Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 15

15
Hakmarrja e Samsonit
1Pas njëfarë kohe, gjatë të korrave, Samsoni shkoi për të parë gruan dhe i solli një kec. Kërkoi të hynte në dhomën e së shoqes, por i ati i saj nuk e lejoi 2e i tha: «Unë mendova se nuk e doje më, prandaj dhe ia dhashë për grua shokut tënd. A nuk të duket më e bukur motra e saj e vogël? Martohu më mirë me të». 3Samsoni iu përgjigj: «Këtë herë nuk do t'u kem asnjë faj filistinëve, po t'u bëj ndonjë të keqe». 4Mandej shkoi e zuri treqind dhelpra dhe mori disa pishtarë. I lidhi dhelprat dy e nga dy për bishti dhe te lidhja e bishtave vuri nga një pishtar. 5Pastaj ndezi pishtarët dhe i lëshoi dhelprat nëpër arat e grurit të filistinëve. Duajt dhe arat e grurit, vreshtat dhe ullinjtë u dogjën flakë. 6Filistinët pyetën: «Kush e bëri këtë?». U thanë: «Samsoni, dhëndri i Timnitit, se ky ia mori gruan dhe ia dha shokut të tij». Atëherë filistinët shkuan dhe e dogjën gruan e Samsonit bashkë me të atin. 7Samsoni u tha filistinëve: «Meqë vepruat kështu, nuk do të prehem derisa të kem marrë hak ndaj jush». 8I sulmoi pa mëshirë e bëri kërdinë. Pastaj shkoi të banojë në shpellën e shkëmbit të Etamit.
9Atëherë filistinët shkuan në Judë dhe ngritën fushimin deri pranë Lehit. 10Burrat e fisit të Judës u thanë: «Përse keni ardhur të na sulmoni?». Ata u përgjigjën: «Kemi ardhur të lidhim Samsonin dhe të hakmerremi për atë që na bëri». 11Tre mijë burra nga fisit i Judës shkuan te shpella e shkëmbit të Etamit e i thanë Samsonit: «A nuk e di ti se filistinët janë sunduesit tanë? Ç'na bëre?». Samsoni iu përgjigj: «Ua bëra siç ma bënë». 12Ata i thanë: «Kemi ardhur të të lidhim e të të dorëzojmë te filistinët». Ai u tha: «M'u betoni se nuk do të më vrisni». 13Ata i thanë: «Jo, duam vetëm të të lidhim e të të dorëzojmë tek ata». E lidhën me dy litarë dhe e nxorën nga shpella.
14Kur Samsoni mbërriti në Lehi, filistinët e pritën me britma ngazëllimi. Atëherë shpirti i Zotit e pushtoi Samsonin, ndërsa litarët, që e mbanin lidhur, u bënë si fije liri të djegura në zjarr. Edhe zinxhirët iu shkëputën nga duart. 15Atëherë ai gjeti një nofull gomari ende të freskët, zgjati dorën, e mori dhe me të goditi një mijë burra. 16Dhe Samsoni tha:
«Me një nofull gomari,
pirgje-pirgje i bëra,
me një nofull gomari,
një mijë burra vrava».
17Kur mbaroi së foluri, e hodhi tej nofullën. Atë vend e quajti Ramat Lehi.
18Samsonin e zuri një etje e madhe, prandaj dhe i thirri në ndihmë Zotit: «Përmes shërbëtorit tënd solle një fitore kaq të madhe. Mos duhet të vdes tani nga etja e të bie në duart e të parrethprerëve?». 19Atëherë Perëndia çau shkëmbin e lugët të Lehit dhe prej tij doli ujë. Si piu ujë, Samsonit iu përtërit shpirti dhe iu rikthyen fuqitë, prandaj e quajti atë burim En Hakore. Ai burim është në Lehi edhe sot e kësaj dite. 20Samsoni qe gjyqtar në Izrael në kohën e filistinëve për njëzet vjet.

Aktualisht i përzgjedhur:

Gjyqtarët 15: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë