Gjyqtarët 16
16
Portat e Gazës dhe Dalila
1Mandej Samsoni shkoi në Gazë. Atje pa një lavire dhe shkoi me të. 2Kur u thanë banorëve të Gazës se Samsoni ishte atje, ata rrethuan qytetin dhe i zunë pusi. Pritën gjithë natën te portat e qytetit, që ta vrisnin kur të agonte. 3Samsoni fjeti deri në mesnatë. Pastaj u ngrit nga mesi i natës, mbërtheu portën e qytetit dhe e shkuli bashkë me dy shtalkat e me shulin. Pastaj e hodhi mbi shpatulla dhe e çoi në majë të malit përballë Hebronit.
4Pas kësaj, Samsoni ra në dashuri me një grua që jetonte në Sorek. Ajo quhej Dalila. 5Prijësit e filistinëve shkuan tek ajo e i thanë: «Mbushja mendjen të të tregojë nga i vjen tërë ajo fuqi. Na trego si mund ta mposhtim, ta lidhim e ta vëmë poshtë dhe do të të japim nga një mijë e njëqind monedha argjendi secili». 6Kështu, Dalila i tha Samsonit: «Të lutem, më trego nga të vjen tërë kjo fuqi dhe si mund të lidhesh e të mposhtesh?». 7Samsoni i tha: «Nëse më lidhin me shtatë tela të freskët harku, të patharë ende, më humbet fuqia e bëhem si njerëzit e tjerë». 8Prijësit e filistinëve i sollën Dalilës shtatë tela të freskët harku, të patharë ende, dhe ajo e lidhi Samsonin me to. 9Disa filistinë zunë pritë në një nga dhomat e shtëpisë dhe Dalila i thirri Samsonit: «Samson, po të sulmojnë filistinët». Atëherë Samsoni i këputi telat e harkut, si fije liri pranë zjarrit. Kështu, e fshehta e fuqisë së tij mbeti e panjohur.
10Dalila i tha Samsonit: «U talle me mua e më the gënjeshtra. Më thuaj, pra, me çfarë mund të lidhesh?». 11Ai iu përgjigj: «Nëse më lidhin me litarë të rinj, që nuk janë përdorur kurrë, më humbet fuqia e bëhem si njerëzit e tjerë». 12Atëherë Dalila mori litarë të rinj, e lidhi me to dhe bërtiti: «Samson, po të sulmojnë filistinët». Ndërkohë që disa filistinë kishin zënë pritë në një nga dhomat e shtëpisë. Samsoni i këputi litarët si të ishin fije peri.
13Atëherë Dalila i tha Samsonit: «Deri tani je tallur me mua e më ke thënë gënjeshtra. Tregomë me çfarë mund të lidhesh?». Ai iu përgjigj: «Duke thurur me kunjin e tezgjahut shtatë gërsheta në kokën time». 14Dalila ia thuri gërshetat dhe ia lidhi me kunjin e tezgjahut. Pastaj bërtiti: «Samson, po të sulmojnë filistinët». Samsoni u ngrit nga gjumi dhe e shkuli kunjin e tezgjahut me gjithë tezgjah.
15Dalila i tha Samsonit: «Si mund të thuash se më do, kur zemra jote nuk është me mua? Më gënjeve tri herë dhe nuk ma tregove se ku qëndron fuqia jote e madhe». 16Ajo e mërziste çdo ditë me fjalë dhe e ngacmonte pa pushim, aq sa Samsoni u pikëllua për vdekje, 17i hapi zemrën e i tha: «Kokën time nuk e ka prekur kurrë brisku, sepse i jam kushtuar Perëndisë si nazireas, që në bark të nënës. Nëse rruhem, më ikën fuqia dhe bëhem i dobët si njerëzit e tjerë».
18Dalila pa se Samsoni i kishte folur me zemër të hapur dhe u çoi fjalë prijësve të filistinëve që të vinin, sepse Samsoni i kishte folur me zemër të hapur. Ata shkuan tek Dalila me monedhat e argjendit në dorë. 19Dalila e vuri Samsonin në gjumë mbi prehrin e saj dhe thirri dikë që i rroi të shtatë gërshetat e flokëve. Atëherë ajo filloi ta nënshtrojë Samsonin, sepse atë e lanë fuqitë. 20Pastaj bërtiti: «Samson, po të sulmojnë filistinët». Samsoni u ngrit nga gjumi, duke menduar se do të dilte e do të shpëtonte si herët e tjera, por nuk e dinte se Zoti ishte larguar prej tij. 21Kështu. filistinët e kapën, i nxorën sytë dhe e çuan në Gazë. E ndrynë në burg, e lidhën me vargonj bronzi dhe e vunë të rrotullojë mokrën. 22Ndërkohë, flokët e rruar filluan t'i rriteshin sërish.
Vdekja e Samsonit
23Prijësit filistinë u mblodhën për t'i kushtuar një fli të madhe Dagonit, perëndisë së tyre, dhe për të festuar, sepse thoshin se perëndia i tyre ua kishte dorëzuar Samsonin, armikun e tyre. 24Kur e pa, populli përlëvdonte perëndinë e vet, duke thënë: «Perëndia ynë na e dorëzoi armikun, atë që shkatërronte arat tona, atë që vrau shumë nga njerëzit tanë». 25Shumë të gëzuar, ata thanë: «Silleni Samsonin të na argëtojë». E sollën Samsonin nga burgu, që t'i argëtonte, dhe e lidhën te shtyllat e tempullit. 26Atëherë Samsoni i tha djaloshit që e mbante për dore: «Lërmë të prek shtyllat e tempullit, që të mbështetem pak». 27Tempulli ishte i mbushur plot me burra e gra. Aty ishin edhe të gjithë prijësit e filistinëve dhe mbi çati gjendeshin rreth tre mijë vetë, burra e gra, që shikonin Samsonin tek i argëtonte.
28Atëherë Samsoni i thirri Zotit e i tha: «O Zot, Zoti im, të lutem kujtohu për mua. Më jep edhe një herë fuqi, o Perëndia im, që të marr hak ndaj filistinëve për veten time dhe për dy sytë e mi». 29Samsoni mbërtheu dy shtyllat e mesit që mbanin tempullin, njërën me krahun e djathtë e tjetrën me krahun e majtë, 30e tha: «Le të vdes bashkë me filistinët!». I shtyu shtyllat me sa fuqi pati dhe tempulli u shemb mbi prijësit e filistinëve e mbi gjithë popullin që ishte në të. Samsoni vrau me vdekjen e vet më shumë sesa vrau gjatë gjithë jetës së tij. 31Vëllezërit dhe familja e tij shkuan, e morën trupin e tij dhe e varrosën mes Corahut dhe Eshtaolit, në varrin e Manoahut, atit të tij. Samsoni qe gjyqtar në Izrael për njëzet vjet.
Aktualisht i përzgjedhur:
Gjyqtarët 16: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020