Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat 7

7
Fjalimi i Stefanit
1Atëherë kryeprifti e pyeti Stefanin: «A janë të vërteta këto gjëra?».
2Stefani tha: «Vëllezër dhe etër, më dëgjoni. Perëndia i lavdisë iu shfaq atit tonë Abrahamit kur ky ishte në Mesopotami, para se të banonte në Haran, 3e i tha: dil nga toka jote e nga fisi yt dhe shko në tokën që unë do të të tregoj. 4Atëherë ai doli nga toka e kaldenjve dhe banoi në Haran. Pasi i vdiq i ati, Perëndia e shpërnguli që andej dhe e solli në këtë tokë, ku tani banoni ju. 5Atje nuk i dha në trashëgimi asnjë këmbë tokë, por i premtoi se do t'ia jepte në pronë atij e pasardhësve të tij, edhe pse Abrahami nuk kishte ende fëmijë. 6Perëndia i tha se pasardhësit e tij do të jetonin si të huaj në dhe të huaj e atje do t'i skllavëronin e do t'i keqtrajtonin për katërqind vjet. 7Por unë do ta gjykoj kombin të cilit ata do t'i shërbejnë, tha Perëndia, e pastaj ata do të dalin prej andej e do të më adhurojnë në këtë vend.
8Pastaj bëri me Abrahamin besëlidhjen e rrethprerjes. Kështu Abrahamit i lindi Isaku dhe e rrethpreu ditën e tetë. Isakut i lindi Jakobi e Jakobit dymbëdhjetë patriarkët. 9Patriarkët e kishin smirë Jozefin dhe e shitën në Egjipt, por Perëndia ishte me të. 10Ai e çliroi nga të gjitha vuajtjet dhe i dha hir e urti përballë faraonit, mbretit të Egjiptit, që e caktoi Jozefin epror të Egjiptit e të gjithë shtëpisë së vet.
11Pastaj, në të gjithë Egjiptin e Kanaanin ra një zi buke. Mjerimi ishte aq i madh saqë etërit tanë nuk gjenin asgjë për të ngrënë. 12Por kur Jakobi dëgjoi se në Egjipt kishte grurë, dërgoi në fillim atje etërit tanë. 13Herën e dytë, Jozefi u dha të njohur vëllezërve të vet dhe kështu faraoni u njoh me familjen e Jozefit.
14Atëherë Jozefi dërgoi dikë që të thërriste atin e tij, Jakobin, e të gjithë farefisin, që ishin shtatëdhjetë e pesë veta. 15Kështu Jakobi shkoi në Egjipt. Ai dhe etërit tanë vdiqën, 16dhe trupat e tyre i sollën në Shekem, ku u varrosën në varrin që Abrahami ua kishte blerë me një shumë argjendi bijve të Hemorit në Shekem.
17Ndërsa po afrohej koha e përmbushjes së premtimit që Perëndia i kishte dhënë Abrahamit, populli ynë u rrit e u shumua në Egjipt, 18derisa në Egjipt u bë mbret dikush tjetër që nuk e njihte Jozefin. 19Ai u soll dinakërisht me kombin tonë e i detyroi etërit tanë t'i braktisnin fëmijët në mëshirë të fatit, që të mos mbeteshin gjallë.
20Në këtë kohë lindi Moisiu, i cili ishte i bukur në sytë e Perëndisë. Ai u rrit në shtëpinë e të atit për tre muaj 21dhe kur e braktisën, e mori e bija e faraonit dhe e rriti si të ishte biri i vet. 22Kështu Moisiu u edukua me tërë dijen e egjiptianëve dhe ishte i fuqishëm në fjalë e në vepra. 23Kur mbushi dyzet vjeç, i lindi në zemër dëshira të shkonte të shihte vëllezërit e vet, bijtë e Izraelit. 24Aty pa dikë të cilit po i bënin padrejtësi. Ai e mbrojti të shtypurin dhe mori shpagim duke vrarë egjiptianin. 25Moisiu mendonte se vëllezërit e vet do ta kuptonin se Perëndia po i shpëtonte me anë të tij, por ata nuk e kuptuan. 26Të nesërmen shkoi te disa izraelitë që po grindeshin e u përpoq t'i pajtonte duke u thënë: “Burra, ju jeni vëllezër. Pse i bëni padrejtësi njëri-tjetrit?”. 27Por ai që po i bënte padrejtësi tjetrit, e shtyu Moisiun e i tha: kush të caktoi ty prijës e gjykatës mbi ne? 28A do të më vrasësh edhe mua, sikurse vrave dje egjiptianin? 29Kur dëgjoi këtë, Moisiu u largua e jetoi si i huaj në dheun e Midianit, ku i lindën dy bij.
30Pasi kaluan dyzet vjet, Moisiut iu shfaq një engjëll në shkretëtirën e malit të Sinait, në flakën e një shkurreje që po digjej. 31Kur e pa, Moisiu u çudit me këtë pamje. Ndërsa po afrohej për të parë më mirë, zëri i Zotit tha: 32unë jam Perëndia i etërve të tu, Perëndia i Abrahamit, Isakut e Jakobit. Moisiu filloi të dridhej e nuk guxonte të shikonte. 33Atëherë Zoti i tha: zbathi sandalet nga këmbët, sepse vendi ku po qëndron është tokë e shenjtë. 34E kam parë mirë dhunën që i bëhet popullit tim në Egjipt, e kam dëgjuar rënkimin e tyre dhe kam zbritur për t'i çliruar. Tani eja të të dërgoj në Egjipt.
35Ky ishte i njëjti Moisi që ata nuk e kishin pranuar kur i thanë: kush të caktoi ty prijës e gjykatës? Tani Perëndia e dërgoi atë si prijës dhe si shpengues përmes engjëllit që iu shfaq në shkurre. 36Ky i nxori nga Egjipti dhe bëri mrekulli e shenja në tokën e Egjiptit, në detin e Kuq e në shkretëtirë për dyzet vjet. 37Moisiu është ai që u tha izraelitëve: Perëndia do të nxjerrë nga vëllezërit tuaj një profet si unë.#7.37 dorëshk. të tjera edhe: Atë dëgjoni 38Kur populli ishte mbledhur në shkretëtirë, i njëjti Moisi u bë ndërmjetësi mes engjëllit që i fliste në malin e Sinait dhe etërve tanë. Ai i mori fjalët e jetës për të na i dhënë neve. 39Etërit tanë nuk deshën t'i bindeshin atij, madje iu shmangën e me zemrat e tyre u kthyen në Egjipt. 40Ata i thanë Aronit: na bëj ca perëndi, që të na prijnë. Sa për këtë Moisiun që na nxori nga dheu i Egjiptit nuk dimë gjë ç'u bë me të. 41Po ato ditë ata bënë një viç si idhull, i kushtuan një fli e u kënaqën me veprat e duarve të tyre.
42Por Perëndia u largua prej tyre e i la të adhurojnë yjet e qiellit, siç është shkruar në librin e Profetëve:
a më kushtove kafshë të therura
dhe flijime,
dyzet vjet në shkretëtirë,
o shtëpia e Izraelit?
43Ju morët me vete tendën e Molokut
dhe yllin e perëndisë suaj Refan,
shëmbëllimet që i bëtë vetë për t'i adhuruar,
prandaj do t'ju shpërngul përtej Babilonisë.
44Në shkretëtirë etërit tanë kishin tendën e dëshmisë, sikurse Perëndia e kishte udhëzuar Moisiun kur i foli dhe e urdhëroi ta bënte sipas gjedhes që kishte parë. 45Etërit tanë e morën në dorëzim tendën dhe bashkë me Jozuehun e mbartën me vete kur pushtuan tokën e kombeve, të cilët Perëndia i dëboi para syve të etërve tanë. Tenda mbeti aty deri në kohën e Davidit, 46i cili gjeti hir para Perëndisë dhe kërkoi që të gjente një vendbanim për Perëndinë e Jakobit. 47Por ishte Solomoni ai që ia ndërtoi shtëpinë Perëndisë.
48Megjithatë, i tejlarti Perëndi nuk banon në shtëpi të bëra nga duart e njerëzve, sikurse thotë profeti:
49 qielli është froni im
e toka është shtroja e këmbëve të mia.
Çfarë shtëpie do të më ndërtoni,
thotë Zoti,
ose cili është vendi
ku do të gjej prehje?
50 A nuk i ka bërë dora ime
të gjitha këto gjëra?
51Popull kryeneç, me zemër e veshë që nuk e dëgjojnë Perëndinë#7.51 ose: me zemër e veshë të parrethprerë, edhe ju, sikurse etërit tuaj, vazhdoni t'i kundërviheni Shpirtit të shenjtë. 52Cilin prej profetëve nuk përndoqën etërit tuaj? Ata vranë paralajmëruesit e ardhjes së të Drejtit, ndërsa tani ju jeni bërë tradhtarët dhe vrasësit e tij. 53Ju jeni ata që morën ligjin, sikurse urdhëruan engjëjt, por nuk e zbatuat».
Vrasja e Stefanit
54Kur dëgjuan këto gjëra, ata u zemëruan e kërcëlluan dhëmbët kundër Stefanit. 55Por Stefani, i mbushur me Shpirtin e shenjtë, ngriti sytë drejt qiellit dhe pa lavdinë e Perëndisë e Jezuin që qëndronte në të djathtën e Perëndisë. 56Atëherë tha: «Ja, po shoh qiejt e hapur dhe Birin e njeriut duke qëndruar në të djathtën e Perëndisë!». 57Por ata mbyllën veshët dhe me një britmë të madhe u lëshuan kundër tij. 58Pastaj e zvarritën jashtë qytetit dhe e goditën me gurë.
Dëshmitarët i vendosën rrobat te këmbët e një të riu që quhej Saul.
59Ndërsa e godisnin me gurë, Stefani lutej: «O Zot Jezu, pranoje shpirtin tim!». 60Pastaj ra në gjunjë dhe thirri me zë të lartë: «O Zot, mos ua ngarko atyre këtë mëkat». Pasi tha këto, vdiq.

Aktualisht i përzgjedhur:

Veprat 7: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr