Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ligji i përtërirë 28:47-57

Ligji i përtërirë 28:47-57 AL1

Nuk i shërbeve ZOTIT, Perëndisë tënd, me gëzim e me zemër të çiltër në të gjitha begatitë, prandaj do t'i shërbesh armikut që do të dërgojë ZOTI kundër teje, në uri, në etje, në lakuriqësi e në çdo lloj nevoje. Ai do të të vërë në qafë një zgjedhë të hekurt derisa të të shkatërrojë. ZOTI do të ngrejë kundër teje një komb të largët, nga skajet e tokës, që sulet porsi shqiponjë, një komb, gjuhën e të cilit nuk e ke dëgjuar, një komb fytyrëvrazhdë, që s'nderon plak e s'mëshiron të ri. Ai do ta hajë frytin e kafshëve e të tokës sate derisa të shkatërrohesh. Nuk do të të lërë as drithë, as verë, as vaj, as viç e as qengj derisa të të zhbijë. Do të t'i rrethojë të gjitha qytetet derisa të bien anekënd vendit muret e larta e të fortifikuara, në të cilat ke besim. Do të të rrethojë çdo qytet në tokën që ZOTI, Perëndia yt, të ka dhënë. Gjatë rrethimit e mjerimit, me të cilin do të të mbërthejë armiku, do të hash frytin e barkut tënd, mishin e bijve dhe bijave, që të ka dhënë ZOTI, Perëndia yt. Edhe burri më i butë, më i sjellshmi mes teje, do ta shohë me smirë të vëllanë, të shoqen e dashur e fëmijët që i kanë mbetur. Ai nuk do t'i japë askujt prej mishit të bijve që po ha, sepse nuk do t'i mbesë gjë, për shkak të rrethimit e mjerimit me të cilën armiku do t'i mbërthejë të gjitha qytetet e tua. Edhe gruaja më e butë, më e sjellshmja mes teje, që nuk prek as tokën me këmbë, do ta shohë me smirë të shoqin e dashur, bijtë e bijat, mbetjet e lindjes dhe fëmijët që lindi. Ajo do t'i hajë ato fshehurazi, për shkak të rrethimit e mjerimit me të cilin armiku do t'i mbërthejë të gjitha qytetet e tua.