Veprat e Apostujve 7:44-60
Veprat e Apostujve 7:44-60 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Në shkretëtirë etërit tanë kishin tendën e dëshmisë, sikurse Perëndia e kishte udhëzuar Moisiun kur i foli dhe e urdhëroi ta bënte sipas gjedhes që kishte parë. Etërit tanë e morën në dorëzim tendën dhe bashkë me Jozuehun e mbartën me vete kur pushtuan tokën e kombeve, të cilët Perëndia i dëboi para syve të etërve tanë. Tenda mbeti aty deri në kohën e Davidit, i cili gjeti hir para Perëndisë dhe kërkoi që të gjente një vendbanim për Perëndinë e Jakobit. Por ishte Solomoni ai që ia ndërtoi shtëpinë Perëndisë. Megjithatë, i tejlarti Perëndi nuk banon në shtëpi të bëra nga duart e njerëzve, sikurse thotë profeti: qielli është froni im e toka është shtroja e këmbëve të mia. Çfarë shtëpie do të më ndërtoni, thotë Zoti, ose cili është vendi ku do të gjej prehje? A nuk i ka bërë dora ime të gjitha këto gjëra? Popull kryeneç, me zemër e veshë që nuk e dëgjojnë Perëndinë, edhe ju, sikurse etërit tuaj, vazhdoni t'i kundërviheni Shpirtit të shenjtë. Cilin prej profetëve nuk përndoqën etërit tuaj? Ata vranë paralajmëruesit e ardhjes së të Drejtit, ndërsa tani ju jeni bërë tradhtarët dhe vrasësit e tij. Ju jeni ata që morën ligjin, sikurse urdhëruan engjëjt, por nuk e zbatuat». Kur dëgjuan këto gjëra, ata u zemëruan e kërcëlluan dhëmbët kundër Stefanit. Por Stefani, i mbushur me Shpirtin e shenjtë, ngriti sytë drejt qiellit dhe pa lavdinë e Perëndisë e Jezuin që qëndronte në të djathtën e Perëndisë. Atëherë tha: «Ja, po shoh qiejt e hapur dhe Birin e njeriut duke qëndruar në të djathtën e Perëndisë!». Por ata mbyllën veshët dhe me një britmë të madhe u lëshuan kundër tij. Pastaj e zvarritën jashtë qytetit dhe e goditën me gurë. Dëshmitarët i vendosën rrobat te këmbët e një të riu që quhej Saul. Ndërsa e godisnin me gurë, Stefani lutej: «O Zot Jezu, pranoje shpirtin tim!». Pastaj ra në gjunjë dhe thirri me zë të lartë: «O Zot, mos ua ngarko atyre këtë mëkat». Pasi tha këto, vdiq.
Veprat e Apostujve 7:44-60 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Etërit tuaj në shkretëtirë kishin tabernakullin e dëshmisë, ashtu siç kishte urdhëruar ai që i pati thënë Moisiut ta bëjë sipas modelit që kishte parë. Dhe etërit tanë, pasi e morën, e mbartën me Jozueun në vendin që e kishin pushtuar johebrenjtë, të cilët Perëndia i dëboi para etërve tanë; dhe aty qëndroi deri në ditët e Davidit, i cili gjeti hir përpara Perëndisë dhe kërkoi të mund të gjente një banesë për Perëndinë e Jakobit. Por qe Salomoni ai që ia ndërtoi një shtëpi. Por Shumë i Larti nuk banon në tempuj të ndërtuar nga dora e njeriut, sikurse thotë profeti: ''Qielli është froni im dhe toka stoli i këmbëve të mia; çfarë shtëpie do të më ndërtonit ju, thotë Zoti, ose cili do të qe vendi i pushimit tim? A nuk i bëri të gjitha këto gjëra dora ime?''. O qafëfortë dhe me zemër e veshë të parrethprerë, ju gjithnjë e kundërshtoni Frymën e Shenjtë; ashtu siç bënin etërit tuaj, ashtu bëni edhe ju. Cilin nga profetët nuk e përndoqën etërit tuaj? Ata vranë edhe ata që paralajmëronin ardhjen e të Drejtit, për të cilin tani ju jeni bërë tradhtarë dhe vrasës; ju, që e morët ligjin të shpallur nga engjëjt dhe nuk e keni respektuar!''. Kur i dëgjuan këto fjalë, ata thereshin në zemër të tyre dhe kërcëllonin dhëmbët kundër tij. Por ai, mbushur me Frymë të Shenjtë, i nguli sytë nga qielli, pa lavdinë e Perëndisë dhe Jezusin që rrinte në këmbë në të djathtën e Perëndisë, dhe tha: ''Ja, unë po shoh qiejt e hapur dhe Birin e njeriut që rri në këmbë në të djathtën e Perëndisë''. Por ata, duke lëshuar britma të forta, i zunë veshët dhe të gjithë tok u sulën mbi të; dhe, si e nxorën jashtë qytetit, e vranë me gurë. Dëshmitarët i vunë rrobat e tyre te këmbët e një djaloshi, të quajtur Saul. Kështu e vranë me gurë Stefanin, që i thërriste Jezusit dhe thoshte: ''O Zoti Jezus, pranoje frymën time!''. Atëherë ra në gjunjë dhe bërtiti me zë të lartë: ''O Zot, mos ua ngarko atyre këtë mëkat!''. Dhe, si tha këtë, fjeti.