Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ligji i Përtërirë 28:47-57

Ligji i Përtërirë 28:47-57 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Nuk i shërbeve ZOTIT, Perëndisë tënd, me gëzim e me zemër të çiltër në të gjitha begatitë, prandaj do t'i shërbesh armikut që do të dërgojë ZOTI kundër teje, në uri, në etje, në lakuriqësi e në çdo lloj nevoje. Ai do të të vërë në qafë një zgjedhë të hekurt derisa të të shkatërrojë. ZOTI do të ngrejë kundër teje një komb të largët, nga skajet e tokës, që sulet porsi shqiponjë, një komb, gjuhën e të cilit nuk e ke dëgjuar, një komb fytyrëvrazhdë, që s'nderon plak e s'mëshiron të ri. Ai do ta hajë frytin e kafshëve e të tokës sate derisa të shkatërrohesh. Nuk do të të lërë as drithë, as verë, as vaj, as viç e as qengj derisa të të zhbijë. Do të t'i rrethojë të gjitha qytetet derisa të bien anekënd vendit muret e larta e të fortifikuara, në të cilat ke besim. Do të të rrethojë çdo qytet në tokën që ZOTI, Perëndia yt, të ka dhënë. Gjatë rrethimit e mjerimit, me të cilin do të të mbërthejë armiku, do të hash frytin e barkut tënd, mishin e bijve dhe bijave, që të ka dhënë ZOTI, Perëndia yt. Edhe burri më i butë, më i sjellshmi mes teje, do ta shohë me smirë të vëllanë, të shoqen e dashur e fëmijët që i kanë mbetur. Ai nuk do t'i japë askujt prej mishit të bijve që po ha, sepse nuk do t'i mbesë gjë, për shkak të rrethimit e mjerimit me të cilën armiku do t'i mbërthejë të gjitha qytetet e tua. Edhe gruaja më e butë, më e sjellshmja mes teje, që nuk prek as tokën me këmbë, do ta shohë me smirë të shoqin e dashur, bijtë e bijat, mbetjet e lindjes dhe fëmijët që lindi. Ajo do t'i hajë ato fshehurazi, për shkak të rrethimit e mjerimit me të cilin armiku do t'i mbërthejë të gjitha qytetet e tua.

Ligji i Përtërirë 28:47-57 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Sepse nuk i ke shërbyer Zotit, Perëndisë tënd, me gëzim dhe hare në zemër për bollëkun në çdo gjë, do t'u shërbesh armiqve të tu që Zoti do të dërgojë kundër teje, në një gjendje urie, etjeje, lakuriqësie dhe mungese të çdo gjëje; dhe ai do të vërë një zgjedhë të hekurt rreth qafës sate derisa të të shkatërrojë. Zoti do të sjellë kundër teje nga larg, nga skajet e dheut, një komb të shpejtë, si shqiponja që fluturon, një komb gjuhën e të cilit ti nuk do ta kuptosh, një komb me një pamje të egër që nuk do të respektojë plakun dhe nuk do të ketë mëshirë për të voglin, dhe do të hajë frytin e bagëtisë sate dhe prodhimin e tokës sate, derisa të shkatërrohesh; dhe nuk do të lërë as grurë, as musht, as vaj as pjelljet e lopëve të tua ose pjelljet e deleve të tua, derisa të të ketë shkatërruar. Dhe do të rrethojë në të gjitha qytetet e tua, derisa të rrëzohen në të gjithë vendin muret e larta dhe të fortifikuara te të cilat kishte besim. Do të të rrethojë në të gjitha qytetet e tua, në të gjithë vendin që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë. Përveç kësaj gjatë rrethimit dhe në fatkeqësinë në të cilën do të të katandisë armiku yt, do të hash frytin e barkut tënd, mishin e bijve dhe të bijave të tua, që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë. Njeriu më zemërbutë dhe më delikat do të ketë një zemër kaq keqdashëse ndaj vëllait të tij, ndaj gruas që pushon mbi kraharorin e tij e ndaj fëmijëve që ka akoma, sa të mos i japë asnjërit prej tyre mishin e bijve të tij, që ai do të hajë për vete, sepse nuk do t'i mbetet asgjë gjatë rrethimit dhe në mjerimin në të cilin do ta katandisin armiqtë e tu në të gjitha qytetet e tua. Gruaja më zemërbutë dhe delikate midis jush, që për delikatesën dhe elegancën e saj do të kishte guxuar të vendoste tabanin e këmbës në tokë, do të ketë një zemër keqbërëse ndaj burrit që pushon mbi gjirin e saj, ndaj djalit dhe vajzës së saj, ndaj placentës që del nga barku i saj dhe ndaj fëmijëve që lind, sepse ajo do t'i hajë fshehurazi, për shkak se çdo gjë mungon gjatë rrethimit dhe për shkak të mjerimit të madh që do të pësosh nga armiqtë e tu në të gjitha qytetet e tua.