1 i Kronikave 29:8-13
1 i Kronikave 29:8-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ata që zotëronin gurë të çmuar, i dhuruan për thesarin e tempullit të ZOTIT, nëpërmjet Jehiel Gershonitit. Populli u gëzua për dhuratat e veta, sepse i kishin dhuruar me gjithë zemër për ZOTIN. Edhe mbreti David u gëzua shumë. Davidi e bekoi ZOTIN para mbarë bashkësisë e tha: «I bekuar je ti, o ZOT, Perëndia i Izraelit, atit tonë, ngaherë e përgjithmonë. Ty, o ZOT, të takon madhëria, fuqia, shkëlqimi, lartësimi e madhështia, sepse ty të përket gjithçka në qiell e në tokë. Ty të takon mbretërimi, o ZOT, i lartësuar mbi të gjithë. Prej teje buron pasuria e lavdia. Ti sundon mbi çdo gjë. Në dorën tënde janë pushteti e fuqia dhe ti e ke në dorë të madhërosh e të mëkëmbësh këdo. E tani, o Perëndia ynë, ne të falënderojmë dhe e lavdërojmë emrin tënd të lavdishëm.
1 i Kronikave 29:8-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kushdo që zotëronte gurë të çmuar, i dorëzoi në duart e Jehielit, gershonitit, me qëllim që të hynin në thesarin e shtëpisë të Zotit. Populli u gëzua nga ofertat e tyre vullnetare, sepse i kishin bërë këto oferta Zotit me gjithë zemër; edhe mbreti David u gëzua shumë. Kështu Davidi bekoi Zotin përpara tërë asamblesë dhe tha: "I bekuar je ti, o Zot, Perëndi i Izraelit, ati ynë, për gjithë amshimin. Jotja, o Zot, është madhështia, fuqia, lavdia, shkëlqimi, madhëria, sepse gjithçka që është në qiell dhe mbi tokë është jotja. E jotja o Zot është mbretëria, dhe ti ngrihesh sovran mbi gjithçka. Nga ti vijnë pasuria dhe lavdia; ti sundon mbi gjithçka; në dorën tënde janë forca dhe fuqia, dhe ti ke fuqinë për të bërë të madh dhe për t'u dhënë forcë të gjithëve. Prandaj ne, o Perëndia ynë, të falënderojmë dhe kremtojmë emrin tënd të lavdishëm.