Esdra 7:1-10
Esdra 7:1-10 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pas këtyre ngjarjeve, gjatë sundimit të Artakserksit, mbretit të Persisë, Ezra, biri i Serajahut, të birit të Azarjahut, të birit të Hilkiahut, të birit të Shalumit, të birit të Cadokut, të birit të Ahitubit, të birit të Amarjahut, të birit të Azarjahut, të birit të Merajotit, të birit të Zerahjahut, të birit të Uziut, të birit të Bukiut, të birit të Abishuait, të birit të Finehasit, të birit të Eleazarit, të birit të Aronit, kryepriftit, pra, vetë Ezra u kthye prej Babilonisë. Ai ishte shkrues i aftë i ligjit të Moisiut, dhënë nga ZOTI, Perëndia i Izraelit. Mbreti ia plotësoi të gjitha kërkesat Ezrës, sepse dora e ZOTIT, Perëndisë së tij, ishte me të. Në vitin e shtatë të mbretërimit të Artakserksit erdhën në Jerusalem disa izraelitë, priftërinj, levitë, këngëtarë, derëtarë e shërbëtorë të tempullit. Ezra mbërriti në Jerusalem në muajin e pestë të vitit të shtatë të mbretërimit të tij. Ai u nis nga Babilonia në ditën e parë të muajit të parë dhe mbërriti në Jerusalem në ditën e parë të muajit të pestë, sepse mbi të ishte dora mirëbërëse e Perëndisë. Ezra ishte dhënë me gjithë zemër pas shqyrtimit të ligjit të ZOTIT, për ta zbatuar e për t'u mësuar izraelitëve rregullat dhe vendimet e tij.
Esdra 7:1-10 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Mbas këtyre gjërave, nën mbretërimin e Artakserksit, mbretit të Persisë, Ezdra, bir i Serajahut, bir i Azarias, bir i Hilkiahut, bir i Shalumit, biri i Tsadokut, bir i Ahitubit, bir i Amariahut, bir i Azarias, bir i Merajothit, bir i Zerajahut, bir i Uzit, bir i Bukit, bir i Abishuas, bir i Finehasit, bir i Eleazarit, bir i Aaronit, kryeprift; ky Ezdra vinte nga Babilonia. Ishte një shkrues kompetent në ligjin e Moisiut të dhënë nga Zoti, Perëndia i Izraelit. Mbreti i dha të gjitha ato që ai kërkoi, sepse dora e Zotit, Perëndisë së tij, ishte mbi të. Në vitin e shtatë të mbretit Artakserksit, ngjitën gjithashtu në Jeruzalem disa nga bijtë e Izraelit dhe të priftërinjve, levitë, këngëtarë, derëtarë dhe nethinenj. Ezdra arriti në Jeruzalem në muajin e pestë, që ishte viti i shtatë i mbretit. Ai e filloi udhëtimin e tij nga Babilonia ditën e parë të muajit të parë dhe arriti në Jeruzalem ditën e parë të muajit të pestë, sepse dora mirëbërëse e Perëndisë së tij ishte mbi të. Në të vërtetë Ezdra i ishte kushtuar me gjithë zemër të studionte ligjin e Zotit, ta zbatonte në praktikë dhe të mësonte në Izrael statutet dhe dekretet.