Eksodi 1:8-14
Eksodi 1:8-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Atëkohë në Egjipt doli një mbret i ri që nuk e njihte Jozefin. Ai i tha popullit të tij: «Ja, populli i Izraelit është më i madh e më i fuqishëm se ne! Ejani, të tregohemi të zgjuar me ta, përndryshe do të shtohen dhe, në rast lufte, do të bashkohen me armiqtë tanë. Do të na luftojnë e do të largohen nga ky vend». Kështu, caktuan mbikëqyrës skllevërish që t'i shtypnin me punë të detyruar. Bijtë e Izraelit ndërtuan për faraonin qytetet-depo të Pitomit e të Ramsesit. Por, sa më shumë që i shtypnin, aq më shumë shtoheshin e përhapeshin. Egjiptianët filluan t'i kishin frikë bijtë e Izraelit. Egjiptianët i munduan si skllevër bijtë e Izraelit. Ua nxinë jetën me punë të rënda duke i detyruar të bënin llaç e tulla dhe çdo lloj pune në fushë. Ua morën shpirtin në të gjitha punët që bënin.
Eksodi 1:8-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por tani doli në Egjipt një mbret i ri, që nuk e kishte njohur Jozefin. Ai i tha popullit të tij: "Ja, populli i bijve të Izraelit është më i shumtë dhe më i fortë se ne. Të përdorim, pra, dinakëri ndaj tyre, me qëllim që të mos shumëzohen dhe, në rast lufte të mos bashkohen me armiqtë tanë dhe të luftojnë kundër nesh, dhe pastaj të largohen nga vendi". Vunë, pra, kryeintendentë të punimeve mbi ta, me qëllim që t'i shtypnin me angaritë e tyre. Kështu ata i ndërtuan Faraonit qytetet-depozitë Pitom dhe Raamses. Por sa më tepër i shtypnin, aq më shumë shtoheshin dhe përhapeshin; prandaj egjiptasit arritën të kenë shumë frikë nga bijtë e Izraelit, dhe egjiptasit i detyruan bijtë e Izraelit t'u shërbenin me ashpërsi, dhe ua nxinë jetën me një skllavëri të vrazhdë, duke i futur në punimin e argjilës dhe të tullave si dhe në çdo lloj pune në ara. I detyronin t'i bënin tërë këto punë me ashpërsi.