Etërit tuaj në shkretëtirë kishin tabernakullin e dëshmisë, ashtu siç kishte urdhëruar ai që i pati thënë Moisiut ta bëjë sipas modelit që kishte parë.
Dhe etërit tanë, pasi e morën, e mbartën me Jozueun në vendin që e kishin pushtuar johebrenjtë, të cilët Perëndia i dëboi para etërve tanë; dhe aty qëndroi deri në ditët e Davidit,
i cili gjeti hir përpara Perëndisë dhe kërkoi të mund të gjente një banesë për Perëndinë e Jakobit.
Por qe Salomoni ai që ia ndërtoi një shtëpi.
Por Shumë i Larti nuk banon në tempuj të ndërtuar nga dora e njeriut, sikurse thotë profeti:
''Qielli është froni im dhe toka stoli i këmbëve të mia; çfarë shtëpie do të më ndërtonit ju, thotë Zoti, ose cili do të qe vendi i pushimit tim?
A nuk i bëri të gjitha këto gjëra dora ime?''.
O qafëfortë dhe me zemër e veshë të parrethprerë, ju gjithnjë e kundërshtoni Frymën e Shenjtë; ashtu siç bënin etërit tuaj, ashtu bëni edhe ju.
Cilin nga profetët nuk e përndoqën etërit tuaj? Ata vranë edhe ata që paralajmëronin ardhjen e të Drejtit, për të cilin tani ju jeni bërë tradhtarë dhe vrasës;
ju, që e morët ligjin të shpallur nga engjëjt dhe nuk e keni respektuar!''.
Kur i dëgjuan këto fjalë, ata thereshin në zemër të tyre dhe kërcëllonin dhëmbët kundër tij.
Por ai, mbushur me Frymë të Shenjtë, i nguli sytë nga qielli, pa lavdinë e Perëndisë dhe Jezusin që rrinte në këmbë në të djathtën e Perëndisë,
dhe tha: ''Ja, unë po shoh qiejt e hapur dhe Birin e njeriut që rri në këmbë në të djathtën e Perëndisë''.
Por ata, duke lëshuar britma të forta, i zunë veshët dhe të gjithë tok u sulën mbi të;
dhe, si e nxorën jashtë qytetit, e vranë me gurë. Dëshmitarët i vunë rrobat e tyre te këmbët e një djaloshi, të quajtur Saul.
Kështu e vranë me gurë Stefanin, që i thërriste Jezusit dhe thoshte: ''O Zoti Jezus, pranoje frymën time!''.
Atëherë ra në gjunjë dhe bërtiti me zë të lartë: ''O Zot, mos ua ngarko atyre këtë mëkat!''. Dhe, si tha këtë, fjeti.