Pas këtyre ngjarjeve, gjatë sundimit të Artakserksit, mbretit të Persisë, Ezra, biri i Serajahut, të birit të Azarjahut, të birit të Hilkiahut, të birit të Shalumit, të birit të Cadokut, të birit të Ahitubit, të birit të Amarjahut, të birit të Azarjahut, të birit të Merajotit, të birit të Zerahjahut, të birit të Uziut, të birit të Bukiut, të birit të Abishuait, të birit të Finehasit, të birit të Eleazarit, të birit të Aronit, kryepriftit, pra, vetë Ezra u kthye prej Babilonisë. Ai ishte shkrues i aftë i ligjit të Moisiut, dhënë nga ZOTI, Perëndia i Izraelit. Mbreti ia plotësoi të gjitha kërkesat Ezrës, sepse dora e ZOTIT, Perëndisë së tij, ishte me të. Në vitin e shtatë të mbretërimit të Artakserksit erdhën në Jerusalem disa izraelitë, priftërinj, levitë, këngëtarë, derëtarë e shërbëtorë të tempullit. Ezra mbërriti në Jerusalem në muajin e pestë të vitit të shtatë të mbretërimit të tij. Ai u nis nga Babilonia në ditën e parë të muajit të parë dhe mbërriti në Jerusalem në ditën e parë të muajit të pestë, sepse mbi të ishte dora mirëbërëse e Perëndisë. Ezra ishte dhënë me gjithë zemër pas shqyrtimit të ligjit të ZOTIT, për ta zbatuar e për t'u mësuar izraelitëve rregullat dhe vendimet e tij.