart e atyre që nuk janë rrethprerë?". Atëherë Perëndia çau shkëmbin e lugët që ndodhet në Lehi dhe doli ujë prej tij. Ai piu ujë, fryma i tij u gjallërua dhe ai mori jetë. Prandaj e quajti këtë burim En-Hakore; ajo ekziston në Lehi edhe sot. Sansoni qe gjyqtar i Izraelit për njëzet vjet në kohën e filistenjve.
Lexo Gjyqtarët 15
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Gjyqtarët 15:1-20
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video